E dini që këtë akullore kaq të shijshme mund ta përgatisni vetë, shumë thjesht - Bota Sot
E dini që këtë akullore kaq të shijshme mund ta përgatisni vetë, shumë thjesht

Ushqime

E dini që këtë akullore kaq të shijshme mund ta përgatisni vetë, shumë thjesht

Më: 9 gusht 2020 Në ora: 20:33
Ilustrim

Kush do ta refuzonte një akullore në këto temperatura të larta vere?! Edhe nëse jeni me dietë, të dielave lejojani vetes disa privilegje. Nëse ende nuk jeni tunduar, mbase do dorëzoheni kur të mësoni recetën e thjeshtë të sjellë nga Sosela Ndina e @sunnykitchen_

Sosela Ndina, @sunnykitchen_

Si të përgatisni akullore me çokollatë dhe reçel qershie! Gati?!

Përbërësit që ju duhen:

• 400 gr pana

• 150 gr qumësht të kondensuar (nëse e doni më të ëmbël shtoni më shumë)

• 3 lugë gjelle kakao

• 1 gotë me biskota të thërrmuara (brownies ose lloj tjetër)

• 3-4 lugë gjelle reçel qershie

• 50 gr çokollatë të zezë, të copëtuar me thikë

Mënyra e përgatitjes:

Fillimisht diçka e rëndësishme që duhet të dini: Enën ku do të vendosni akulloren, futeni në akull që një natë më parë.

Në një tas të thellë hidhni panën dhe rriheni me rrahës elektrik derisa të bëhet si krem i hollë.

Përzieni kakaon me qumështin e kondensuar mirë dhe shtojeni tek pana e rrahur. Përziejeni. Shtoni biskotat dhe përziejini.

Hidheni masën tek ena e ftohur. Hidhni reçelin e qershisë me anë të një luge. Mbylleni me kapak dhe futeni në ngrirje sa të fillojë të mpikset pak.

Pas kësaj kohe nxirreni dhe hidhni çokollatën e copëtuar sipër. Futeni në akull derisa të mpikset, minimumi 8 orë (nëse jeni të paduruar, përgatiteni në darkë në mënyrë që të nesërmen ta keni gati për ta konsumuar).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat