Siviaggia.it: Rilindja e Sazanit, nga një bazë ushtarake, në një ishull turistik

Vlora

Siviaggia.it: Rilindja e Sazanit, nga një bazë ushtarake, në një ishull turistik

Më: 17 gusht 2019 Në ora: 09:56
Sazani

Nga një bazë ushtarake e paarritshme në një atraksion turistik, ja përse ky ishull i vogël po shndërrohet në një destinacion që nuk duhet humbur, shkruan portali italian që i kushtohet udhëtimeve dhe turizmit, “siviaggia.it”.

Për grekët dhe romakët antikë ishte “Sason”, ndërsa për shqiptarët quhet “Sazan”.

Sazani është një ishull i vogël prej rreth gjashtë kilometrash katrorë, që ndodhet përballë gjirit të Vlorës, në Kanalin e Otrantos. Një shkëmb gjigant që prej dekadash ka qenë një bazë ushtarake e paarritshme, dhe që sot po shndërrohet në një prej atraksioneve turistike kryesore të Shqipërisë.

Në fakt, ishulli është një parajsë e vogël me natyrë të egër dhe të padëmtuar, ku mund të eksplorosh shtigje jo shumë të rehatshëm por jashtëzakonisht tërheqës dhe misterioz, dëshmi e të kaluarës së tij të trazuar ushtarake. Këtu ujërat e kristalta dhe plazhet mbresëlënëse shërbejnë si kundërpeshë ndaj relikteve të Luftës së Ftohtë, një pjesë e të cilave është mbledhur nga arkeologët dhe ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

E kaluara e trazuar e Sazanit shfaqet në çdo cep të këtij shkëmbi gjigant me një kulm prej gati 340 metrash mbi nivelin e detit, mes 3600 bunkereve të shpërndarë në sipërfaqen e tij dhe galerive nëntokësore të gjata disa kilometra, të ndërtuara për ushtarët e Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës.

Gjatë fashizmit, këtu u shfaqën veprat e para të fortifikimit, por edhe rrugë, shtëpi, shkolla dhe teatro. Nga pak, kudo mund të admirohen disa prej godinave të ndërtuara gjatë dominimit italian dhe më pas ato të periudhës së Luftës së Ftohtë, ndonëse një pjesë e mirë e strukturav u shkatërruan gjatë manovrave të fundit të përbashkëta mes forcave ushtarake të NATO-s dhe atyre shqiptare. Mes këtyre u shkatërrua edhe vila që Musolini ngriti në ishull në vitin 1930.

Sazani ndodhet gjysmë ore larg me traget nga Vlora, porti që pret turistët ndodhet në pjesën lindore. Nga këtu, mund të shkohet në këmbë në bregun perëndimor, ku ndodhet Gryka e Xhehenemit dhe Gjiri i Djallit, që përbëjnë një peizazh spektakolar.

Duke vazhduar në drejtim të jugut, do të shihni një prej vendeve më të jashtëzakonshme të ishullit, të mrekullueshmin Plazhi i Admiralit, mes shkëmbinjve që lagen nga ujëra transparenca e të cilëve është një dëshmi e qartë e izolimit që ka mbrojtur Sazanin, duke i mundësuar që të mos ndotet.

Nga viti 2010, ishulli bën pjesë, bashkë me gadishullin e Karaburunit, në Parkun Kombëtar Karaburun-Sazan, që mund të arrihet nëpërmjet një prej shumë anijeve që nisen nga porti i Vlorës. Këtu mund të admirohet Shpella e Mrekullueshme e Haxhi Aliut, e konsideruar si më e madhja dhe e thella në gjithë Shqipërinë. Një spektakël unik dhe emocionues si pakë në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat