Të bashkëjetosh me pesticidet, 15 familje të ish-uzinës së sodës rrezikojnë jetën

Vlora

Të bashkëjetosh me pesticidet, 15 familje të ish-uzinës së sodës rrezikojnë jetën

Më: 14 maj 2019 Në ora: 22:13
Vlorë

Kamera e emisionit BOOM ka shkuar në Vlorë, për të trajtuar problemin e 15 familjeve që jetojnë në zonën e ish-uzinës së sodës në Vlorë.

E gjithë zona është e kontaminuar, pasi është vënë re prani e pesticideve. Banorët jetojnë në ndërtesat, që dikur kanë shërbyer për ish-uzinën.  Kjo ka ndikuar në shëndetin e banorëve të kësaj zone.

"Kam 22 vite që jetoj këtu. Banesat kanë qenë pompa uji, që kanë qenë në shërbim të uzinës. Komplet kockat më dhembin. Ne duam që të ikim, më vjen keq për fëmijët", tha një banore.

"Kur kemi ardhur në fillim ka qenë katastrofë", tha një banore.

BOOM kontaktoi edhe me një mjeke, e cila tha se prania e pesticideve shpesh herë sjell edhe anomali të lindura. Zgjedhja e vetme tha doktoresha është që ato familje të largohen nga ato banesa.

Rajmonda Zoto, mjeke: Mbetet një zonë problematike për shëndetin e pacientëve. Numri i tyre shkon deri në 10-15 familje dhe nuk është marrë asnjë masë për largimin e tyre. Paraqesin probleme të shumta shëndetësore, infeksione të lëkurës, probleme të gjakut. Por edhe kushtet higjieno sanitare lënë për të dëshiruar.

Pesticide në shëndet japin probleme në gjak, sjellin edhe deformime kongenitale. Mendohet se edhe një hipotezë është kontaminimi. Ka qenë ndërmarrje me prodhimtari të lartë. Banorët janë të riskuar. Rruga më e mirë do të ishte një iniciativë e pushtetit vendor për shpërnguljen e familjeve.

Pushteti vendor thotë se ka një projekt për këta banorë. 80 banesa sociale do të jenë në dispozicion të këtyre banorëve.

Vojsova Shkurtaj, Kryetare e Këshillit Bashkiak, Vlorë: Herë pas here kemi shkuar dhe kemi parë gjendjen e tyre. Gjendja e tyre është e vështirë, ata mund të jenë të prekur nga rrezatimet që mund të jenë shkaktuar nga zhiva e asaj kohe.

Në momentin që kemi konstatuar këtë problematikë kemi bërë një projekt të madh, i cili po fillon. E gjithë zona ku ka qenë frigoriferi i vjetër janë parashikuar për tu bërë 8 pallate. Do të jenë rreth 80 banesa ku do të jenë këta banorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat