Frutat dhe perimet janë më pak ushqyese se sa ishin më parë

Ushqime

Frutat dhe perimet janë më pak ushqyese se sa ishin më parë

Më: 2 maj 2022 Në ora: 15:58
Foto ilustrim

Ndërsa shikoni nëpër rreshtat e frutave dhe perimeve me ngjyra të ndezura në seksionin e produkteve të dyqanit ushqimor, mund të mos jeni të vetëdijshëm se sasia e lëndëve ushqyese në këto produkte ka qenë në rënie gjatë 70 viteve të fundit.

Dëshmitë në rritje nga studime të shumta shkencore tregojnë se shumë fruta, perime dhe drithëra të rritura sot përmbajnë më pak proteina, kalcium, fosfor, hekur, riboflavinë dhe vitaminë C sesa ato që u rritën dekada më parë. Ky është një problem i madh sidomos tani që shumë njerëz po kalojnë në dieta me bazë bimore.

Rënia e lëndëve ushqyese “do të lërë trupin tonë me më pak nga komponentët që u nevojiten për të forcuar mbrojtjen kundër sëmundjeve kronike. Do të zvogëlojë vlerën e ushqimit si ilaç parandalues”, thotë David R. Montgomery, profesor i gjeomorfologjisë.

Edhe për njerëzit që shmangin ushqimet e përpunuara dhe i japin përparësi produkteve të freskëta, kjo prirje do të thotë se “ajo që hëngrën gjyshërit tanë ishte më e shëndetshme se ajo që hamë ne sot”, thotë Kristie Ebi, një eksperte për ndryshimet klimatike dhe shëndetin.

Shkencëtarët thonë se rrënja e problemit qëndron në proceset moderne bujqësore që rrisin rendimentet e të korrave, por ‘shqetësojnë’ shëndetin e tokës. Këto përfshijnë metodat e ujitjes, plehërimit dhe korrjes, të cilat gjithashtu prishin ndërveprimet thelbësore midis bimëve dhe tokës, gjë që redukton përthithjen e lëndëve ushqyese nga toka. Këto probleme po ndodhin në sfondin e ndryshimeve klimatike dhe rritjes së niveleve të dioksidit të karbonit, të cilat gjithashtu po ulin përmbajtjen e lëndëve ushqyese të frutave, perimeve dhe drithërave.

Ekspertët thonë se është e rëndësishme t’i mbani këto rënie në perspektivë dhe të mos lejoni që ky lajm t’ju pengojë të hani një shumëllojshmëri frutash, perimesh dhe drithërash për të ruajtur shëndetin tuaj. Por ata shpresojnë se rezultatet do të nxisin më shumë njerëz të kujdesen për mënyrën se si po rritet ushqimi i tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat