Java e kuzhinës italiane, mundësi për t’i njohur ushqimet dhe produktet italiane

Ushqime

Java e kuzhinës italiane, mundësi për t’i njohur ushqimet dhe produktet italiane

Më: 25 nëntor 2019 Në ora: 15:08
Foto ilustrim

Që nga 18 nëntori në Kosovë ka filluar java e kuzhinës italiane, e cila po mbahet për herë të parë në vend me një program të konceptuar nga Italian Trade Agency (ICE) dhe Instituti Italian i Kulturës, nën përkujdesjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë.

Përgjatë këtyre ditëve në Prishtinë një rrjet i gjerë restorantesh e baresh po ofrojnë meny, receta dhe pije sipas enogastronomisë italiane. Krejt kjo po bëhet me qëllim që qytetarët të mësojnë më shumë rreth ushqimeve italiane.

“Soma” është një nga restorantet në kryeqytet që gjatë kësaj javës është duke ofruar lloje të ndryshme të ushqimeve dhe verërave italiane.

Nol Shala nga “Soma”, thotë se si specialitet kryesor janë duke ofruar pastat e shtëpisë që njëherësh është edhe prej pjatave më tradicionale italiane.

Shala: Ne këtë javë jemi duke ofruar pasta që jemi duke i bë të shtëpisë

“Ne këtë javë jemi duke ofruar pasta që jemi duke i bë të shtëpisë, do të thotë e kemi përzgjedhur dy lloje, ato përveç kësaj jave gjithmonë i kemi në meny, do të thotë pasta të freskëta. Këtë javë e kemi bë një lloj oferte me vena italiane, do të thotë pastat munden me i porositë me venë të cilat janë të regjionit të Italisë, me të cilat nëse e boni atë porosi keni me marrë një lloj lirimi. Kjo ka qenë ideja e bashkëpunimit me produktet italiane, ideja e pastave të freskëta është një prej pjatave më tradicionale që e kanë shpikur italianët dhe kemi menduar që me qenë edhe ne përkrahës të kësaj jave”, thotë ai.

Ai tregon se menyja që janë duke e ofruar në kuadër të javës së kuzhinës italiane është mirëpritur nga klientët e tyre, derisa idenë e mbajtjes së një jave të tillë e quan të qëlluar, pasi kanë mundësi që të promovojnë ushqimet italiane.

Edhe restoranti “Shpija e Vjetër”, është bërë pjesë e javës së kuzhinës italiane, ku klientëve të tyre po u ofrojnë llojllojshmëri të ushqimeve italiane.

Pronari i këtij restoranti Mentor Mehmeti, thotë se klientët e tyre e kanë mirëpritur menynë që u kanë ofruar me ushqime të ndryshme italiane.

Mehmeti: Kemi ofruar produkte që përshtaten me kuzhinën italiane

“Ne si ‘Shpija e vjetër’ kemi marrë pjesë në javën e kuzhinës italiane dhe kemi ofruar produkte që përshtaten me kuzhinën italiane, picat, rizoto dhe pene...Ideja e kësaj jave është shumë e mirë, ne kemi marrë pjesë edhe në mbrëmjen që e kanë organizuar Ambasada Italiane dhe është mirë, nuk është diçka e keqe”, thotë ai.

Veprimtari promovuese për produktet italiane janë duke zhvilluar edhe rrjetet e supermarketeve në vend. Një nga to është “Super Viva”, e cila për të gjitha produktet italiane gjatë kësaj jave për konsumatorët ka ofruar çmime promocionale.

Berlinda Morina nga “Super Viva”, thotë se përveç zbritjeve konsumatorëve të tyre u kanë ofruar edhe mundësinë që në restorantet e tyre t’i provojnë disa nga ushqimet italiane.

Morina: Si Super Viva kemi ofruar këto produkte me çmime promocionale

"Edhe Super Viva ka qenë pjesë e javës italiane të organizuar për herë të parë në Kosovë, ne si Super Viva për konsumatorët tanë ka një vit që ofrojmë produkte të shumëllojshme nga brendi italian 'Coop'. Ky bashkëpunim ka nisur në vitin e kaluar dhe po bëhet secilën herë më i fortë, duke sjellë edhe produkte interesante dhe artikuj nga të gjitha kategoritë. Gjatë kësaj jave ne si Super Viva kemi ofruar këto produkte me çmime promocionale, e po ashtu që konsumatorët tanë të kenë mundësi t'i testojnë e t'i provojnë këta artikuj kemi mundësuar në tri qendra tona në Prizren, në Fushë Kosovë dhe në Ferizaj, në restorantet tona Pomo konsumatorët tanë të kenë mundësinë t'i testojnë duke filluar nga ora 13 deri në orën 18, konsumatorët kanë pasur mundësi t'i testojnë produktet e ndryshme duke filluar nga rizoto, pica, djathërat", thotë ajo.

Ajo thotë se ideja që të organizohet një javë e tillë është shumë e qëlluar, pasi sipas saj iu ka mundësuar që të promovojnë produktet italiane.

E promovimi i produkteve italiane është i pashmangshëm në zinxhirin e marketeve italiane, CONAD i cili gjendet edhe në Prishtinë.

Në javën e kuzhinës italiane në këtë market me çmime promocionale janë disa prej produkteve kryesore të tyre, si verërat e ndryshme, djathërat por dhe makaronat italian.

Në marketin CONAD mund të gjeni produkte me cilësinë më të mirë italiane. Ato janë ekskluzive dhe nuk ofrohen në asnjë market tjetër në Kosovë. Derisa çmimet janë të volitshme dhe në harmoni të plotë me standardet evropiane.

Përkrahje të javës së kuzhinës italiane me promovimin e disa produkteve të tyre i ka dhënë edhe rrjeti i supermarketeve “Emona”. Drejtori ekzekutiv, Latif Resyli duke folur për disa prej produkteve italiane që janë distributor në tregun e Kosovës, thotë se këto produkte meritojnë trajtim të avancuar për shkak të çmimit dhe kualitetit që e kanë.  

Resyli: Produktet italiane e meritojnë një trajtim të avancuar në Kosovë

“Meqenëse ne jemi distributor ekskluziv të disa prej brendeve italiane të cilat janë prezent në tregun e Kosovës, si Scarlino, Pastareggia, e të tjera. Në kontakt me menaxherët e këtij projekti me stafin në Kosovë, por edhe të Tiranës kemi vlerësu që ia ka vlejtur për me i përkrahë. I kemi përkrahë me disa artikuj të këtyre brendeve...Personalisht mendoj duke e pa edhe situatën në 12 muajt e fundit që është në Kosovë, produktet italiane e meritojnë një trajtim të tillë më të avancuar për tregun e Kosovës për shkak se kanë kualitet edhe çmimet i kanë konkurruese. Por duke lënë anash edhe atë vlerësimin si shtet që i kanë kontribuar për të mirën e Kosovës”, thotë ai.

Java e kuzhinës italiane është hapur me 18 nëntor në Prishtinë, me ç'rast është realizuar përgatitja e një darke me 6 duar nga kryekuzhinieri Cristian Broglia, Bekim Jashari dhe Bleri Dervishi. Ndërsa, aktivitet është mbajtur edhe me nxënësit e Shkollës së Mesme së Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Abdyl Frashëri” dhe Shkollës së Mesme të Tregtisë, Hoteleri dhe Turizmit “7 Shtatori”. 

Java e kuzhinës italiane do të përmbyllet me 24 nëntor, ndërsa në Kosovë ky aktivitet organizohet për herë të parë.

Kujtojmë se java e kuzhinës italiane në botë, sinteza e një rrugëtimi që zë fill nga “Expo 2015” në Milano, është një takim i përvitshëm dedikuar të ushqyerit të qëndrueshëm dhe traditës enogastronomike, si shenjë dalluese e identitetit dhe kulturës italiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat