Flet Mumtaz Dhrami: Nëse do e shihte Kristaq Rama projektin e ri në Vlorë, do skandalizohej!

Vlora

Flet Mumtaz Dhrami: Nëse do e shihte Kristaq Rama projektin e ri në Vlorë, do skandalizohej!

Më: 5 prill 2022 Në ora: 20:24
Mumtaz Dhrami

Një nga autorët e Monumentit të Pavarësisë, Mumtaz Dhrami, është shprehur kundër rikonceptimit të veprës që ndodhet në qytetin e Vlorës.

Sipas skulptorit, projekti i ri nuk përcjell asnjë emocion për spektatorin.

“Monumenti gjithnjë mendohet me pjesën arkitektonike, duke i hequr këtë pjesë dhe duke ndryshuar raportin mes spektatorit dhe monumentit, duke i hequr bazamentin ku njerëzit hipnin përmes shkallëve”, shprehet Dhrami.

Monumenti i Pavarësisë i ndërtuar nga Kristaq Rama, Muntaz Dhrami, Shaban Hadëri në Vlorë në vitin 1972 dhe i mbuluar me bronz, është i lartë 17 metra.

Në qendër të grupit skulpturor është figura e Ismail Qemalit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar.

Sipas Dhramit, si i vetmi autor që jeton ende, atij nuk i është marrë asnjë mendim për ndryshimin e bërë.

“Kristaqi, Shabani dhe Koçua kanë vdekur, vetëm unë jam gjallë por nuk më ka pyetur njeri për ndryshimin e monumentit të pavarësisë. Jam kundër kësaj vendosje që kanë menduar, humb çdo lloj marrëdhënie e monumentit me spektatorin”, thotë skulptori.

“Monumenti tani, duket sikur është bërë një skulpturë dekorative e ndonjë shtojzavalle, dhe nuk ka asnjë linjë që lidhet me monumentin e nuk krijohet ai emocioni i veçantë. Muri prej betoni nuk ka të bëjë fare me frymën e monumentit. Nëse kolegët do e shihnin do skandalizoheshin”, përfundon Dhrami.

Në rrëfimin e tij artisti Dhrami, kujtoi dhe momentin kur u hodhën idetë e para për krijimin e monumentit të pavarësisë, ku veçoi bashkëpunimin me kolegët Kristaq Rama, Shaban Haderi, e Koço Çomi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat