Përmeti fillon t’i jap jetë agroturizmit përmes traditës

Turizëm

Përmeti fillon t’i jap jetë agroturizmit përmes traditës

Nga: ATSH Më: 13 gusht 2018 Në ora: 07:30
Pamje nga Përmeti

Gatimet tradicionale janë gjithnjë të dashura dhe të shijshme për të gjithë ne.

Edhe pse gjithçka ne kohet e sotme po shkon drejt modernizmit, gatimet tradicionale dhe mënyra sesi ato realizohen, lënë mbresa jo vetëm të vizitorët vendas, që lëvizin nga një qytet në tjetrin për t’i provuar ato, por edhe te vizitorët e huaj, të cilët mahniten nga gatimet dhe shijen që ofrojnë gatimet tradicionale shqiptare.

Ku tjetër veçse në Përmet, mund të gjesh gatime tradicionale që me shijen e tyre të lënë pa fjalë.

“Gatimet e Gjysheve”, një aktivitet që organizon bashkia e Përmetit në bashkëpunim me  Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe organizatën “RISI Albania”, do të ekspozojnë për të pranishmit në 14 gusht në fshatin Kosinë, shijet e pakrahasueshme të gatimeve përmetare, të cilat do të përgatiten me plot dashuri nga dora e 8 gjysheve nga zona e Përmetit.

Fshati Kosinë nuk është përzgjedhur pa qëllim për këtë, pasi ky fshat është përfshirë ne projektin e “100 fshatrave” dhe përmes këtij aktiviteti synohet që ti jepet jetë agroturizmit në atë zonë.

Detajet rreth këtij aktiviteti i bëri të ditura kryetari i bashkisë Përmet, Niko Shupuli i cili theksoi se bashkia ka si synim zhvillimin e agroturizmit në atë zonë, duke bërë me dije se janë në fazën e negocimit me disa investitorë për të investuar në agroturizëm.

Image

“Do te jene rreth 8 gra të fshatit që do të bëjnë për të pranishmit gatime tradicionale. Ky është një ndër fshatrat që është përfshirë në programin e qeverisë për “100 fshatrat”, duke bërë dhe festën e fshatit, kemi si synim që këtë fshat ta bëjmë të njohur edhe për turistët. Ky është viti i parë që po zhvillohet kjo festë. Ky fshat është një nga më të mëdhenjtë në bashkinë e Përmetit dhe ka një kishë të periudhës Bizantine që është Monument Kulture i kategorisë së parë dhe në datën 15 ka edhe ajo ditën e saj. Menduam që gatimet tradicionale të këtij fshati ti promovojmë për vizitorët. Bashkia ka si synim zhvillimin e agroturizmit në këtë zonë dhe për këtë kemi filluar negociatat me biznesmen të ndryshëm për të investuar në fshatrat e Përmetit”, theksoi Shupuli.

Përsa i përket interesit rreth gatimeve dhe traditës nga vizitorët, bashkia ka organizuar një sërë festash në qendër të qytetit ku janë promovuar produktet tradicionale përmetare, por bashkia synon që ti zgjerojë këto aktivitete edhe në fshatrat përreth.

“Kemi bërë disa aktivitete për promovimin e traditës përmetare, dhe tani synojmë që ta zgjerojmë atë edhe në fshatrat përreth, në mënyrë që të ketë larmishmëri për vizitorët të cilët produktet mos ti gjejnë vetëm në qytet por edhe në fshat”, përfundoi Shupuli.

Festa “Gatimet e Gjysheve”  që do të zhvillohet në datën 14 gusht, do të shoqërohet me disa vizita, si: Vizita kryesore turistike sipas itinerareve të guidave të “Vjosa Explorer”, vizitë në ekspozitën e enëve të vjetra të kuzhinës, vizitë në ekspozitën fotografike të fshatit, duke përfunduar me vizitën në këndin e Gatimeve të Gjyshes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat