Moti i pafavorshëm dhe deti i trazuar, ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla në Vlorë

Vlora

Moti i pafavorshëm dhe deti i trazuar, ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla në Vlorë

Më: 2 janar 2026 Në ora: 11:44
Foto ilustrim

Autoriteti Portual i Vlorës ka njoftuar se, për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike detare, do të ndalohet përkohësisht lëvizja e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit për një periudhë prej pesë ditësh.

Sipas njoftimit zyrtar, bazuar në parashikimet për mot të keq brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, ndalimi do të jetë në fuqi nga ora 06:00 e datës 2 janar 2026 deri në orën 06:00 të datës 7 janar 2026. Gjatë kësaj periudhe priten erëra në drejtimin jug–jugperëndim me forcë deri në 5–6 bofor, shpejtësi ere nga 10 deri në 15 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1 deri në 1.5 metra.

Autoriteti Portual njofton se është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda Gjirit të Vlorës dhe në det të hapur. Drejtuesit e mjeteve lundruese dhe subjektet e peshkimit këshillohen të marrin në konsideratë kushtet e vështira detare dhe të zbatojnë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve.

Autoritetet u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e detarisë të bashkëpunojnë për parandalimin e situatave të rrezikshme dhe për sigurimin e mjeteve në port.

Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normalisht sipas destinacioneve përkatëse. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike pritet pas orës 06:00 të datës 7 janar 2026.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat