Të dielave mund t’ia lejojmë vetes ta prishim pak ditën, por me kushtin e vetëm që gjithçka ta përgatisim në shtëpi. Vetëm kështu mund t’i kontrollojmë përbërësit duke i zgjedhur të shëndetshëm dhe të freskët.
Receta e sotme vjen nga Erida Kabashi, e cila kësaj radhe na tregon si të përgatisim kalcone furre me proshutë pule dhe kërpudha.
Përbërësit për brumin:
• 500 gr miell
• 200 gr miell semola
• 1 lugë çaji kripë
• 1 lugë çaji maja
Për mbushjen:
• djath guda për pica
• proshutë pule
• kërpudha të freskëta
• pure domatesh
Mënyra e përgatitjes:
Hedhim përbërësit në tas: (miellin, miellin semola, kripën, majanë dhe 500 ml ujë ambienti). I punojmë përbërësit me dorë derisa brumi të bëhet i njëtrajtshëm.
Kur brumi është gati e mbledhim me pak miell dhe e lëmë të qëndrojë 1 orë. Pas 1 ore (masa do jetë dyfishuar) i bëjmë palosje (si në video). E lëmë sërish të qëndrojë 40-50 minuta. Bëjmë gati edhe përbërësit për mbushjen.
- Pure domatesh ose salcë me erëza, kripë, sheqer, piper, majdanoz, hudhër.
- Kërpudhat i skuqim 2-3 minuta me kripë dhe piper
- Djath guda i grirë
- Proshutë pule
Ndajmë brumin dhe i hapim pjesët e ndara pak më të mëdha se pëllëmba. Fillojmë me mbushjen duke lyer gjysmën me salcë pastaj hedhim kërpudha, proshutë, djath.
Mbushjen mund ta bëni edhe me përbërës të tjerë, sipas dëshirës. I vendosim në një tavë me letër pjekjeje të lyer me pak vaj ulliri dhe i lyejmë sipër me salcë, i hedhim dhe shumë pak vaj ulliri. I pjekim në furrë, të cilën e kemi ndezur me parë në 250 gradë për 15-20 minuta. Me të njëjtin brum mund të bëni edhe pica apo bukë.