Ruçi nga Vlora: Në çdo kohë, ne shqiptarët, kemi qenë në anën e duhur të historisë

Vlora

Ruçi nga Vlora: Në çdo kohë, ne shqiptarët, kemi qenë në anën e duhur të historisë

Më: 2 shtator 2020 Në ora: 20:52
Gramoz Ruçi

Kryetari u Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mori pjesë dhe përshëndeti në ceremoninë e organizuar me rastin 100 vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mori pjesë dhe përshëndeti në ceremoninë me rastin 100 vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës, e cila u zhvillua mbrëmjen e sotme në Sheshin e Flamurit, në Vlorë.

Në ceremoni përshëndetën edhe Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, Kryeministri, z. Edi Rama, Prefekti i Vlorës, z. Flamur Mamaj, dhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Dritan Leli.

Më poshtë, fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

100 vjetori i Luftës Kombëtare të Vlorës, ky jubile madhështor i historisë sonë, na ka thirrur sonte në këtë shesh historik.

Në sheshin që mban peshën e rëndë të historisë kombëtare.

Çdo shqiptar do të dëshironte të ishte sot me ne, në sheshin më simbolik në Shqipëri, Sheshin e Flamurit.

Në zemër të Vlorës, e cila ka rrahur, rreh dhe do të rrahë sa të jetë jeta, për Shqipërinë, për pavarësinë dhe për lirinë.

Të ulet në gjunjë përpara monumentit të këtyre burrave, kryemagjistratëve të pavarësisë, të cilët nisën nga Vlora ndërtimin e kolonave të shtetit shqiptar.

Për Luftën e Vlorës, mësimet që burojnë prej saj dhe ndriçimin e rrezatimin në historinë e Shqipërisë.

Për trimërinë dhe urtësinë që buron nga Vlora e Labëria, kjo magje dhe apothegmë (simbol) i lirisë, protagoniste e martire fisnike e kalendarit të progresit të Shqipërisë.

Nëntë muaj më parë, në Lushnje, Tiranë e në të gjithe Shqipërinë përkujtuam 100 vjetorin e Kongresit të Lushnjes e të parlamentarizmit shqiptar.

Shpallja e pavarësisë, Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës janë tri harqe triumfi, për tri ngjarje madhore të historisë së Shqipërisë, të cilat plotësuan dhe garantuan njera-tjetrën.

108 vite me parë, më 28 nëntor 1912, heroi kombëtar, Ismail Qemali, i mbështetur nga dhjetra patriotë nga e gjithë Shqipëria, ngriti flamurin e lirisë dhe, pas pesë shekujsh robërie dhe errësire osmane, e shpalli atdheun të lirë e të pavarur.

Pas tetë vjetësh, në janar të vitit 1920, Kongresi i Lushnjes vendosi që Shqipëria e pavarur të ishte Shqipëri parlamentare, hodhi themelet e saj, përmbylli periudhën e shtetformimit dhe nisi të ndërtojë arkitekturën institucionale të shtetit të pavarur shqiptar.

Vetëm pak muaj pas Kongresit tregoi e garantoi se nuk mund të kishte as Shqipëri sovrane, as Shqipëri parlamentare, me Vlorën e pushtuar, duke u bërë një nga ngjarjet me rrezatuese të historisë sonë.

Lufta Kombëtare e Vlorës vulosi fitoren e parlamentarizmit që u themelua në Lushnje.

Të dyja këto ngjarje ishin prova të fuqishme të zhvillimit politik të shoqërisë shqiptare, të rritjes së ndërgjegjes kombëtare dhe të bashkimit në emër të sovranitetit e integritetit të Shqipërisë.

Nuk është koinçidencë, por një imperativ historik që fillimi i parlamentarizmit, si shtyllë e Republikës, dhe lufta e Vlorës të rrinë kaq pranë njera-tjetrës.

Vetëm pak muaj më vonë, më 29 maj 1920, Kuvendi i Barçallait, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të gjithë krahinës, vendosi fillimin e Luftës së Vlorës.

Pak më tej ballit të këtij sheshi të shenjtë e historik, tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, më 3 shtator 1920, një grup atdhetarësh, mes të cilëve edhe dëshmitarë e pjesëmarrës në aktin e pavarësisë, u rimblodhën për ta bërë edhe njëherë Shqipërinë të lirë e të mosvarme, për ta përsosur e forcuar shtetin e ri.

Luftëtarë të vjetër e të rinj, vlonjatë, tepelenas, kurveleshas e bregdetas, me bashkëluftëtarë nga Mallakastra, Berati, Korça, Dibra, Gjirokastra, Shkodra dhe Elbasani, u betuan në këtë shesh-altar të pavarësisë.

Vendimi i burrave të shquar dhe komandantëve trima të Luftës së Vlorës, që ceremonia festive e fitores të mbahej në këtë shesh, ishte i pjekur dhe vizionar.

Ata dhane mesazhin se lufta e tyre ishte pjesë e gjerdanit të ndritur, luftarak e popullor, të mbrujtur e të stolisur me gjakun e dëshmorëve të kombit.

Ata i rikthyen Shqipërisë lirinë e nëpërkëmbur gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ndaluan me armët e gjakun e tyre coptimin e vendit ose kontrollin e pjesshëm të tij nga një Fuqi e Madhe.

Ata rikthyen flamurin e shenjtë të pavarësisë së kërcënuar nga asgjësimi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Uillson, u kishte ndalur dorën fuqive europiane dhe kishte parandaluar copëtimin e Shqipërisë.

Lufta e Vlorës dhe zhvillime të tjera të kohës i detyruan Fuqitë e Mëdha të llogarisnin shqiptarët si një faktor për ekuilibrat gjeostrategjikë e gjeopolitikë në rajon e më gjerë dhe të hiqnin dorë nga planet për copëtimin e Shqipërisë.

Kontributi i saj në shtetformim i detyroi kancelaritë e fuqishme që, edhe përkundrejt interesave të tyre, ta pranonin Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920.

Lufta Kombëtare e Vlorës nuk i takon vetëm historisë, por qëndron në themelet e të tashmes dhe të ardhmes së Shqipërisë.

Ne, shqiptarët, kemi qenë midis kombeve që më shumë kanë kontribuar se përfituar nga historia dhe qytetërimi.

Bota ka qenë ndarë në shumë mënyra, por një ndër dallimet më të mëdha është përbërja e saj nga shtete paqedashës dhe luftëdashës, pushtues dhe mbrojtës.

Në kohën e Luftës së Vlorës, kjo ndarje ishte e dukshme, shpërthyese dhe kërcënuese për kombet e vegjël.

Njerëzimi nuk po arrinte që mbarimin e Luftës së Parë Botërore ta kurorëzonte me një paqe të drejtë, jo vetem për shtetet e mëdhenj, por edhe të vegjëlit.

Kjo paqe e pandrueshme, pas më më pak se dy dekadash, e çoi botën drejt një konflikti të ri.

Edhe pse një shtet i ri që vuajti pasojat e marrëveshjeve të padrejta, shqiptarët mbetën në anën e popujve paqedashës.

Midis kombeve që udhëhiqen nga forca e arsyes dhe jo nga arsyeja e forcës. Kurrë shqiptarët nuk e kanë tejkaluar të drejtën e tyre për t’u mbrojtur.

Luftrat që na janë imponuar nuk kanë qene thjesht beteja ushtarake, por ndeshje midis të mirës dhe të keqes, dritës dhe errësirës, dashurisë dhe urrejtjes.

Në çdo kohë, ne, shqiptarët, kemi qenë në krahun e të parave, në anën e duhur të historisë.

Lufta e Vlorës rikonfirmoi këtë të vërtetë, që na bën edhe sot krenarë.

Historianët ndër vite kanë shkruar për këtë ngjarje të madhe kombëtare e për rëndësinë e saj të jashtëzakonshme, për heroizmin e luftëtarëve e për dëshmorët e kësaj Lufte.

Ne sot nuk do të zëvëndësojmë historianët në punën e tyre.

Por një tezë të historiografisë shqiptare dëshiroj ta ritheksoj sonte, në këtë ceremoni: Lufta e Vlorës ishte një luftë kombëtare.

Ishte e tillë për nga rëndësia, rrezatimi dhe ndikimi i saj në të ardhmen e Shqipërisë.

Për faktin se kapedanët e Luftës së Vlorës nga luftrat vinin dhe drejt luftrave shkonin.

Një pjesë e tyre vinin nga luftrat përpjekjet për pavarësi, një pjesë tjetër kishin qenë pjesëmarrës në shpalljen e pavarësisë.

Shumica e tyre pas fitores së Vlorës rendën drejt betejave të tjera, ku i thërriti Shqipëria dhe mbrojtja e territoreve të saj.

Luftën Kombëtare të Vlores e bënë heronjtë dhe luftëtarët e saj, çetat vullnetare, e bëri gjithë populli i Vlorës dhe i Labërisë.

Kur flasim për Luftën e Vlorës, nuk mund të mos kujtojmë e nderojmë simbolin e kësaj Lufte, Selam Musa Salarinë. Monumenti i këtij heroi legjendar na kundron sot vetëm disa maja malesh larg, nga shtepia muze që ndërtuam këto ditë, në vendlindjen e tij, në Salari.

Nderojmë sot kapedanët e luftëtarët Sali Vranishti, Kanan Maze, Zigur Lelo, Sado Koshena, Isuf Rustemi, Toto Hosi, Selman Hyseni, Mato Robi, Bajram Mehmeti, Memo Brati, Mehmet Mallkeqi, Halim Rakipi, Nase Beni, Hodo Zeqiri, Rrapo Çelo, Sheme Sadiku, Beqir Velo, Abdurrahman Çiraku e Zenel Ramohito me shokë.

Në krye të tyre ishin udhëheqës politikë të spikatur, tribunë të mendimit e të aksionit atdhetar, si Osman Haxhiu, Qazim Koculi, Ahmet Lepenica, Spiro Jorgo Koleka, Myqerem Hamzaraj, Halim Xhelo, Murat Tërbaçi, Qazim Kokoshi, Azbi Canua, Jani Minga, Shtjefen Gjeçovi e të tjerë.

Shumë të tjerë janë nderuar ndër vite, siç po vlerësohen edhe në këtë ceremoni jubilare. Panteoni i historisë është i hapur për të gjithë luftëtarët e lirisë e të pavarësisë.

Nuk mund të harrojmë edhe përkushtimin e institucioneve të larta të krijuara nga Kongresi i Lushnjes, si Këshilli i Lartë dhe Këshilli Kombëtar.

Këto institucione morën vendime jetike e të kujdesshme, krijuan një prapavijë e mbështetje të fuqishme për forcat kombëtariste në Luftën e Vlorës si dhe udhëhoqën, në emër të tyre, negociatat me përfaqësuesit e qeverisë italiane, deri në nënshkrimin e protokollit të 2 gushtit 1920.

Ndaj është në nderin tonë ndriçimi i të vërtetës historike dhe vlerësimet e merituara për Kryeministrin e asaj kohe, Sulejman Delvina, për ministrat Hoxhë Kadri Prishtina e Ndoc Çoba e mjaft anëtarë të Këshillit Kombëtar, të cilët u bashkuan dhe mbrojtën kauzën e Luftës se Vlorës.

Nderim e lavdi kapedanëve, luftëtareve dhe çlirimtarëve të Luftës Kombëtare të Vlorës!

Vepra e tyre kombëtare është e përjetshme!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat