Markat globale të hotelerisë në Shqipëri

Turizëm

Markat globale të hotelerisë në Shqipëri

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 08:20
Plazhi shqiptar

Hyrja e markave globale të hotelerisë në Shqipëri, si dhe interesi i shtuar i investitorëve të huaj për zhvillimin e hotelerisë me 5 yje, e vendos industrinë e turizmit në Shqipëri në një moment të ri.

Kështu deklaroi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në një intervistë për ERTV, ku foli për sfidat e reja të industrisë së turizmit në Shqipëri.

Klosi iu referua hyrjes së markave globale të hotelerisë në vend, si dhe interesit të shtuar të investitorëve të huaj për zhvillimin e hotelerisë me 5 yje, dhe ndikimin e tyre në kulturën e mikpritjes, në ekonomi dhe në punësim.

Duke u ndalur te marka Marriot International që do të ketë në Tiranë hotelin e parë, Klosi tha se, “si një markë me 35 milionë ndjekës në rrjetin e turizmit, ajo do t’u çojë atyre mesazhin që në Shqipëri është një hotel me standarde ndërkombëtare”.

“Emra të tillë i bëjnë nder çdo biznesi hotelerie të botës, edhe pse ne në Shqipëri jemi të fundit në rajon për emra të tillë. Në samitin me investitorët e huaj në turizëm ne vendosëm disa marrëdhënie të forta, jo vetëm me Marriot International, por edhe me disa emra të tjerë të rëndësishëm, që janë sot në tregun shqiptar. Janë  të paktën 10 brande që kanë bërë projektet e tyre në Shqipëri”, tha Klosi.

Emra të tillë, sipas tij, “ndikojnë për të ngritur lart turizmin shqiptar dhe jo vetëm për të siguruar vizibilitet në tregun europian, por edhe për të siguruar standarde të reja”.

“Kur e bëmë këtë bisedë para një viti pati një zhurmë se kjo po bëhej për të favorizuar oligarkët por po të shikojmë sot janë qindra milionë euro të investimeve të hoteleve me 5 yje, këto investime janë rritur në një shkallë tjetër. Jo vetëm janë 10 brande të huaja në Shqipëri, por janë edhe grupet më të mëdha të tur-operatorëve më të mëdhenj në botë që tashmë e shohin Shqipërinë si destinacion”, tha Klosi.

Shtimi i interesit të tyre, sipas Klosit, tregon se është rritur besimi i investitorëve të huaj mbi mundësitë e zhvillimit të biznesit në Shqipëri.

“Kanë rritur besimin. këtu ka ndikuar ndryshimi i imazhit të Shqipërisë nga futja në raportin e ri me BE-në dhe si destinacioni i fundit në Mesdhe. Të mos harrojmë se Mesdheu është një ‘brand’ shumë i njohur për turizmin me aktorë shumë të fuqishëm që janë magnet për turizmin e gjithë botës”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat