Resurset natyrore të Deçanit, mundësi për zhvillim të turizmit qëndrueshëm

Turizëm

Resurset natyrore të Deçanit, mundësi për zhvillim të turizmit qëndrueshëm

Nga: Msc. Adem Lushaj Më: 26 janar 2018 Në ora: 23:33
Msc. Adem Lushaj

Zhvillimi ekonomik i një vendi është i varur edhe nga resurset natyrore që posedon ai vend, qofshin nëntokësore apo mbitokësore. Në këtë aspekt hynë edhe zhvillimi i turizmit, si një nga sektorët e rëndësishëm dhe me rritjen më të shpejtë ekonomike. Pra, turizmi është një proces në vazhdim, i cili me zgjerimin e vet zhvillimor, gjatë viteve të fundit është shndërruar në industri globale.

Turizmi i qëndrueshëm përfshin përgjegjësinë sociale, një përshkrim të fortë ndaj natyrës dhe integrimin e njerëzve lokalë në çdo operacion apo zhvillim turistik. Zhvillimi i qëndrueshëm, gjatë zhvillimit të vet, integron tre faktorë të qëndrueshmërisë: problemet ekonomike, sociale dhe mjedisore. Këto tri çështje mjaft të rëndësishme të shoqërisë së sotme, të cilat i integron zhvillimi i qëndrueshëm, mund të përshkruhen si tre rrathë të vendosur në një diagram. Turizmi mund të ketë ndikime ekonomike, sociale, kulturore dhe mjedisore në komunitetet lokale dhe rajonale. Ai stimulon dhe diversifikon ekonominë, kur ajo mbështetet në një bazë relativisht të kufizuar dhe mundëson përmirësimin e infrastrukturës. Sipas, Programit të Bashkësisë Ndërkombëtare për Mjedis (United Nations Environment Programme) dhe Organizatës Botërore për Turizëm (The World Tourism Organization-UNWTO) , investimet në turizmin e gjelbër dhe të qëndrueshëm, janë mjet për të krijuar vende pune dhe për të zvogëluar varfërinë, duke përmirësuar njëkohësisht rezultatet mjedisore.

Kosova ka mundësi të mira për zhvillim të turizmit, sepse disponon me atraksionet natyrore të begatshme, me lokacione gjeografike të volitshme. Disa prej përparësive të saj turistike të veçanta janë: veçoritë e dallueshme morfologjike, hidro-grafike, klimatike dhe elemente të tjera atraktive, të cilat e bëjnë Kosovën ndër hapësirat turistike më tërheqëse në rajon. Pra, ndër faktorët e rëndësishëm për zhvillimin e turizmit janë edhe faktorët natyror, e ku Deçani është njëra nga komunat që posedon resurse të shumta natyrore, e që janë të favorshme për zhvillimin e turizmit, sidomos resurset që janë në masivin e Bjeshkëve të Nemuna. Zhvillimi i turizmit në këtë komunë, mund të ketë ndikime ekonomike, sociale, kulturore dhe mjedisore në komunitetet lokale dhe rajonale.

Image

Menaxhimi i resurseve natyrore nënkupton mënyrën e shfrytëzimit të qëndrueshëm dhe të kontrolluar të resurseve natyrore me përfitime të dyanshme, për mjedisin dhe njerëzimin duke marrë në konsideratë kërkesat e natyrës për balancë ekologjik, si dhe kërkesat e shoqërisë njerëzore për balancë social dhe psikologjik. Ne jetojmë në një sistem të mbyllur ku toka, ajri dhe uji, vazhdimisht janë nën ndikimin e aktivitetit të njeriut, që ka rezultuar që një pjesë e madhe e këtyre resurseve të bëhen të papërdorshëm.

Sipas klasifikimit të cilin e ka dhënë Castillon (1992), resurset natyrore ndahen në: resurse të pashtershme, të ripërtritëshme, të paripërtritëshme dhe  potenciale.

Resurset e pashtershme. Paraqesin ato resurse të cilat qarkullojë vazhdimisht në natyrë dhe janë të pashterueshme, siç është  energjia solare, energjia e brendshme e tokës, energjia atomike, etj.. Energjia e diellit mundëson lëvizjen e ajrit dhe masave ujore të oqeaneve duke dhënë një lloj tjetër të energjisë atë të erës, graviteti siguron energjinë e ujit, ndërsa nxehtësia e brendshme e tokës siguron energjinë gjeotermale.

Resurset e ripërtritëshme. Në kuadër të resurseve të ripërtritëshme hynë të gjitha ato resurse të cilat kanë aftësi të regjenerimit në një periudhë të shkurtër kohore. Në resurset e ripërtritëshme përfshihen resurset të cilat janë të domosdoshme për ekzistimin dhe zhvillimin e botës së gjallë në planetin tonë, kuptohet edhe të vet njeriut, siç janë: toka, uji, ajri, bota bimore e shtazore. Këto resurse jo vetëm që janë të ripërtritëshme, por ato janë edhe të përshtatshme për përdorim dhe për menaxhim. Përdorimi dhe shfrytëzimi i këtyre resurseve duhet të bëhet brenda kapaciteteve rigjeneruese natyrore në mënyrë që të kemi një shfrytëzime të qëndrueshëm të këtyre pasurive. Nëse këto resurse shfrytëzohen në atë masë e cila tejkalon shpejtësinë e ripërtrirjes së tyre, atëherë rezervat e këtyre resurseve mund të zhduken. Disa prej këtyre resurseve të rigjenerueshme p.sh. biodiversitetet janë të ndikuara drejtpërdrejt nga njeriu.

Resurset jo të ripërtritëshme. Në kuadër të resurseve jo të ripërtritëshme hyjnë të gjitha resurset të cilave iu u nevojitet një kohë shumë e gjatë për regjenerim. Resurset të tilla janë thëngjilli, vajrat, gazi dhe shumë resurse minerale të cilat nuk ripërtërihen në kohë biologjike por në kohë gjeologjike.

Image

Resurset potenciale. Resurset potenciale ose të riciklueshme përfshijnë të gjitha resurset të cilat mundë të ripërpunohen. Në këtë grup të resurseve bëjnë pjesë mineralet e metaleve, siç janë: alumini, hekuri, bakri, argjendi, ari dhe materialet tjera të riciklueshme. Komuna e Deçanit, falë natyrës që ka, disponon me resurse të shumta natyrore, qofshin mbitokësore apo nëntokësore, e të cilat janë mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin gjitha llojeve të turizmit.

Marrëdhëniet mjedis-turizëm kanë zënë një vend të rëndësishëm në studimet e viteve të fundit. Gjatë viteve ’60, turizmi masiv u shoqërua me rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për çështjet mjedisore, e personifikuar kjo nga studimet e ndikimeve njerëzore mbi mjedisin. Nga viti 1973, debati mjedis-turizëm, fitoi një rritje të vëmendjes, ku shtetet u takuan në Kopenhagën, në një konferencë të quajtur “Turizmi dhe Konservimi“, ku nga analiza e faktorëve pozitiv dhe negativ për marrëdhënien e ndërvarur turizëm - mjedis doli se: 

- Mjedisi është baza e domosdoshme dhe tërheqja më e madhe për turizmin, ku pa një mjedis tërheqës, nuk do të kishte turizëm të mirëfilltë.

- Interesat e turizmit kërkojnë mbrojtjen e pasurive historike.

- Turizmi asiston direkt në konservimin aktiv dhe nxit njerëzit të kontribuojnë kundrejt konservimit.

- Turizmi paraqet një kërcënim të madh për mjedisin.

Nga studimet e ndryshme që janë bërë në kohë të ndryshme është arritur në konkluzionin se, “bashkëjetesa mjedis-turizëm, nuk është e pajtueshme dhe se turizmi është shkaku i konfliktit, por ka rrethana ku të dy elementët mund të bashkëjetojnë për dobishmëri të njëri–tjetrit”. Për të mbrojtur dhe ruajtur cilësinë mjedisore të rajoneve, SHBA, sponsorizoi një plan Mesdhetar dhe një Program Detar Rajonal, të cilat krijuan një numër strategjish zhvillimi si më poshtë:

- Përdorimi i tokës për një rang përdorimesh, duke filluar nga mbrojtja e mjedisit deri tek zhvillimi i turizmit.

- Duke nxitur shpërndarjen e turistëve dhe duke zhvilluar zonat e brendshme siç duan turistët.

- Inkurajimi i vendasve për forma të tjera akomodimi.

- Pushime të bujshme, në mënyrë që të zgjasin sezonin turistik dhe të ulin përqendrimin e numrit të turistëve.

- Duke themeluar ligje për mbrojtjen e mjedisit dhe për zhvillimin e turizmit.

- Duke themeluar një “ kod sjellje “ turizmi, i aplikueshëm si për turistët dhe për industrinë e turizmit.

Image

Nga studimet e shumta që janë bërë për turizmin, Ekoturizmi është shfaqur si një fushë studimi, që tregon lidhjen e turizmit me format ekologjike të turizmit në formën më të pastër. Ekoturizëm do të thotë: “turizëm natyror, turizëm aventurier, turizëm i përshtatshëm, turizëm i përgjegjshëm dhe shumë forma të tjera të jashtme, turizëm jo masiv, me fjalë të tjera është një term përfshirës-pothuajse një çadër që shërben për një varg të gjatë termash mjedisore lidhur me turizmin. Ekoturizmi është një formë e inspiruar e turizmit, së pari nga historia natyrore e një vendi përfshirë kulturën indogjene. Ekoturisti viziton zona të pazhvilluara për të vlerësuar, për të ndjerë dhe të jetë pjesë e saj, praktikon jetën e egër në atë zonë, pasuritë natyrore dhe kontribuon në zonën që viziton, me mjete financiare ose punë vullnetare për mirëqenien e zonës dhe të vendasve.

 Ekoturizmi i vet personit përfshin individë ose grupe të vogla me 10 persona ose më pak, të cilët përdorin forma transporti jo të motorizuara (p.sh. ecjen ose kanotazhin) për të vizituar natyrën. Vizitorët s’kanë kërkesa për shërbime dhe infrastrukturë.

Ekoturizmi në grupe të vogla përfshin individë ose grupe të vogla me 15 veta që përdorin mjete të motorizuara transporti, për të vizituar zona me interes të veçantë që janë zakonisht të pashkelura.

Ekoturizmi popullor përfshin transportin e një numri të madh vizitorësh rreth një vendi të njohur dhe pikave turistike të njohura, kërkon mjete transporti me kapacitet të lartë, infrastrukturë dhe aftësi fizike.

Ekoturizmi është një nga segmentet me rritje të shpejtë në industrinë globale të turizmit dhe disa e komentojnë me daljen jashtë kontrollit. Është i njohur nga qeveritë dhe organizatat sepse krijon të ardhura ekonomike. Punësimi turistik shpesh karakterizohet si një profesion i ulët, i paguar pak dhe i mungon një qëndrueshmëri afat-gjatë. Motivimi për udhëtime turistike dhe urbanistike është kompleks dhe i lëkundshëm dhe ndryshon vazhdimisht në tregun konkurrues. Matja e ndikimit të turizmit në ekonomi është shumë më e komplikuar se sa thjesht të llogaritësh nivelin e ndikimit që vjen nga shpenzimet turistike dhe kjo fal zhvillimit turistik. Për të llogaritur shpenzimet që bëjnë turistët i ndajmë ato në dy grupe: Shpenzime të drejtpërdrejta nga turistët në mallra dhe në shërbime të konsumuara ( p.sh. në hotele, restorante dhe shërbime për transportin turistik) dhe Shpenzime jo të drejtpërdrejta nga turistët.

Atëherë, këto shpenzime përdoren nga ndërmarrja për të paguar shërbimet, taksat dhe punonjësit, të cilat më pas ri-qarkullojnë në ekonominë lokale. Me fjalë të tjera, shpenzimet e turistëve stimulojnë një proces ekonomik e cila kalon përmes një seri stadesh. Forma specifike të analizave ekonomike, të tilla si imput-outputet mund të përdoren për të identifikuar tipet e transaksioneve, të cilat ndodhin ndërmjet bizneseve turistike, për të llogaritur se si shpenzimet, jo të drejtpërdrejta, influencojnë ekonominë turistike. Ekoturizmi është parë si një burim të ardhurash në sektorin publik për të rregulluar konservimin dhe në disa raste për të ç’vendosur shmangien e aktiviteteve ekonomike si p.sh. pyllëzimin. Krijimi i aktiviteteve të ndryshme në rajon reflekton vlerat e ekoturizmit. Duke arritur në përfundim mund të themi se, Ekoturizmi shpesh kërkon natyrën më të paprekur nga dora e njeriut dhe zonat më të padepërtueshme të tokës. Për qëndrueshmërinë afatgjatë të ekoturizmit është e rëndësishme që vizitorët të respektojnë natyrën dhe mikpritjen e popullsisë së rajonit, përndryshe, degradimi i burimeve do të çojë në një aktivitet ekonomik afatshkurtër.

Turizmi malor në Deçan, vlerësohet si një nga resurset turistike më të mëdha të vendit dhe tërheq çdo vit turistë vendas dhe të huaj. Po bëhen përpjekjet e para në përmirësimin e infrastrukturës, dhe sigurisë në këtë sektor. Kjo sjell shtimin e të ardhurave për banorët e këtyre zonave, operatorëve të ndryshëm turistik, dhe e gjithë kjo ka ndikuar në rritjen e ekonomisë së vendit. Natyra e Deçanit është me një larmishmëri pejsazhesh malore që fillojnë që nga lartësi të vogla dhe deri në lartësi të mëdha. Por, këto zona përveç bukurive natyrore mbartin edhe një histori të lashtë, traditë dhe vlera të trashëguara me fanatizëm. Këto element e bëjnë turizmin malor më atraktiv, me mundësi të jashtëzakonshme turistike.

Image

Turizmi malor në Deçan, fillon me Lumin Lumëbardhi, që përshkon Grykën e Deçanit, që nga burimi i tij. Veprimet turistike në Deçan, mund të fillojnë me turizmin e bardhë, (gjatë stinës së ftohtë) dhe pasohet më turizmin e gjelbër që zhvillohet gjatë stinës së ngrohtë. Resurset natyrore të kësaj komune, ofrojnë mundësi për zhvillimin e turizmit masiv, por edhe atyre alternativ. Pos këtyre resurseve, vende jashtëzakonisht të favorshme turistike, janë edhe vendet arkeologjike, të cilat janë përdorur si vendbanime në parahistori, siç është fshati Belle dhe shpella e madhe. Shumëllojshmëria e aktiviteteve bëjnë që ky lloj turizmi të ofrojë për turistët një produkt turistik mjaft të lakmuar. Por, shfrytëzimi dhe mirë organizimi i këtyre destinacioneve mbetet ende shumë larg niveleve optimale. Për të arritur një nivel më të lartë zhvillimi nevojiten pikë së pari, shtimi i numrit të investitorëve, si dhe një infrastrukturë më e mirë. Gjithashtu, me rëndësi është edhe hartimi dhe zbatimi i politikave orientuese për zhvillimin e kësaj dege mjaft të lakmuar të ekonomisë, e cila do të sillte mjaft të ardhura dhe zhvillim ekonomik. Për tu arritur e gjitha këto, është e domosdoshme një bashkëpunim i fortë midis banorëve të këtyre zonave, si dhe qeverisjes qendrore e lokale. Faktorët të cilët ndikojnë në tërheqjen turistike, përkatësisht turizmit malor në Deçan janë: Burimet natyrore, Burimet sociale, Burimet kulturore, Vlerat arkeologjike, etj.

Deçani konsiderohet si njëra ndër komunat me resurset më të bollshme për zhvillimin e turizmit masiv dhe alternativ, ndaj ekspertët e kësaj fushe, sidomos e atyre që veprojnë brenda institucioneve shtetërore, duhet të gjejnë mundësi për tërheqje të investimeve, edhe nga jashtë. Resurset deçanase mundësojnë zhvillimin e turizmit edhe gjatë sezonës dimërore, ashtu edhe verore. Kushtet klimatike, Relieve, Flora dhe Fauna, Hidrografia, Gryka e Deçanit, Pyjet, janë vetëm disa nga karakteristikat e kësaj komune që mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm të të gjitha llojeve të turizmit.

Në vazhdim do mundohemi të prezantojmë disa nga resurset që krijojnë mundësi për zhvillim të turizmit, qoftë masiv apo alternativ, edhe pse disa sosh janë të mbrojtur sipas Ligjit “Bjeshkët e Nemuna, Park Kombëtar”.

Resurset që mundësojnë zhvillimin e turizmit masiv në Deçan

Deçani konsiderohet si njëra ndër komunat me resurset më të bollshme për zhvillimin e turizmit masiv dhe alternativ, ndaj ekspertët e kësaj fushe, sidomos e atyre që veprojnë brenda institucioneve shtetërore, do gjejnë mundësi për tërheqje të investimeve, edhe nga jashtë. Resurset deçanase mundësojnë zhvillimin e turizmit edhe gjatë sezonës dimërore, ashtu edhe verore. Kushtet klimatike, Relieve, Flora dhe Fauna, Hidrografia, Gryka e Deçanit, Pyjet, janë vetëm disa nga karakteristikat e kësaj komune që mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm të të gjitha llojeve të turizmit.

Në vazhdim do mundohemi të prezantojmë disa nga resurset që krijojnë mundësi për zhvillim të turizmit, qoftë masiv apo alternativ, edhe pse disa sosh janë të mbrojtur sipas Ligjit “Bjeshkët e Nemuna, Park Kombëtar”.

Bjeshkët e Belegut

Turizmi dimëror zë një vend te rëndësishëm, duke pasur parasysh terrenet shumta dhe të përshtatshme hapësinore, natyrore e klimatike, për zhvillimin e skitarisë, veçanërisht në Bjeshkën e Belegut dhe Bjeshkën e Kurvallës. Sipas një studimi të bërë nga ekspert Kroat, (në vitin 1985), terrenet në Bjeshkën e Belegut dhe Bjeshkën e Kurvallës, kanë një hapësirë të favorshme për zhvillimin e turizmit masiv. Realizimi i projektit për Bjeshkën e Belegut si zonë turistike-rekreative sportive, do prezantonte vlerat ekologjike-shkencore, edukative-arsimore, sportive, shëndetësore–turistike, me interes të gjerë shoqëror, jo vetëm për komunën e Deçanit, por edhe për regjionin. Bjeshka e Belegut ka një potencial te madh për staza të skijimit, sepse ka hapësira të shumta për ngritjen e stazave të shkurtra, të mesme dhe të gjata, të skijimit. Instituti për Hulumtime të Turizmit në Zagreb, ka punuar një plan detal për mundësitë e investimeve në stazat e skijimit në Bjeshkën e Belegut,  që në vitet e 80-ta, kur është planifikuar edhe realizimi i këtij projekti, rreth 53 milion dollarësh. Mirëpo, për shkaqe te politikës se atëhershme, këto mjete janë stopuar, ngase ishte droja e integrimit fizik të shqiptareve të Kosovës, Shqipërisë dhe  Malit te Zi. Kështu që investimet e destinuara për këtë projekt, janë transferuar  në Sarajeve dhe me këto mjete është ndërtuar Olimpiada e Sarajevës. Bazuar në atë se, Kosova ka vetëm dy qendra të skijimit dhe të rekreacionit vendor, Brezovicës dhe Bogiqes, Bjeshkët e Deçanit do ishin më të frytshme për zhvillimin e skijimit dhe sporteve tjera dimërore. Investimet në Bjeshkën e Belegut do jenë fitimprurës për ekonomin e Deçanit, por edhe të Kosovës në përgjithësi. Sipas disa të dhënave statistikore, të marra në Drejtorinë komunale për Ekonomi dhe Zhvillim, por edhe të prezantuara nga dr. Rifat Blaku, tregojnë se shtigjet skijimit në Deçan, janë dukshëm më të gjata, se sa ato të Brezovicës dhe të Bogiqes. Kjo ishte dëshmuar edhe në vitin 2004, kur në Bjeshkët e Belegut, ishte mbajtur edhe “Kupa i Kosovës” në skijim.

Dervishkomi

Pozita gjeografike i kësaj hapësire, jep mundësi për zhvillim të turizmit masiv dhe alternativ. Dervishkomi është rrafshnaltë e cila gjendët në një lartësi mbidetare 2110 m, e që kufizohet me Plaçicen e Vokshit, Gjeravicën me liqenjë, Luginën e Kurvallës, si dhe me Bjeshkën e Carrabregut dhe Deçanit. Kjo hapësirë me një sipërfaqe afër 120 hektarësh, ka qasje të mirë nga tri drejtime:

Deçan-Gryka e Lloçanit-Laki i Kryqes-Cepi i Kurvallës-Kurvallës-Dervishkom,  me gjatësi 17.57 km.
Deçan-Gryka e Deçanit-Gryka e Përroit shqiptarë-Zalli i Rupës-Plaçica e Vokshit-Dervishkom: 21.30 km.
Junik-Gryka e Erenikut-Gropa e Erenikut-Lugi i Gatë-Qurshizë-Kurvallë- Dervishkom: 25.37 km.

Edhe pse dita ditës është duke u rritur popullariteti dhe numri i dashamirëve të skijimit, fatkeqësisht në komunën e Deçanit dhe Junikut, mungojnë kushtet infrastrukturore për zhvillimin e këtij sporti. Mirëpo, sikur të ishin investimet në këtë drejtim, do të na e kishin lakmi edhe shtetet që janë prijatare të këtij sporti dimëror, ngase na mundësojnë Bjeshkët e Nemuna. Kushti themelor për realizimin e aktiviteteve sportive dhe rekreacionit janë ekzistimi i objekteve, gjegjësisht, në këtë rast hapësirave  sportive. Sipas një studimi të viteve 70-ta  nga  ekspert ndërkombëtar nga fusha e turizmit dimëror dhe skijimit, Bjeshkët e Nemuna kanë kapacitete dhe kushte bazike për ndërtimin e katër qendrave  sportive dimërore e  ndër to, edhe qendra e skijimit në Dervishkom, e cila sipas këtij studimi, ka konfiguracion shumë të mirë për sporte dimërore, si dhe borë të mjaftueshme e kualitative për zhvillimin e skijimit alpik dhe nordik, si për profesionist, ashtu edhe amatorë. Konfiguracioni i këtij terreni, jep mundësi edhe familjeve, sidomos fëmijëve që të lëshohen shtigjeve të Dervishkomit, duke  e bërë skijimin sport masiv, tërheqës dhe atraktiv për të gjitha moshat dhe kategoritë sociale. Kjo Qendër do te krijoj kushte të favorshme, ashtu që numri i turistëve të rritet, si në periudhën e dimrit, ashtu edhe të verës. Ndërtimin i një Qendre të tillë sportive, mund të shfrytëzohet edhe gjatë stinës verës për qëndrim dhe akomodim të vizitorëve bjeshkatar.

Kozhnjeri

Në Grykën së Deçanit, lokalitet i veçantë zhvillimor, mund të jenë hapësirat e ish kazermës jugosllave në Kozhnjer, lokalitet ky që gjendet rreth 200m në pjesën perëndimore të hidrocentralit “Lumëbardhi”. Në këtë lokalitet mund të ndërtohen objekte hoteliere me kapacitete të mëdha strehimi, apo edhe vend nga mund të instalohen ski liftet, për në gjitha drejtim tek të gjitha bjeshkët e kësaj komune. Po ashtu, përgjatë Grykës së Deçanit, me gjatësi (18km) dhe gjerësi prej 300 metra, mund të shfrytëzohet edhe për turizmin alternativ, sidomos për shëtitore, ngase vazhdon edhe përgjatë rrjedhës së Përroit Shqiptar, e deri në Zall te Rupës.

Jodova

Bjeshkët Vokshit të përfshira në kompleksin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”  gjendën në hapësirën në mes të Lumit të Lloçanit në veri, gjegjësisht në krahun  djathtë të lumit dhe Lumit të Ereniku në Jug, gjegjësisht në krahun e majtë të tij. Si vendet më tërheqëse për të zhvilluar turizmin, janë Jodova dhe Zharret, të cilat kanë kapacitete për turizëm masiv dhe alternativ. Jodova gjendet në pjesën qendrore të Bjeshkëve të Vokshit dhe ka një sipërfaqe ndërtimore prej 3.2 ha, që krijon mundësi të mira për zhvillim e turizmit masiv, duke pasur mundësi për ndërtime hoteliere-turistike, për akomodimin dhe ushqimin e vizitorëve (turistëve). Ky lokacion gjendet në mes të pyjeve halore të bredhit dhe hormoqit, ndërsa qasja mund të bëhet nga Juniku, përgjatë Grykës së Erenikut dhe nga Deçani, përgjatë Grykës së Lloçanit. Nga Jodova mund të vizitohen shumë monumente atraktive natyrore si: Kanioni i Erenikut (perlë hidrike), Kërshi i Jodovës dhe kompleksi i Gjeravicës me liqenjë.

Zharret

Zharret përfshijnë hapësirën në mes lumit të Lloçanit dhe Erenikut, (në shtrirje horizontale), kurse ne shtrirje vertikale fillojnë nga izohipsa 700, e deri  në izohipsën  1550. Territori i Zharreve, rreth 95 përqind është i mbuluar me pyje gjetherënëse si: ahu, mlleza, shkoza, lajthia, mështekna, bungu, gështenja, paja, ..., por edhe pyll të përzier me drunj halor, bredhi dhe hormoqi. Meqenëse  zona është e mbuluar me  pyll te dendur  është habitat shume I përshtatshëm për rritjen e bimëve të ndryshme nga ato të ulëta: likene, alga, këpurdha..., e deri te ato të larta, drunore e barishtore.

Zharret paraqesin habitat të favorshëm për shume kafshë të egra, si ariu, ujku, derri i egër, kaprolli, e shume të tjera. Mendojmë që si Kopsht Botanik, do të ishte me interes të madh ruajtja e kësaj zone në përgjithësi, e në veçanti ruajtja e drunjve relikt të cilët janë te rrezikuar nga zhdukja si, Panja dhe Gështenja. Por, edhe ruajtja e kafshëve të egra të kësaj zone qe me te madhe është duke u zvogëluar numri i tyre deri ne rrezik zhdukje te shume specieve te tyre. Në Zharre, por edhe në Jodovë, do ishte me interes t veçantë ngritja e një Instituti Shkencor Hulumtues dhe Sanitar, që do të bënte hulumtime gjeopedologjike, hidrike, klimatike, speleologjike, florës e faunës  te Bjeshkëve të Nemuna, si dhe hulumtime sanitare për parandalimin dhe sanimin e sëmundjeve të ndryshme të cilat dukshëm janë duke e rrezikuar florën dhe faunën e kësaj zone, por edhe Bjeshkëve të Nemuna në përgjithësi.

Lugu i Gatë

Lugu i Gatë gjendët rrëzë shpatijeve të Gjeravicës dhe ka lartësi mbi detare prej 1870m, me një sipërfaqe prej 42.5 hektarësh. Ky lokacion gjendet në mes të një pylli halor me drunj pishe rrobulli dhe arneni, Poleni i këtyre pishave ka efekte shëruese të atyre që ankohen për sëmundje të mushkërive dhe atyre qe kanë vështirësi në frymëmarrje. Klima, ajri e uji  pastër e i freskët, qasja rrugore nga dy drejtime (Deçani dhe Juniku) në këtë lokalitet, janë kushte të favorshme që arsyetojnë ndërtimin e kësaj qendre rehabilituese-shëruese.  E arsyeja me fort dhe primare krijimi I kushteve, përkujdesi dhe ruajtja e shëndetit te  njeriut.

Pishat e Deçanit

Deçani ka kompleksin hotelier “Pishat e Deçanit”, i cili për nga kapaciteti dhe pozita që ka, është ndër objektet me renome botërore. Pushimorja “Pishat e Deçanit”, është e ndërtuar rrëzë “Bjeshkëve të Nemuna”, ka një ambient shumë të bukur malor, me lartësi mbidetare prej 670 m dhe ka një klimë të përshtatshme, duke ndikuar direkt në shëndetin e njeriut, sidomos të fëmijët, të cilët për një kohë të shkurtër qëndrime, do kenë përmirësime të dukshme. Kjo pushimore ka filluar të punojë, qysh me 1932, që kishte për qëllim mëkëmbjen e fëmijëve të sëmurë. Ky kompleks turistik me kapacitete prej 550-600 shtretër, ka pesë objekte banimi me të gjitha objektet tjera përcjellëse, (salla, kuzhina, terrenet sportive, ambulancën shëndetësore, amfiteatrin e hapur etj). Në hapësirën e pushimores së fëmijëve, në kapacitetet e saja, brenda një viti, mund të pushojnë, këndellen në aspektin psiko-fizik dhe afirmimin e përgjithshëm, rreth 14.000 fëmijë, me shërbime tradicionalisht të mira, me kuzhinë moderne, me të gjitha objektet përcjellëse për sport dhe rekreacion, me amfiteatër të hapur për aktivitete Këto objekte mund të përdoren edhe për manifestime të ndryshme, qofshin kulturore-sportive apo edhe manifestime tjera, pa marrë parasysh sezonin veror apo dimëror.

Por, hapësirat e këtij objekti turistike, që nga vitet e ’90-ta, nuk mund të shfrytëzohen nga qytetarët e këtushëm, si rrjedhojë e zhvillimeve politike. Fillimisht, këtu ishin instaluar masat e dhunshme të Qeverisë së Serbisë (1990-1999), e më pastaj edhe vendosur forcat paqeruajtëse të KFOR-it italian. Edhe pse, këto forca ushtarake janë të vendosura në Kampin “Bellopojë, këto hapësira turistike mbesin peng e politikës, të ndikuar nga Manastiri i Deçanit. Mos shfrytëzimi i “Pishat e Deçanit”, ishte temë e kundërshtimeve të shumta të institucioneve komunale dhe qytetarëve, ngase konsiderohet se kësaj komune po i shkaktohen humbje të mëdha, kur dihet për rëndësinë që kishte ky objekt për zhvillimin komunale.

Resurset që mundësojnë zhvillimin e turizmit alternativ në Deçan

Komuna e Deçanit posedon resurse të shumta natyrore për zhvillimin e turizmit alternativ në gjitha stinët e vitit. Një mundësi të tillë e mundëson masivi i Bjeshkëve të Nemuna, që i përkasin Komunës së Deçanit. Po ashtu, faktor me rëndësi për zhvillim të të gjitha llojeve të turizmit, paraqesin edhe Kushtet klimatike që mbizotërojnë në Deçan, por edhe në gjithë Rrafshin e Dukagjinit. Tëbanat të cilat janë të banueshme, pothuajse gjatë gjithës stinës së verës, krijojnë mundësi të mira për Ekoturizëm, ngase turistët mund të kenë si ofertë turistike edhe ushqimet tradicionale të njohura në Rrafshin e Dukagjinit.

Bjeshkët në Regjionin e Vokshit si: Jodovë, Kurorë, Lugi i Gatë, Qurshizë, Kurvall, Stanishta e Zogut dhe Pllaqic, Qafë të Kunorëve, janë resurse natyrore që mundësojnë lloje të shumta të turizmit alternativë. Kushte shumë të volitshme për turistët ofrojnë edhe Resurset që janë në Bjeshkët e Carrabregut dhe Deçanit, Bjeshka e Baballoqit, Rupa e Dobroshit, Kurvalla, e mbi të gjitha, Maja e Gjeravicës dhe Liqenjtë që janë në afërsi të kësaj Bjeshke. Këta liqenjë, që në gjuhen e popullit quhen edhe “Sytë e maces”, janë glacialë dhe atraktivë për turistët, e aq më shumë, kur kemi të bëjmë me pushtimin e njërës ndër majat më të larta në Kosovë, majën e Gjeravicës (2656 m).

Edhe Bjeshkët e Isniqit, si: Belleja, Pleqja, Roshkodoli, Milishevci dhe Zlanopoja, njihen për natyrën e bukur, ujin e shumtë, por edhe për pozitën gjeografike, ndaj edhe janë tërheqëse për turistët, si gjatë sezonës verore, ashtu edhe sezoneve tjera. Stanishtët në këto bjeshkë, janë të banueshme që nga Vera e hershme, deri në Vjeshtën e vonshme, ku edhe pas kësaj kohe, dyert e staneve janë të hapura për strehim të vizitorëve. Kalimtarët nëpër këto bjeshkë janë të shumtë, ngase janë si urë-lidhës mes tri shteteve (Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi), pra është tre kufiri. Karakteristikë e këtyre bjeshkëve janë edhe bimët e shumta që kanë karakter shërues, siç janë pelini dhe lincurri, por dominon boronica që shfrytëzohet më të madhe nga banorët e kësaj treve.

Pra, bazuar në resurset ekzistuese ekonomikë dhe faktorët e favorshëm klimatik, komuna e Deçanit ka gjitha mundësit për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit malor. Këto resurse janë kryesisht të përqendruara në masivin e Bjeshkëve të Nemuna, ku pjesa më e madhe është nën administrim të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Mirëpo, për të pasur një zhvillim të këtij sektori ekonomik, nevojitet një angazhim dhe përcaktim politik dhe profesional të institucioneve të vendit, qofshin nga ato komunale apo qendrore. Hartimi i një strategjie afatgjate dhe shfrytëzimi racional i resurseve ekonomike, do krijoheshin gjitha mundësitë për shfrytëzim maksimal të kushteve të favorshme klimatike, e që do rrisnin zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë së Deçanit, por edhe të zhvillimit të Kosovës. Në përgjithësi mund të konstatohet se kompleksi malor “Bjeshkët e Nemuna”, ka kushte të volitshme të klimës malore, e që do ishte faktor i çmueshëm i zhvillimit të turizmit malor, që do thotë zhvillim të ekonomisë deçanase.

Me qëllim të shfrytëzimit të këtyre resurseve për zhvillim të qëndrueshëm, Komuna e Deçanit, Qeveria e Kosovës dhe Agjencitë e ndryshme investuese, duhet që programet e tyre për investime, të orientohen kah këto resurse, e sidomos për ndërtimin sa më të shpejt të rrugës që lidh Komunën e Plavës më të Deçanit, ngase kjo rrugë konsiderohet si bosht i zhvillimit dhe integrimit ndërshtetëror dhe lidhje të trojeve shqiptare.

Politika zhvillimore e Deçanit, por edhe të institucioneve të vendit, duhet orientuar në ngritje të infrastrukturës dhe kapaciteteve turistike në Bjeshkët e Belegut, e sidomos për zhvillim të turizmit dimëror, por edhe në Dervishkom, Kozhnjer, Lugu i gatë, Jodovë, vende këto që mundësojnë turizmin veror dhe dimëror, qoftë të turizmit masiv apo alternativ. Politikat zhvillimore të cilës do subjekt politik që pretendon për qeverisje komunale, duhet fokusuar në realizim të projekteve në Grykë të Deçanit, pasi që kushtet klimatike mundësojnë zhvillim të të gjitha llojeve të turizmit. Por, me gjendjen mjedisore me të cilën përballën turistët, që nga hyrja në territorin e Deçanit, nuk do mund të zhvillojmë asnjërin nga llojet e turizmit, ngase moto e çdo turisti është që të investohet aty ku ruhet mjedisi dhe ndihmohet komuniteti pritës. Deçani, që të ketë zhvillim të turizmit dhe të jetë komunë tërheqëse për turistët, duhet të investon në menaxhimin efikas dhe trajtimin e duhur të mbeturinave, si dhe të investohet në infrastrukturën adekuate zhvillimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat