5 pije të ngrohta për festa nga e gjithë bota

Ushqime

5 pije të ngrohta për festa nga e gjithë bota

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 14:46
Ilustrim

Ngrohja që ato dhurojnë është efekti kryesor, por baza gjithmonë ëshë alkooli, ndaj edhe quhen si koktejlet e Krishtlindjeve. Provoni disa nga pijet tradicionale, nga e gjithë bota, të cilat mund të realizohen lehtësisht edhe në shtëpi.

Eggnog

Një pije që ka si bazë vezën, qumështin dhe pije alkoolike, e cila është mjaft popullore në vendet anglosaksone, tipike për festat e fundvitit.

Përbërësit: 500 ml qumësht, 200 ml pana gatimi, 3 shkopinj kanelle, 1 lugë vanilje, 1 lugë arrëmyshk, 5 vezë, 150 gram sheqer, 150 ml rum.

Përgatitja: Në një tenxhere hedhim qumështin dhe e lemë të ngrohet, shtojmë panën, vaniljen, shkopinjtë e kanellës dhe arremyshkun. I lemë të ziejnë derisa të marrin një valë dhe më pas i heqim nga zjarri.

Në një tas tjetër ndajmë të verdhat e vezëve të cilat i përziejmë me sheqerin derisa të krijohet një masë e trashë. Masën e hedhim pak nga pak tek qumështi dhe e trazojmë derisa të lidhen. Në fund shtojmë rumin. E trazojmë dhe më pas e vendosim në frigorifer për 12 orë.

Para se të shërbehet, rrahim të bardhat e vezëve derisa të krijohet një marengë, të cilën e bashkojmë më pas me masën që kishim në frigorifer.

E shërbejmë të ftohtë dhe të dekoruar me arrëmyshk.

Vera brule

Një përzierje e verës së kuqe, portokallit, karafilit, kanellës, do të kthehet në gotën tuaj të “zjarrtë” gjatë ditëve të ftohta, një nga pijet simbol të festive në vendet gjermanike.

Përbërësit: 1 portokall i madh, 3 limonë, 12 fara karafil, 2 mandarina, 2 shishe verë e kuqe nga 750ml, 2 shkopinj kanellë, 150g sheqer pluhur, konjak.

Përgatitja: Qëroni me kujdes lëkurën e portokallit dhe limonëve. Shtrydhni më pas lëngun e tyre dhe ruajeni për pak më vonë.

Hidheni verën në një enë të madhe dhe shtoni 1 litër ujë të ftohtë. Përziejeni me një lugë dhe më pas shtoni lëkurët e portokallit dhe limonit, bashkë me lëngun. Më pas shtoni edhe mandarinat bashkë me shkopinjtë e kanellës dhe farat e karafilit.

E vendosim të ziejë deri në pikën e vlimit, dhe më pas ulni nxehtësinë deri sa të arrijmë zierjen për rreth 1 orë. Gjatë zierjes, shtoni sheqerin pluhur dhe konjakun.

Shërbehet në gota dhe e ngrohtë.

Bombardino

Protagonisti i vendpushimeve të skive, ka bazë alkoolin, pana dhe kafe. E merr këtë emër nga nxehtësia që dhuron pasi pihet. Përdoret në Itali dhe Zvicër.

Përbërësit: 3/4 liker veze, 1/4 rum, krem pana dhe kakao.

Përgatitja: Vendosni në një tenxhere likerin e vezës, por mos e lini të vlojë. Hiqeni atë nga zjarri dhe shtoni dalëngadalë rumin, ose ndonjë lloj alkooli tjetër sipas dëshirës. Përziejeni ngadale derisa të krijohet një ngjyrë e njëtrajtshme. Mund ta shërbeni në filxhan të ngrohur paraprakisht, dekorojeni me krem pana dhe spërkateni sipër me pak kakao. Bombardino shërbehet e nxehtë.

Kafja irlandeze

Receta e kafes irlandeze është një nga më të famshmet, ka si bazë padyshim kafe me sheqer, pak uiski dhe krem pana të rrahur, nga emri kuptohet vjen nga Irlanda.

Përbërësit: 1 lugë çaji sheqer, 1 gotë uiski irlandez, 2/3 filxhan kafe, 1/4 filxhan me krem pana

Përgatitja: Në një enë ku përgatisim kafenë hedhim ujin, e më pas shtojmë kafenë bashkë me sheqerin. Pasi të jetë zjerë e hedhim kafenë në një gotë të madhe, ku shtojmë pak nga pak uiskin. Sipër vendosim kremin e panës. Kafeja e zezë që sugjerohet në këtë recetë mund të zëvendësohet edhe me kafe ekspres të fortë.

Ponçi i Krishtlindjes

Një pije e traditave të vjetra; ponçi përmban përzierje pijesh alkoolike prej portokalli dhe mandarine. Përdoret nga Franca në Spanjë, e deri në Azi.

Përbërësit: 75 ml lëng mandarine, 150 ml liker, 220 ml Uiski Skocez, ose Konjak, 300 ml lëng boronice, 1 shkop vanilje, 1 mandarinë.

Përgatitja: Në një enë hedhim të gjithë përbërësit: fillimisht lëngun e mandarinës, likerin uiskin, lëngun e boronicës, shkopin e kanellës dhe mandarinën e qëruar. I lemë të gjitha në frigorifer për 3 orë, në mënyrë që të ruhen aromat e secilës.

Më pas e nxjerrim dhe i japim një vlim të lehtë, në mënyrë që lëngu të hollohet. Shërbehet i ngrohtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat