Heqja e vizave, turistët nga Arabia Saudite “pushtojnë” Llogoranë

Vlora

Heqja e vizave, turistët nga Arabia Saudite “pushtojnë” Llogoranë

Më: 3 shtator 2016 Në ora: 10:40
Zonat turistike të Parkut Kombëtar të Llogorasë

Dhjetra turistë nga Arabia Saudite, kanë mbërritur në zonën turistike të Parkut Kombëtar të Llogorasë (Vlorë), për të kalur pushimet.

Kjo zonë malore, ndër më tërheqëset në Shqipëri, është shndërruar tashmë në një destinacion turistik mjaft të spikatur për shtetasit nga Arabia Saudite, ashtu si edhe qindra të tjerë nga vende të ndryshme të botës. Kam qenë dëshmitar këto ditë për praninë e turistëve arabë në Llogora, të cilët spikasin dukshëm krahasuar mes atyre nga vende të tjera edhe për shkak të veshjes së femrave(perçja).

Edmond Gjipali, punonjës në Fshatin Turistik “Llogora”, një resort turistik mjaft i njohur, thotë se, vetëm javën e kaluar, mjaft familje mbërritën në këtë mjedis, duke zgjedhur për t’u akomoduar, viletat, që ndodhen në këtë resort.

“Preferojnë të pushojnë në vileta, ndoshta për shkak se janë familjarë, pra prindërit vijnë së bashku me fëmijët”, shprehet ai.

Duke iu referuar klientëve nga ky vend, Mondi sqaron se, turistët nga Arabia Saudite, preferojnë të bëjnë pushime në zona malore. Dhe, duke ju referuar asaj çka pashë vetë, ata e shprehin dukshëm kënaqësinë për ajrin e pastër e të freskët, për gjelbërimin, për mundësinë që të argëtohen në këtë qetësi mahnitëse.

Madje, një pasdite, ndërsa Parku Kombëtar i Llograsë u pushtua nga reshjet e shiut, shtetasit arabë, të mëdhenj e të vegjël, i gëzoheshin asaj çka përjetonin. Shiu ishte për ta, një fenomen mahnitës. Qëndronin jashtë viletave të tyre dhe shijonin rrebeshin e shiut që i lagte.

Fëmijët, më të papërmbajtur në sjelljen e tyre, loznin duke ndjekur njëri tjetrin në atë masiv të gjelbër në resortin turistik, duke qeshur e bërtitur nga gëzimi.

Me druajtjen për t’iu drejtuar me ndonjë pyetje turistëve arabë, këmbëngul të marr ndonjë informacion më shumë për ta, nga punonjësi i resortit, që tregohet i gatshëm.

Ai thotë se, destinacioni i tyre është Llogoraja, madje resorti në fjalë, për shkak të dimensioneve të pranueshme të tij dhe hapësirës.

“Nuk pëlqejnë të shkojnë në det, por qëndrojnë këtu, prindër e fëmijë”, tregon Mondi. Ai shton se, menyja e ushqimit të tyre është e thjeshtë dhe po ashtu edhe sjellja e tyre. Burrave u pëlqen të shëtisin gjatë ditës në mjedisin pyjor, ndërkohë që fëmijët luajnë dhe argëtohen në atë hapësirë të gjelbër ku funksionojnë edhe mjaft lodra.

Gratë, pëlqejnë të mblidhen së bashku e të kalojnë orë të tëra në shoqërinë e njera tjetrës, ndërkohë që mbrëmjeve, i sheh të mblidhen në sheshin e mbuluar nga bari , në hapësirën e kësaj qendre turistike.

Shpesh, për shkak të veshjes së tyre(perçes), ato shihen tinëz nga pushuesit e tjerë dhe turistët e huaj, që janë të shumtë në këtë resort. Por, këto vështrime, që nuk shprehin asgjë, përveçse një kuriozitet, nuk zgjasin shumë. Në tërësi, ky mjedis mbledh së bashku turistë nga vende të dryshme të botës dhe, shtetasit arabë, janë mes tyre, madje ndër ta që, për momentin përbëjnë shumicë në atë komunitet, që i ka mbledhur së bashku, në një vend, synimi për të pushuar, për të kaluar disa ditë në një vend të qetë, të gjelbër dhe me kushte komode.

“Prej shumë javësh, turistët nga Arabia Saudite janë bërë një dukuri e zakonshme këtu. Kanë ardhur dhe vazhdojnë të vijnë”, vijon tregimin e tij për ATSH-në, punonjësi i resortit turistik mjaft të njohur në Parkun Kombëtar të Llogorasë.

Ai sqaron se, ardhja e tyre lidhet veç të tjerash, me lehtësinë e udhëtimi dhe të hyrjes në Shqipëri, pas heqjes së vizave për ta.

Në prag të sezonit turistik, Qeveria Shqiptare, hoqi vizat e hyrjes në vend, për shtetasit nga 6 vende, mes të cilëve nga Arabia Saudite, Katarri, Omani, Rusia, Gjeorgjia, Bjellorusia. Sipas këtij vendimi, shtetasit nga këto vende, për periudhën 15 maj-1 nëntor, mund të hyjnë në Shqipëri vetëm me pasaportë, pa patur nevojë për viza.

Nuk kam informacion të saktë për të tjerët, por, për rastin e Arabisë Saudite, ky vendim e ka kryer funksionin e vet. Duke ju referuar tregimit të drejtuesve të resortit turistik në fjalë, numri i turistëve nga ky vend ka qenë mjaf i lartë dhe po shënon rritje. Edhe për javët në vazhdim, ky numër pritet të shënojë rritje të mëtejshme, çka do të thotë se, turistët nga Arabia Saudite do të vazhdojnë të vijnë në Shqipëri, për të shijuar bukuritë e vendit, ku Llogoraja mbetet ndër destiacionet turistike më të preferuara për ta.

Ndërkohë, interesim në rritje ka ngjallur Llogoraja, si edhe pjesa e bregdetit të jugut, për turistë nga Rusia, ndërkohë që, vitin e kaluar, Vlora u përfshi në axhendën turistike dhe për shtetasit nga Bjellorusia. Një vit më parë, teksa bisedoja me administratorin e një resorti turistik në bregdetin e Rradhimës, ai më thoshte se, kishte patur për herë të parë pushues nga Bjellorusia, të cilët e kanë pëlqyer mjaft bregdetin vlonjat. Gjatë këtij viti, turistët nga ky vend, kanë ardhur sërish jo vetëm në resortin në fjalë, por edhe në të tjera, ndërkohë që, ata nga Rusia, tashmë janë vizitorë të zakonshëm.

Drejtuesit e resortit të njohur në Llogora, thonë për ATSH-në se, agjenci të ndryshme kanë kërkuar rezervim për kontigjente turistësh nga Libani.

“Për periudhën shtator-dhjetor”, presim dhjetra turistë nga ky vend, që vijnë për herë të parë në Shqipëri dhe këtu tek ne”, thotë Ermioni, administratore e resortit “Fshati Turistik Llogora”. Ndoshta ky është edhe një sinjal, që edhe për shtetasit nga ky vend, të ndiqet e njëjta praktikë në rregjimin e vizave të hyrjes në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat