Balluku në bypass-in e Vlorës: Përfundon plotësisht në fillim të sezonit turistik të këtij viti

Vlora

Balluku në bypass-in e Vlorës: Përfundon plotësisht në fillim të sezonit turistik të këtij viti

Më: 8 maj 2022 Në ora: 15:27
Belinda Balluku

Në bypass-in e Vlorës po për të bërë të mundur përfundimin e plotë të veprës duke e hapur për qarkullimin e automjeteve në fillim të sezonit turistik të këtij viti. Aktualisht punimet janë përqendruar në zonën e Kaninës, e cila ka qenë edhe zona ku janë evidentuar problematika të cilat lidhen me gjeologjinë, por që tashmë kanë marrë zgjidhje.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi ndoqën nga afër punimet në këtë pjesë të rrugës.

Berberi tha se këtë sezon turistik bypass-i do të jetë plotësisht i hapur për qarkullimin e automjeteve dhe për këtë po punohet paralelisht në disa pika.

“Përveç gërmimeve dhe përforcimit të skarpateve kemi filluar dhe me shtresat e rrugës. Në këtë moment kemi shtresën e stabilizantit dhe shumë shpejt këtu do fillojë asfaltimi, në mënyrë që të ecim paralelisht me disa procese. Pra, jo vetëm gërmime, përforcime, por edhe mbushjen e trupit të rrugës dhe ecjen e asfaltit pasi siç e dimë kemi një afat për të kapur dhe ky është ritmi i duhur për ta kapur atë afat”, u shpreh Berberi.

Ministrja Balluku e cilësoi bypass-in e Vlorës, si një vepër shumë komplekse, por të rëndësishme për zhvillimin turistik të vendit, i cili lehtëson aksesin drejt bregdetit të jugut.

“Unë jam e sigurt që në përfundim të kësaj vepre banorët e Kaninës, Vlorës, por edhe të gjithë vizitorët e jugut do të arrijnë që të kuptojnë rëndësinë që ka pasur ndërtimi i këtij bypass-i dhe sigurisht ka një rëndësi si për kohën më të shkurtër që të gjithë drejtuesit e automjeteve do të kenë për të aksesuar jugun, por nga ana tjetër edhe për të lëvizur të gjithë trafikun nga qendra e Vlorës ku krijoheshin radhë të gjata, por edhe problematika për bizneset të cilat ndodhen në Lungomare, por edhe më tutje”, deklaroi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi angazhim maksimal për përfundimin e plotë të veprës në dy muajt e ardhshëm duke e bërë atë të aksesueshme për të gjithë drejtuesit e automjeteve javën e parë të muajit korrik kur nis edhe sezoni turistik.

“Nuk kemi më mundësi as për të shtyrë kohën, as afatet. Duhet përfunduar sipas kontratës. Unë pres që në javën e parë të korrikut, si sot dy muaj, ne të kemi mundësi të aksesojmë këtë rrugë zyrtarisht dhe të përfunduar. Sigurisht nuk e vë askush në dyshim që do të ketë kolaudime të vogla që do të ndodhin përsa i përket skarpateve apo ndarëseve, megjithatë rruga duhet të jetë në shtrat e gjitha e përfunduar me tapet, sinjalistikë dhe gjithçka tjetër”, nënvizoi Balluku.

Bypass-i i Vlorës ka një gjatësi prej 29 kilometrash. Pjesë e projektit janë edhe disa vepra arti.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat