Vlorë: Mbështetje për familjet ukrainase të larguara nga lufta

Vlora

Vlorë: Mbështetje për familjet ukrainase të larguara nga lufta

Më: 30 mars 2022 Në ora: 21:12
Natali dhe Maria, dy shtetase nga Ukraina

Vlora është qyteti me numrin më të madh të shtetasve nga Ukraina që kanë ardhur vitet fundit për pushimet verore në Shqipëri. Në këto ditë të luftës në Ukrainë falë këtyre lidhjeve qyteti ka mirëpritur disa familje nga Ukraina. Sipërmarrësit turistikë kanë afruar strehim falas dhe punë dhe kanë shprehur mbështetje për të gjithë ukrainasit që duan të qëndrojnë në Vlorë.

Natali dhe Maria, dy shtetase nga Ukraina i japin zemër njëra tjetrës për të kaluar këto ditë të vështira, kur atdheu i tyre është në luftë.

Të gjendura në qytetin bregdetar të Vlorës, nënë e bijë janë strehuar në një shtëpi dhe kanë nisur të merren dhe me punë falë mbështetjes së sipërmarrjeve vendase.

Natali thotë për Zërin e Amerikës se u largua nga qyteti i saj Dnipro pas fillimit të luftimeve duke përshkuar kufirin e Rumanisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut për të qëndruar në Shqipëri, ku njerëzit, sic thotë ajo, janë të dashur dhe miqësorë.

Natali thotë se së bashku me nënën e përcjellin me mjaft dhimbje situatën duke qenë në kontakt me miqtë dhe fqinjët.

“Situata është shumë e rëndë sepse shumë njerëz dhe shumë fëmijë kanë vdekur, nuk është një luftë është genocid”, thotë Natali në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Natali thotë se cdo ditë lutet për Ukrainën.

“Unë lutem për Ukrainën dhe shpresoj nga thellësia e zemrës që lufta do të përfundojë dhe agresioni rus do të ndalet”. “Unë dua të kthehenm në shtëpi pasi gjithë jeta ime është në Ukrainë”, thotë e përlotur Natali.

Natali dhe nëna e saj që nuk dëshirojnë të identifikohen me mbiemrin e tyre për shkak të sigurisë për të afërmit që ajnë ende në Ukrainë ishin dy vite më parë për psuhime në Resortin Turistik “Regina blu” në Vlorë.

"Pronari na takoi dhe i afroi nënës punë në hotel dhe tani punojmë së bashku. Ai na ndihmoi të kemi nje apartment të mirë falas dhe tani punojmë dhe jetojmë", thotë Natali.

Nëna punon tek Hoteli ndërsa Natali është punësuar në një Sallon bukurie për gratë dhe vajzat në Vlorë

Vasil Bedini pronari i “Regina Hotel” që drejton edhe Unionin Turistik të Vlorës thotë për Zërin e Amerikës se është shprehur mëbshtetje e plotë për qytetarët e Ukrainës që kanë ardhur në Shqipëri.

“Shumë nga operatorët turistikë që kanë pasur marëdhënie të drejtëpërdrejta me qytetarët ukrainas i kanë shrpehur mbështetje dhe i kanë pritur ata dy tre javët e kaluara.Aktualisht kemi disa prej qytetarëve ukrainas të cilët ndodhen në qytetin e Vlorës të akomoduar dhe të punësuar gjithashtu. Që në ditë e para që është krijuar konflikti në Ukrainë ne si hotelierë kemi pasur kontaktet e klientëve, kemi ndërruar e-maile pa fund për t`u shprehur përkrahjen tonë dhe për tu afruar atyre akomodim apo një vend më të qetë se vendi i tyre.”

Zoti Bedini thotë më tej se numri i turistëve nga Ukraina në qyetin bregdetar ka qenë më i larti këto vitet e fundit dha ai shpreson që lufta të përfundojë sa më shpejt.

“Në bazë të statistikave që ne kemi midis operatorëve turistikë dhe partnerëve ukrainas kemi një shifër mbi 29 mijë pushues ukrainas në Vlorë. Këta janë turistët që kanë ardhur me çarter pasi prurjet turistike nga Ukraina kanë qenë më të larta po të marrim parasysh ata që e organizojnë vetë udhëtimin e tyre. Qarku i Vlorës në këto dy tre vitet e fundit ka mirëpritur numrin më të madh të pushuesve ukrainas në Shqipëri”.

Qeveria shqiptare ka vendosur së fundi që shtetasit e Ukrainës kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë për një afat deri një vit. Sipas të dhënave zyrtare rreth 500 shetas nga Ukraina kanë qëndruar në territorin shqiptar që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë, kryesisht në zonën bregdetare Vlorë-Sarandë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat