Parqet arkeologjike shqiptare, mahnisin të huajt

Turizëm

Parqet arkeologjike shqiptare, mahnisin të huajt

Më: 31 tetor 2017 Në ora: 16:52
Ilustrim

Shqipëria njihet për numrin e madh të parqeve arkeologjike, të cilat po tërheqin gjithnjë e më shumë interesin e vizitorëve vendas edhe të huaj. Disa prej parqeve arkeologjike, pjesë e rëndësishme e turizmit tonë kulturor e historik, u paraqitën nga Agjencia Kombëtare e Turizmit në panairin “Mesdhetar të Turizmit Arkeologjik”, i cili u zhvillua këto ditë në parkun arkeologjik të Paestumit, në Itali.

Eksperti i njohur në fushën e turizmit, Sokol Kongoli thekson se ky panair është një mundësi mjaft e mirë për Shqipërinë, pasi ai shihet si një aktivitet unik për promovimin e turizmit arkeologjik si pjesë e rëndësishme e produktit kulturor, që vendi ynë  ofron, por dhe teknologjisë së re të këtij sektori siç është ArchaeoVirtual.

Vizitorëve të shumtë, sipas Kongolit, iu ofrohet përjetimi i një eksperience të veçantë virtuale e siteve të ndryshme arkeologjike të Shqipërisë në 360 gradë.

Panairi ekspozues konsiderohet gjithashtu një vend takimi për biznese profesionale, operatorë turistikë dhe vizitorë individualë. Përmes tij, vizitorët morën një informacion të detajuar për parqet tona arkeologjike nga veriu në jug, për vlerat dhe trashëgiminë që ato përcjellim për vizitorin duke përfshirë kulturat ilire, greke, romake, bizantine, post – bizantine, veneciane dhe osmane.

Një promovim të veçantë patën sitet arkelogjike turistike të parqeve arkeologjike të Butrintit, Apollonisë, Durrësit, Finiqit, Bylisit, Amantias, Orikumit, por edhe të rrugës së lashtë antike “Via Egnatia”, ku ndër të tjerë kanë kaluar edhe një sërë figurash romake etj.

“Lidhjet por edhe betejat gjatë periudhave antike janë elemente të rëndësishëm për promovimin e këtij lloji turizmi. Këtu do të përmendnin fakte të tilla si betejën e fundit midis Julius Cesarit dhe Pompeit në vitin 48 Para Krishtit pranë Shkëmbit të Kavajës, tre luftat iliro – romake, origjinën Homerike të krijimit të qytetit antik të Bylisit, amfiteatrin roman të Durrësit të shekullit të II  Pas Krishtit i cili për nga madhësia me 20 mijë vende është i dyti në gjithë gadishullin Ballkanik, apo mbytjen e flotës së Pompeit nga Julius Çesari në gjirin e Vlorës pranë Orikumit”, tregon Kongoli.

Stenda shqiptare vizitohet nga Ministri i Kulturës së Republikës së Serbisë, Vladan Vukosavljeviç

Stenda shqiptare thotë, Kongoli, u vizitua me interes nga një numër i konsiderueshëm vizitorësh duke përfshirë studentë, media, blogera turizmi dhe agjenci turistike kryesisht nga vendi organizator, por edhe nga Sllovenia, Anglia etj .

“Stenda u vizitua edhe nga sekretaria e parë e Ambasadës tonë në Romë, Ledia Mirakaj, Ministri i Kulturës së Republikës së Serbisë, Vladan Vukosavljeviç si edhe prof. Stephane Verger, shef i misionit arkeologjik francez në Apolloni”, shprehet Kongoli.

Grupet “Legio I Italica” dhe “Simmachia Ellenon”“, në ambientet e panairit realizonin performanca me veshje romake dhe iliro – greke. “U bisedua që të shikohej mundësia e bashkëpunit, që në të ardhmen një përformancë e tillë edhe me veshje ilire të kryhet edhe në ndonjë prej parqeve tona arkeologjike”, u shpreh Kongoli.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat