Ish-kreu i policisë së Vlorës: Kemi identifikuar 1600 persona me probleme mendore

Vlora

Ish-kreu i policisë së Vlorës: Kemi identifikuar 1600 persona me probleme mendore

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 10:05
Agim Basha

Ngjarja horror e ndodhur ditën e djeshme në Palas, ku një person me probleme mendore i ka prerë kokën një 12-vjeçari, ka tmerruar opinion publik. Ish-Shefi i Komisariatit të Vlorës, Agim Basha, duket se ka qenë në dijeni për problematikën që sjellin njerëzit me probleme mendore, ku ai ka konstatuar një shifër shumë të lartë me sjellje agresive.

Sipas tij, krimi makabër i ndodhur në Palasë ekspozon indiferencën kolektive dhe institucionale ndaj personave me shëndet mendor të dëmtuar. Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, Basha thotë se sëmundjet mendore që prekin jo pak njerëz nuk janë vetëm një problem individual. Disa nga këta të sëmurë janë rrezik publik.

“Në një nga detyrat e mia si shef i Komisariatit të Policisë në një rreth konstatova se shumë zënka e konflikte me ose pa pasoja kishin protagonist personat me probleme mendore. Kjo më nxiti të bëj identifikimin e numrit të përgjegjshëm dhe të përcaktoja kush përbënte rrezik. Shifra ishte befasuese rreth 1600 persona kishin probleme me shëndetin mendor. Kishte dhe disa qindra që e mbanin të fshehtë. Dhjetëra prej tyre ishin agresivë që për publikun dhe policinë do të thotë rrezik. Edhe pse identifikuam personat, adresat e banimet, vendosëm komunikim me familjarët duke i udhëzuar dhe aksesuar për çdo rast, kuptova pamundësinë e policisë”, shkruan ish-shefi komisariatit të Vlorës.

Ai thekson se është përgjegjësi e institucioneve të shëndetit dhe pushtetit vendor zgjidhja e përhershme e trajtimit të personave me shëndetin mendor të dëmtuar. Nuk mund të shpërfillen më.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat