Turizmi nënujor në Shqipëri

Turizëm

Turizmi nënujor në Shqipëri

Më: 3 gusht 2017 Në ora: 18:10
ilustrim

Në Shqipëri po bëhen përpjekje për të mbrojtur pasurinë e saj të madhe të thesareve nënujore të mbetur nga anijet e mbytura në lashtësi, disa prej të cilave i përkasin periudhës së perandorisë romake. Bregdeti i Shqipërisë është një ndër më pak të eksploruarit në botë prandaj ekspertët synojnë që, krahas rritjes së turizmit nënujor, të ruajnë trashëgiminë e pasur që gjendet nën det.

Në shtratin detar të qytetit turistik të Sarandës shtrihet një pamje mahnitëse; janë dhjetra, ndoshta qindra, amfora të lashta.

Ato janë dëshmi e fatkeqësive detare të anijeve tregtare më shumë se 1600 vjet më parë.

Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit po përpiqen të gjejnë mënyrat se si mund të studiohet dhe mbrohet më mirë kjo trashëgimi, duke e hapur atë për vizitorët.

Bregdeti i Shqipërisë është ndër më pak të eksploruarit në botë.

Derek Smith, ekolog dhe bashkëpunëtor i Fondacionit Detar RPM, eksploron bregdetin shqiptar prej një dekade:

Derek Smith

Ekolog, Fondacioni RPM

"Nga ajo që kam parë deri tani këtu në Shqipëri, është e pamundur të notosh disa metra pa gjetur diçka të mahnitshme, qoftë në pikëpamje të historisë kulturore apo të historisë natyrore".

Pak më tej mund të shikosh mbetjet e një anijeje të Luftës së Dytë Botërore.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare thotë se është e rëndësishme që thesaret e nënujshme të vendit të mbrohen për brezat e ardhshëm:

Auron Tare

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit

"Ideja e paraqitjes së trashëgimisë nënujore është një ide e re për vendin. Unë kam qenë i përfshirë prej 12 vjetësh në një ekspeditë të madhe nënujore e cila ka dokumentuar, zbuluar dhe hulumtuar shumë nga anijet e gjetura. Ka ardhur koha që ne t'ia paraqesim botës këtë trashëgimi.”

Në Shqipëri, zhvillimi i bregdetit është bërë shpesh në mënyrë anarkike, dhe ekziston frika se disa nga thesaret e nënujshme mund të grabiten.

Pritet që së shpejti të miratohen ligje për mbrojtjen e trashëgimisë nënujore dhe për t’u dhënë njëkohësisht qasje vizitorëve.

"Duhet të shohim shembujt më të mirë që kanë vendet e tjera, duke kuptuar edhe rrethanat e Shqipërisë, e cila nuk ka infrastrukturë të mjaftueshme për të monitoruar të gjitha këto rrënoja. Unë do të thosha se për të ardhmen e afërt rrënojat e lashta duhet të jenë të hapura për studiuesit", thotë zoti Tare.

Greqia fqinje ka patur shumë vështirësi për të mbrojtur objektet e saj të lashta. Aq e madhe ishte frika e humbjes së rrënojave nënujore, saqë Greqia ndaloi zhytjet, me përjashtim të pak hapësirave detare.

Arkeologu Mateusz Polakowski, ka tre vjet që punon për Fondacionin RPM:

"Ministritë shqiptare që merren me bregdetin duhet të garantojnë se këto mbetje do të ruhen dhe do të jenë aty në të ardhmen, prandaj mendoj se ideja është që të zhvillohen plane të cilat favorizojnë trashëgiminë kulturore por edhe komunitetet vendëse".

Shqipëria ndodhet në një pikë strategjike në hyrje të detit Adriatik dhe përgjatë rrugëve të lashta tregtare nga Italia për në gadishullin e Ballkanit.

Megjithëse shumë rrënoja të nënujshme janë eksploruar, arkeologët thonë se mbeten shumë thesare të tjera për t'u zbuluar./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat