Vlora nuk tërheq vetëm turistë. Dhjetëra studentë të degës së turizmit nga një universitet holandez po qëndrojnë këto ditë në qytetin bregdetar si pjesë e një vizite studimore. Gjatë së martës ata vizituan qendrën e turisteve në Radhimë para se të niseshin drejt ishullit të Sazanit.
“Është e hera e parë që vij këtu. Shqipëria është e bukur, është ndryshe nga Holanda. Keni det të bukur, male të bukur”, shprehet një turiste.
“Jam nga një fshat i vogël afër Roterdamit. Është dita e pestë që jemi në Vlorë dhe na duket shumë bukur. Jam i habitur”, tha një tjetër i ri.
“ Vlora po zhvillohet por duket bukur. Po shkojmë në Sazan, duam të shohim diçka nga e kaluara”, përfundoi në tjetër turiste.
Por çfarë i ka tërhequr më shumë këta studentë, turizmi?
“Njëkohësisht ata ishin të interesuar për Qendrën e Rikuperimit të Breshkës Detare. Vinë çdo ditë turistë, por jo në numër kaq të konsiderueshëm sa këta të sotmit, por familje, grupe të vogla jo vetëm në qendrën e RadhiMës por edhe në Qendrën e Informacionit që ndodhet në Parkun e Llogorasë”, tha Nexhip Hyskohaska, punonjës në Qendrën e Vizitorëve, Radhimë.
120 studentët nga Holanda ndodhen prej disa ditësh në Shqipëri dhe Vlora ishte ndalesa e tyre e radhës. Nuk është e hera e parë që Shqipëria përfshihet në turne të tillë studimore të studentëve nga universitet të huaja.