Vlorë, “fshatin e duan për vota”

Vlora

Vlorë, “fshatin e duan për vota”

Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 15:11
Grabian

Vetëm 11 km nga Vlora, fshati Grabian vuan mungesën e investimeve. Banorët atje thonë se bashkia e drejtuar nga socialisti Dritan Leli, kujtohet për ta vetëm kur ka për tu kërkuar votën.


“Nuk interesohet asnjëri, vijnë kur është kohë fushate na gënjejnë do ju bëjmë këtë e do ju bëjëm atë, por sa mbarojnë zgjedhjet zhduken”, shprehen banorët.

Këta fshatin e duan për vota.

Kjo është arsyeja pse Bashkia e Vlorës e drejtuar nga socialisti Dritan Leli ka lënë jashtë vëmendjes zonat rurale, sipas këtij banori të fshatit Grabian, ku ankohen se nuk marrin asnjë shërbim.

Uji i pijshëm është shqetësimi kryesore.

Furnizohen vetëm një orë në ditë, por uji nuk pihet pasi shkon i ndotur.

Ndaj duhet të marrin bidonët në krah e udhëtojnë disa kilometra tek burimet më të afërta.

“Ne kemi shumë kohë pa ujë, jemi ankuar në bashki shumë herë na thonë do bëhet por asgjë”, shprehen banorët.

Janë rreth 11 km nga qendra e Vlorës, por thonë se nuk kanë qenë asnjë herë në fokusin e bashkisë.

Kanë dyshime se mungesa e investimeve lidhet edhe me faktin se një pjesë e mirë e banorëve vijnë nga komuniteti egjiptian.

“Ja në cfarë gjëndje është, siç e shikoni kanalizime nuk ka dhe rrugët janë të pashtruara. Ndoshta ne jemi pa përkrahje se i përkasim komunitetit rom, nga racizmi”, shprehen banorët.

Vuajnë mungesën e infrastrukturës.

Kanalizimet e ujërave të zeza dhe mungesa e kontenierëve të mbetjeve thonë se i kanë cuar edhe në konflikte.

“Pisllëqe në cdo krahë, ujërat e zeza janë problem i madh. Kosha mbeturinash nuk ka , i marim plehërat dhe i djegim vetë”, shprehen banorët.

Si në pjesën më të madhe të zonave rurale, paguajnë për shërbime që bashkia nuk ua ofron.

“Pse na i mbajnë taksat të gjitha? Ne nuk shohim as drita , as kosha për mbeturinat, as rrugë. Po të na sëmuret fëmija në mes të natës në nuk kemi ku shkojmë, as ujë nuk pimë dot nga uji sepse nuk pihet”, shprehen banorët.

Në kohë fushatë thonë se u kanë premtuar se hallet që u vështirësojë jetën do të zgjidhen.

Por pasi kryetari shkon në zyrë, thonë se nuk kujtohet më për ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat