​Unioni i Turizmit kundërshton rikthimin e TVSH-së prej 18% për gastronominë dhe hotelerinë

Turizëm

​Unioni i Turizmit kundërshton rikthimin e TVSH-së prej 18% për gastronominë dhe hotelerinë

Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 14:50
Ilustrim

Unioni i Turizmit të Kosovës (UTK) ka reaguar pas njoftimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) se nga 1 janari 2022 furnizimet e mallrave dhe shërbimeve në veprimtarinë hoteliere, restorante dhe shërbime të ushqimit, do tatohen sipas normave të përcaktuara me Ligjin në fuqi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, dhe jo siç kishte qenë deri më tash, sipas normës së reduktuar prej 8 përqind të bazuar në Ligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Në reagimin e UTK-së thuhet se këto politika janë në kundërshtim me strategjitë zhvillimore për sektorin e turizmit dhe atë të hotelerisë, veçanërisht në rrethana pandemie.

“Rikthimi i TVSH-së nga 8% në 18% është politikë e gabuar dhe do ta shkatërron këtë sektor shumë të rëndësishëm të ekonomisë dhe punësimit. Të gjitha shtetet e kanë të ndryshme TVSH-në nga ajo standard me atë të akomodimit sepse pjesa e akomodimit ndikon rreth 40% në Paketën Turistike, kjo i bie që do të ngriten çmimet edhe ashtu të larta të akomodimit dhe do të ndikojë edhe tek Agjensionet Touroperatore sa i përket paketave turistike. Pra, do të jemi jokonkurrent me shtetet tjera Ballkanike dhe Evropiane dhe kjo do të ndikojë direkt tek ulja e numrit të turistëve”, thuhet në reagim.

UTK ka apeluar Qeverinë e Kosovës që të lë në fuqi normën e TVSH-së 8 përqind, ashtu siç është paraparë me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

“I bëjmë thirrje qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse të rishikojnë vendimin sepse janë duke e shkatërruar një industri të tërë”, thuhet në reagimin e Unionit të Turizmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat