Shpellat, bukuritë e “fshehura” të Trieshit

Turizëm

Shpellat, bukuritë e “fshehura” të Trieshit

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 14:42
Shpella e Zezë në Mulle mes Trieshit e Kojës ( Foto” Labeatët”)

Trieshi, edhe pse ka hapësirë të vogël gjeografike, ofron mundësi për zhvillimin e turizmit malor. Kjo zonë shqiptare ka  objekte  të “fshehura”  turistike , që mund të shfrytëzohen nga vizitorët.  Por i gjithë potenciali dhe resurset e këtushme , si  për sezonin veror , po ashtu edhe për atë dimëror,  ende mbetet i pa eksploruar,  i pashfrytëzuar dhe injorohet nga autoritetet kompetente vendore e republikane. Objektet e këtushme të pashfrytëzuara natyrore, që për fat të keq njihen vetëm nga popullata vendase, e jo nga të huajt, sikur të valorizoheshin e të promovoheshin do të shërbenin  për  zhvillimin e turizmit, sidomos atë ditor. Janë vende që trieshjanët i njohin, mirëpo  për shkak të mosinteresimit ndaj këtyre  perlave  të natyrës, ka bërë   që të mos marrin vendin që u takon, edhe pse  janë një mundësi e madhe zhvillimi e të ardhurash për banorët e kësaj zonë. Monumentet e këtushme    natyrore   duken sikur “ të mbuluara nga hija” e maleve  të bukura përreth tyre.

Një bukuri e  veçantë natyrore janë  llojet e ndryshme të shpellave apo peqinave , kolateve  e bigave siç i quajnë vendasit, që janë zgavra  atraktive nëntokësore të gërmuara në shkëmb si pasojë e erozionit.  Po përmendim vetëm disa shpella , meqë  lista e   tyre  është shumë e madhe, dhe secila nga ato janë  po aq të rëndësishme e  të jashtëzakonshme. Ndër më të njohurat janë :  Shpella e  Sknelit, shpella e Raspit, shpella e Vukal Pjetrit, shpella e Bjelës, shpella e Kacës, shpella Binoshe, shpella e Nenës,  shpella e Majes, shpella  e Prinkthit, shpella e Pishtalkës, shpella e Kazhenikut, shpella e Bakeqit, shpella Buzoçe , shpella e Ujit të Gjallë, kolati i Çerkut, kolati i Ujit, kolati i Birë, kolati i Gjurashit (të gjitha në malin Kazhenik e Gozdec - në fshatrat  Stjepoh e Budzë).  Mjaft  e bukur është edhe shpella e  Zezë në Mulle, e cila gjendet  në mes Kojës e Trieshit, pastaj shpella e Dacajve në fshatin Rudinë, biga e Klyshve  në, fshatin Muzheçk , biga e Robëve dhe biga e Kakarriqit në Cem të Trieshit e shumë të tjera.  

Duke i vizituar këto vende perfektë ( labirinte) mund të kuptojmë se sa e bukur është bota pa dorën e njeriut. Për lashtësinë e shpellave në Triesh dhe ekzistencën e tyre si vend ( banime)  të hershme nuk kemi të dhëna historike.  Këto  tempuj të  natyrës, të cilat dëshmojnë lashtësinë  e këtij vendbanimi të hershëm autokton ,  në mungesë të hulumtimeve nga ekspertë të kësaj fushë,  bartin me vete nga një histori , e cila  në formë gojëdhëne  përcillet nga brezi në brez. Thuhet se  në disa prej tyre, përveç se kanë qenë të mbushura me borë, borës,  kanë jetuar njerëzit ( barinjtë) dhe   janë strehuar ( mrizuar)  delet e dhitë.   Po ashtu janë të njohura edhe si vendstrehim i autoriteteve  të njohura shqiptare  të kërkuara nga pushtetet e kohës, si Dedë Gjon Luli me bashkëshorten e tij Prënën, vajzën Noren dhe djalin Kolën në djep, e të tjerë.  Sipas njoftimeve gojore ( të dhënave)  që japin banorët   këto vende të veçanta  dhe misterioze  dallohen  për vetitë e tyre të shkurtra,  të gjata, të gjëra, të ngushta dhe të  errëta. Shpesh shquhen si vende të frikshme, por jo në të gjithë rastet janë të tilla pasi ka nga ato  që në afërsi të tyre janë emocionuese dhe misterioze në sipërfaqen e tokës.

Të gjitha këto vlera të pambrojtura natyrore gjithnjë të vetmuara pa vizitorë vazhdojnë të  qëndrojnë   të paprekura nga dora e njeriut, të pa ndotura nga tymi i makinave dhe të pa mbytura nga betoni. Janë  duke pritur  të merren masa për evidentimin dhe  hulumtimin e tyre nga studiues  shqiptarë e të huaj të kësaj fushë. Në atë mënyrë specialistët do të mund të tregojnë , me fakte e dëshmi,  në mënyrë shkencore,  se çfarë ka në këto shpella, si është jetuar në këto banesa prej shkëmbi,  sa ka zgjatur jeta në këto strehime prej guri, sa të hershëm janë banorët e këtij territori dhe sa është i lashtë vetë ky truall- Trieshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat