​Të rinj nga e gjithë bota marrin pjesë në festivalin "Albania Afro Latin 2022"

Turizëm

​Të rinj nga e gjithë bota marrin pjesë në festivalin "Albania Afro Latin 2022"

Më: 14 maj 2022 Në ora: 20:15
Foto ilustrim

Përreth plazhit në Golem, të rinjtë nga gjithë bota po hedhin hapat nën tingujt e muzikës latine. Kërcimtarë të vendeve të ndryshme po marrin pjesë në festivalin ndërkombëtar "Albania Afro Latin 2022". Sot ka vijuar dita e katërt e performimeve e aktiviteteve të këtij festivali, i cili po mbahet në hotelin "Grand Blue Fafa".

Rron Haxhiislami nga "Love and Dance Prishtina", thotë se festivali po u mundëson të takohen me artistë edhe kërcimtarë të huaj.

HaxhiIslami: Kemi ardhur rreth 120 persona

"Kemi ardhur diku 120 persona prej Kosovës. Është edicioni i katërt i Afro Latin, që tri edicione mbahet këtu në Grand Blue Fafa, edicioni i parë është mbajtur në Tiranë. Shumë mirë po shkon, ka shumë të huajë, ka DJ, ka artistë të huajë edhe mysafirët po ashtu janë të kënaqur...ne e kemi qasjen e limituar për shkak të vizave në Kosovë. Edhe artistë te mëdhenj botërore na bie shumë pak për të parë. Në Turqi zakonisht shkojmë në festivale dhe këtu në Shqipëri qe i bëjmë. Është shumë me rëndësi me qenë këtu edhe me u kënaq", thotë Haxhiislami për KosovaPress.

Për Segun Longe nga Londra është hera e parë që sheh perlën e Adriatikut në Shqipëri. Por, ai bën dallimin mes festivalit të organizuar në Golem dhe të tjerëve ku kishte qenë më parë.

Longe: Një plazh i bukur, nuk e prisja këtë

"Unë vij nga Londra dhe është hera ime e parë në Festivalin ‘Albania Afro Latin’, ndaj nuk isha i sigurt se çfarë të prisja, por është vërtet e mahnitshme. Keni mot shumë të bukur, muzikë të bukur, njerëz të bukur, plazhi gjithashtu. Ka qenë një Festival absolutisht i mrekullueshëm, një nga festivalet më të mira ku kam qenë. … Po një plazh i bukur sinqerisht, nuk e prisja këtë", tregon Longe.

Festivali ndërkombëtar po bën bashkë artistë nga e gjithë bota. Sol Hissirou thotë se ky është një prej organizimeve më të mira të festivalit Afro Latin.

Hissirou: Unë jam një nga artistët e këtij festivali

"Unë jam një nga artistët e këtij festivali. Unë jetoj në Mbretërinë e Bashkuar. Unë erdha në Shqipëri për herë të parë vitin e kaluar jo në këtë festival, por më pëlqen vendi, dhe i njoh organizatorët e këtij festivali, dhe është një organizim i mrekullueshëm, do të thotë, shiko përreth, ... është e mrekullueshme, Zoti e bekoftë Festivalin 'Albania Afro Latin", shprehet ai.

Në këtë festival ka pjesëmarrës edhe nga Rusia. Polina Shorina, e cila vjen për herë të parë në Shqipëri thotë se po i pëlqen organizimi dhe se po e shijon plazhin në Shqipëri.

Shorina: Më pëlqen gjithçka që është këtu

"Më pëlqen shumë organizimi, më pëlqen atmosfera, më pëlqen gjithçka që është këtu, vendi është shumë i bukur... Jam nga Rusia ne fakt, është shumë nxehtë këtu për ne, është shumë bukur... Është hera ime e parë në Shqipëri , dhe më pëlqejnë njerëzit këtu, njerëzit janë shumë të lumtur… për mua është shumë bukur të jem këtu… Më pëlqyen shumë hotelet, është shumë bukur, cilësia e gjithçkaje, dhe plazhi është gjithashtu shumë i bukur", përfundon ajo.

Në hotelin "Grand Blue Fafa", për gjashtë ditë radhazi do të performohen vallëzime salsa, bachata e krizomba.

Ky festival është organizuar dy herë në "Grand Blue Fafa", ndërkaq një herë tjetër në " Fafa Premium", në Mal të Robit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat