Pesë ushqimet për gjumë më të qetë!

Ushqime

Pesë ushqimet për gjumë më të qetë!

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 07:50
Ilustrim

Produktet e qumështit

Qumështi, djathërat dhe të gjitha produktet e qumështit në përgjithësi janë burime të pasura me triptofan, një aminoacid i shkëlqyer dhe i sigurt për të nxitur gjumin. Kosi, qumështi dhe produkte të tjera të pasura me kalcium ndihmojnë trurin që të përdorë triptofanin. Kërkime të shumta kanë zbuluar se mungesa e kalciumit në regjimin tonë të përditshëm ushqimor mund të shkaktojë shqetësime të vazhdueshme të gjumit.

Tërshëra

Tërshëra është e përsosur jo vetëm për mëngjesin, por edhe për një mbrëmje të qetë. Ju këshillojmë një filxhan qumësht të nxehtë me tërshërë për të bërë një sy gjumë të qetë. Tërshëra në vetvete është një burim natyral i melatoninës, e cila është një hormon që çlirohet nga gjëndra pineale gjatë natës, për të inkurajuar gjumin. Pra tërshëra është konsideruar si një ndihmë e madhe për gjumin, sidomos kur kombinohet me qumështin. Ndër të tjera, kokrrat e tërshërës janë të pasura me kalcium dhe magnez, dy minerale të përsosura që ndihmojnë për të bërë gjumë të gjatë dhe relaksues.

Banania

Nëse gjatë natës vuani nga spazma e muskujve (tkurrje e menjëhershme dhe e pavullnetshme e një muskuli, që shoqërohet me dhembje) apo dhembja e barkut, kjo mund të varet nga mangësia e magnezit dhe e kaliumit, që zakonisht ndihmojnë muskujt të qetësohen dhe të funksionojnë në mënyrë korrekte. Bananet janë një burim ideal i këtyre dy mineraleve. Ju duhet t’i konsumoni shpesh bananet, sidomos pas një stërvitjeje të lodhshme në palestër. Ato nuk janë vetëm një burim i pasur me magnez dhe kalium, por bananet përmbajnë edhe triptofan, i cili kontribuon në nxitjen e gjumit. Hulumtuesit e Universitetit të New England (New South Wales) kanë zbuluar se ngrënia e një bananeje përpara gjumit shkakton gërhima te njerëzit. Pas ngrënieve të vazhdueshme të bananeve, ata nuk do të gërhasin më.

Qershitë

Ashtu si tërshëra, edhe qershitë janë një burim i pasur me melatoninë. Një studim i publikuar në “Journal of Sleep Research” dhe “Sleep Disorders” ka demonstruar se si ngrënia e qershive para gjumit ka ndihmuar pjesëmarrësit e testit për të fjetur më lehtë dhe më shpejt, duke konfirmuar vetitë e saj qetësuese.

Farë liri

Farat e lirit janë të duhurat për të rritur nivelin e serotoninës (neurotransmentuese dhe përgjegjëse e humorit) në organizëm dhe për të rregulluar problemet me gjumin, falë pranisë së magnezit, kaliumit dhe acideve yndyrore Omega-3. Këto të fundit ndihmojnë në zvogëlimin e disa shkaqeve të pagjumësisë (depresioni, ankthi dhe stresi) ndërsa janë gjithashtu edhe një ilaç efektiv kundër gërhitjes.

Nëse konsumoni këto ushqime rregullisht pak përpara se të flini nuk do të keni më probleme me gjumin gjatë natës. Por përpos këtyre këshillave kundër pagjumësisë, ajo çka është e rëndësishme të theksohet ka të bëjë me faktin se ju duhet të vetëlargoni stresin. Problemet e përditshme dhe ato të jetës duhet t’i lini pas derës së dhomës suaj të gjumit, nëse dëshironi të keni një mendje dhe një trup të shëndetshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat