Venecia - vendi që të frymëzon për të shkruar një romancë dashurie!

Turizëm

Venecia - vendi që të frymëzon për të shkruar një romancë dashurie!

Më: 24 mars 2022 Në ora: 20:20
Ambra Hysa

Një përbindësh i bukur befas pushton zemrat e dy të rinjve të panjohur më parë, të cilët takohen rastësisht në ballon e famshme të karnavaleve, që organizohet në qytetin e karnavaleve, në një nga qytetet më mistike dhe romantike në botë, Venecia.

Mes luftës dhe trëndafilave, në mes të krizave, aty ku jeta është gjithmonë e bukur... La vita é bella!

Aty, ku rrugicat gjarpërojnë drejt e në zemër, në rrugët ku poemat më të bukura të dashurisë janë shkruar, ku romancat janë ndezur, ku historitë kanë lindur, ku njerëzit janë dashur.

M'u shfaq si një ëndërr e përsëritur. Venecia, një vend i vizituar dikur dhe tani i fiksuar në kujtesë si imazh i largët në aparatin e memories, kështu që kthimi im këtë herë është i mjegullt, por plot kuriozitet... plot mall dhe etje për ta njohur qytetin unikal, gjithashtu për ta përjetësuar mes rreshtave.

Të gjitha mendimet që më lidhin me të i hedh në letër, përjetimi i freskët që më dhuron ky takim, merr trajtë.

Magjia nis në perëndim, mes gondolave të ankoruara nga stacioni hekurudhor në kanalin e madh në muzg; ura Rialto; Piazza San Marco; toka e mrekullive vezulluese e valëzuese; trafiku i zhurmshëm i ujit; gondolierët që këndojnë; turistët duke pirë kafe dhe pëllumbat e bardhë që ndalen në parvaze sikur duan të sjellin akoma mesazhe apo pusulla dashurie.

Ky qytet i përket një epoke tjetër, mund ta përqafosh nëse do të harrosh, por edhe nëse dëshiron të kujtosh...

"Të ndërtosh një qytet ku është e pamundur të ndërtosh një qytet është çmenduri në vetvete, por të ndërtosh atje një nga qytetet më elegante dhe më madhështore është çmenduria e gjeniut”, - thoshte Alexander Herzen.

U magjepsa nga marionetat, të cilat i pashë për herë të parë në Venecia. Ishin aq të përhumbura dhe kaq të gjalla. Ti ecën pranë tyre dhe mund t’ua ndjesh praninë, me sytë e tyre të fiksuara drejt teje.

Unë e dashuroj Venecian për aromën e myshkut, për mënyrën si fle ashtu në ujë si një grumbull zambakësh, pa u trazuar.

E dua sepse Venecia është mistike, autentike, është artistike dhe pasionante.

Është e përkëdhelur nga dashuria e të gjithë botës dhe kryelartë.

E dua, sepse nëse dashurisë do t’i vihej një emër tjetër, ajo do të merrte emrin e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat