Ulqini destinacion kryesor i pushuesve shqiptarë

Turizëm

Ulqini destinacion kryesor i pushuesve shqiptarë

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 11:25
Ulqin

Ulqini njihet si një prej destinacioneve më të frekuentuara nga shqiptarët dhe vendet e rajonit, në kohën e verës. Është i njohur veçmas për plazhet me rërë, të cilat mendohet se kanë edhe veti shëruese, e sidomos edhe Pylli i Pishave, i cili është destinacion për ata cilët kanë probleme me eshtra dhe me astmë.

Qytetarët në Prishtinë mendojnë se ia vlen ta vizitosh Ulqinin.

Islam Zhinipotoku tha se edhe pse ka shumë kohë që nuk ka qenë në Ulqin, ai gjithmonë ka qenë i kënaqur me shërbimet atje.

Zhinipotoku: Shërbimet gjithë kanë qenë në nivel

“Ja vlen të gjithë ta vizitojnë Ulqinin dhe vetëm mundësitë edhe pasi po shkojmë tjetërkund, nuk po kemi kohë, sepse me pas kohë, gjithë kisha vizituar Ulqinin. Ja vlen me vizituar gjithë, në çdo kohë. Shërbimet gjithë kanë qenë në nivel, mos të isha i kënaqur nuk kisha shkuar, kemi shkuar rregullisht”, tha ai.

Kurse, Ruzhdi Hajdari një tjetër qytetar që kishte vizituar sivjet Ulqinin, tha se mikpritja dhe çdo gjë tjetër ishte në nivel, mirëpo ajo ndaj të cilës duhet të jemi më të kujdesshëm është pastërtia ndaj një vendi aq të bukur.

Hajdari: Duhet me qenë të kulturuar që të mos gjuajnë sende nëpër tokë

“Njerëzit duhet me mbajt pak pastërtinë, duhet me qenë të kulturuar që të mos gjuajnë sende nëpër tokë dhe ajo është më e mira për njeriun, për shëndetin e njeriut, është pastërtia”, u shpreh Hajdari.

Sipas qytetarit Ragip Gashi, Ulqini është vend shërues. Ai tha se në Ulqin të ndihmon shumë rëra e plazheve, uji, por gjithashtu rol të madh luan edhe bujaria e mikpritja e qytetarëve.

Gashi: Ulqini neve na shëron shpirtërisht por edhe fizikisht

“Kosova e mban gjallë Ulqinin, e Ulqini neve na shëron shpirtërisht por edhe fizikisht, sëmundjet e ndryshme. Të veçantë e ka ujin, zallin, mikpritjen, bujarinë, traditat tona, të gjitha i ka të veçanta. Edhe ia vlen, i kisha thënë të gjithë kosovarëve, jo të shkojnë të gjithë në Ulqin sepse pastaj mbyllet Velipoja e Durrësi, por me shku edhe në Ulqin, mos ta harrojmë ne të vjetrit”, tha ai për KosovaPress.

Gashi gjithashtu shtoi se është e vërtetë se çmimet i ngritin gjatë kohës së verës, mirëpo sipas tij, kjo është e pranueshme pasi që është sezonë, dhe se kjo ndodhë edhe në vende jo bregdetare, e për Ulqin është mëse normale dhe e pranueshme.

Ulqini përveç bukurive dhe plazheve të bukura që të ofron gjithmonë është përmendur edhe për vetit shëruese që i ka rëra. Ndërsa, Pylli i Pishave, është vend ku ajri është shumë i pastër dhe ndihmon personat që luftojnë astmën.

Valentina Bytyqi tha se viziton Ulqinin shumë shpesh dhe se përderisa është vend shqiptar ia vlen të vizitohet. Ajo gjithashtu shtoi se asaj personalisht i ka ndihmuar shumë uji i Ulqinit me problemet me lëkurën, dhe se edhe ajo beson se natyra e bukur dhe ajri i pastër i Ulqinit kanë veti shëruese.

Turizmi në Ulqin u rritë shumë në shekullin 20, dy dekada pas përfundimit të luftës, dhe pavarësisht që gjatë historisë së tij ka pas mjaft ngritje dhe ulje, Ulqini ende vazhdon të mbetet  pikë turistike për shumë shqiptarë dhe të huaj.

Ndërtimi i një sërë hotelesh moderne në qytet dhe Plazh të Madh, solli zhvillim fantastik. Ulqini në fund të viteve tetëdhjetë kishte rreth 40 për qind të qarkullimit turistik në Mal të Zi, ndërsa përveç vendeve të rajonit dhe shqiptarëve kishe edhe shumë turiste të huaj, kryesisht gjermanë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat