Porti i Vlorës pika më e rëndësishme e turizmit në jug, 75 mijë udhëtarë vendas e të huaj në 10 muaj

Vlora

Porti i Vlorës pika më e rëndësishme e turizmit në jug, 75 mijë udhëtarë vendas e të huaj në 10 muaj

Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 07:42
Porti i Vlorës

Qyteti i Vlorës në 10 muajt e parë të këtij viti është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.

Drejtori i Portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “numri i udhëtarëve që kanë ardhur me traget në portin e Vlorës për periudhën janar-tetor është rreth 75 mijë pasagjerë, ndërsa rreth 85 mijë pasagjerë kanë dalë nga porti i Vlorës”.

Sipas tij, nga 75 mijë udhëtarë që kanë hyrë në portin e Vlorës 21 497 kanë qenë të huaj, ndërsa 21 853 të huaj kanë dalë.

“Por prezenca e fluksit të lartë të hyrjeve në pikën kufitare të portit të Vlorës gjatë këtij viti lidhet me strukturën e udhëtarëve të huaj, të cilët këtë vit kanë qenë 2 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, theksoi Malaj.

Malaj tha se “sidomos në muajt e verës fluksi ka qenë më i lartë, pasi vijon të jetë një nga pikat hyrëse të turistëve të huaj që vijnë për pushime në vendin tonë”.

Por, shton Malaj, në pikën kufitare të portit të Vlorës, është intensifikuar puna gjatë gjithë vitit dhe është shtuar personeli i nevojshëm për të përballuar fluksin e përpunimit të trageteve, sidomos gjatë sezonit turistik.

Një rol të rëndësishëm në përpunimin e udhëtarëve këtë vit ka luajtur edhe terminali i ri i pasagjerëve në portin e Vlorës.

“Ky terminal ka evituar radhët e pasagjerëve në kohë fluksi.sidomos në sezonin turistik, ndërkohë që e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në festat e fundvitit, kur shumë nga bashkatdhetarët do të vijnë për festa”, – shtoi Malaj.

Sipas tij, aktualisht në port po punohet me 5 sportele për përpunimin e udhëtarëve dhe 4 për makinat.

Bregdeti i bukur, çmimet e arsyeshme, infrastruktura e përmirësuar dukshëm dhe hapësira atraktive të tilla, si Lungomare me lokalet e shumta, apo bulevardi i rikonceptuar së fundi, Vlorë-Skelë, përbëjnë disa nga faktorët dhe pikat e forta për treguesit e lartë të turistëve të huaj nga vende të ndryshme të botës.

Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operojnë edhe anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. Vetëm në muajt maj deri në gusht Sazanin dhe Karaburunin e kanë vizituar 37 mijë turistë vendas e të huaj. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat