Po maskohet si “vepër Arti”. Rama: Dhuratë e Gjykatës së Lartë - Bota Sot
Po maskohet si “vepër Arti”. Rama: Dhuratë e Gjykatës së Lartë

Vlora

Po maskohet si “vepër Arti”. Rama: Dhuratë e Gjykatës së Lartë

Më: 2 maj 2020 Në ora: 19:56
Foto

Kjo pikë karburanti në Lungomare në Vlorë , vazhdon të jetë molla e sherrit madje së fundmi edhe shkaku i protestave dhe reagimeve të qytetarëve edhe në rrjetet sociale. Edhe pse kryeministri njoftoi përmes një statusi në facebook se do të përshtatet sipas projektit të një arkitekti belg edhe si vepër arti, Rama kujton se pika e karburantit është ‘dhuratë “ nga gjykata e lartë.

Por si është historia e këtij objekti që nuk u prek sikurse dhjetëra biznese që u shpronësuan për lungomaren? Top Channel gjatë daljes para vettingut të një ish gjyqtari të lartë ka raportuar se si kjo pikë karburanti, u bë pronë e Shkëlzen Selimit, që pas gjetjeve të vettingut u shkarkua.

Siç rezulton në atë kohë, Shkelzen Selimi u bë pronar gjatë kohës që ishte gjyqtar në Vlorë. Në deklaratën e pasurisë së tij në atë kohë ish gjyqtari pranonte bashkëpronësinë me partneren dhe blerjen e kësaj pasurie në vlerën e 250 mijë eurove.

Pika e karburantit u ble gjatë kohës që Shkëlzen Selimi ishte i emëruar si gjyqtar në këtë qytet. Ndërsa dokumentat tregojnë se bashkëpronësia u realizua përmes kontratave të rezervimit të pasurisë dhe se ish gjyqtari u justifikua për blerjen me marrjen e një kredie.

Aktualisht ky objekt i paprekshëm vazhdon të jetë nën pronësi të Shkëlzen Selimit si dhe të një kompanie të hidrokarbureve të cilës i ka kaluar gjysma e pasurisë në vitin 2019. Edhe pse dhjetëra biznese u shpronësuan për interes publik, mes të cilave këshilli i ministrave kishte vendosur të njëjtën gjë edhe për pikën e karburantit, Shkëlzen Selimi fitoi procesin në të treja shkallët e gjyqësorit , në njërën prej të cilave ishte gjyqtare bashkëshortja e tij dhe në tjetrën, në gjykatën e lartë ai vetë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat