Pesë këshilla rreth ushqimit që kanë dobi të mëdha në shëndet

Ushqime

Pesë këshilla rreth ushqimit që kanë dobi të mëdha në shëndet

Më: 3 maj 2019 Në ora: 21:36
Foto ilustruese

Dietologia Juliette Kellow ka disa këshilla rreth ushqimit që nuk marrin më shumë se pesë minuta që të realizohen e megjithatë kanë potencial që të kenë dobi të mëdha në shëndet.

Riorganizoni kuzhinën

Studimet konfirmojnë se jemi më të prirur të hamë ushqim kur mund ta shohim andaj largoni ushqimet më pak të shëndetshme nga sytë dhe vendosni në raftin më të lartë në dollap. Në të njëjtën kohë, vendosni një enë me pemë në një vend të dukshëm dhe vendosni karrotat, specat dhe trangujt në një raft të frigoriferit ku mund të shihen lehtë.

Përtypeni mirë ushqimin

Nëse nuk e përtypni mirë ushqimin dhe vetëm e gëlltitni, sistemi tretës duhet të punojë më fort për ta tretur atë, gjë që mund të shkaktojë gazra. Përtypja më e gjatë na ndihmon të hamë më ngadalë që është e rëndësishme për ta mbajtur veten në formë.

Pavarësisht se sa hamë, duhen 15 deri në 20 minuta që truri ta marrë sinjalin që i duhet për ta kuptuar që stomaku është ngopur që të ndalemi së ngrëni. Sa më shpejt që të hamë, më shumë kalori konsumojmë para se ta marrim mesazhin “e ngopjes”.

Hani një vezë para se të shkoni në punë

E zier, e rrahur apo në formë të omletës, veza do t’ju japë një numër lëndësh ushqyese përfshirë fosforin, selenin, jodin si dhe vitaminat A, B dhe D. Vezët gjithashtu ofrojnë kolinë e cila përdoret për të prodhuar neurotransmetuesin acetilkolinë, i cili është i përfshirë në funksionimin e nervave, trurit dhe memories. Studimet gjithashtu tregojnë se vezët na mbajnë të ngopur për një kohë më të gjatë pasi janë të pasura me proteina dhe kjo mund të na ndihmojë të hamë më pak.

Bëni një çaj

Përveç se i përmbush nevojat tona ditore për lëngje, çaji përmban edhe antioksidantë, veçanërisht flavonoide të cilat rezultojnë në shëndet më të mirë të zemrës. Studimet e tjera tregojnë se pirja e çajit, edhe e vetëm 1 apo 2 filxhanash në ditë, mund të zvogëlojë rrezikun e tipit 2 të diabetit. Çaji është gjithashtu i pasur me flurour i cili mbron kundër prishjes së dhëmbëve dhe i mban eshtrat të forta.

Përdorni një enë të thellë

A ju ka ndodhur ndonjëherë ta përfundoni një qese me çipsa dhe të mos e besoni se e keni ngrënë të gjithën? Ngrënia e ushqimeve nga këto lloj paketimesh do të thotë se nuk mund ta shihni se sa shumë jeni duke ngrënë dhe nuk keni shenja vizuale se duhet të ndaloni.

Vendosni çipsat, biskotat, ëmbëlsirat, çokollatën dhe akulloren në një enë në mënyrë që të jeni të vetëdijshëm për sasinë që konsumoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat