Plani i përgjithshëm vendor i Vlorës, drejt finalizimit

Vlora

Plani i përgjithshëm vendor i Vlorës, drejt finalizimit

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 19:56
Pamje nga prezantimi

Plani i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë së Vlorës, tashmë është në prag të finalizimit. Procesi për përgatitjen e tij nga “Dea Studio & Thymio Papayanis Group”, ka hyrë në fazën e tretë dhe shumë shpejt, brenda muajit janar do të jetë gati.

Plani i Përgjithshëm Vendor është kushtetuta e Bashkisë, është referenca e zhvillimit perspektiv të Vlorës. Ai merr parasysh të gjitha resurset natyrore e njerëzore që përfshihen në Bashkinë e Vlorës, i vlerëson ato në tërësinë e ndikimit respektiv dhe ndërton linjat e të ardhmes.

“Në një këndvështrim më të plotë, Plani i Përgjithshëm Vendor, hedh bazat dhe orienton zhvillimin e qëndrueshëm në përshtatje me ritmet dhe standardet bashkëkohore, është dritarja dhe mundësia që na përafron me vendet më të zhvilluara. Me vënien e tij në efiçensë në fillim të vitit të ardhshëm, përpara nesh hapet një sfidë; sfida jonë për ditët, javët, muajt dhe vitet që vijnë”, shprehet Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Sips tij, Plani i Përgjithshëm Vendor bazohet në konceptet moderne të zhvillimit, që janë ato të sistemeve territoriale, të cilat nga ana tjetër, përbëjnë një risi në legjislacion. Janë pesë sisteme të tilla, natyror, ujor, urban, infrastrukturor, me nënkategoritë përkatëse, të cilët në harmoni dhe në funksion me njëri-tjetrin, garantojnë një perspektivë të qëndrueshme.

“Në vetvete, Plani i Përgjithshëm Vendor, mbetet një nga sfidat e mia, një nga synimet pjesë e programit tim në krye të Bashkisë. Me miratimin e tij, resurset tona marrin një tjetër vlerë. Ato janë pjesë e një objektivi për të cilin po punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë me intensitet. Tokat e sistemit natyror dhe bujqësor, tashmë nuk do të jenë më objekt ndërtimi. Sistemi infrastrukturor, apo ai urban, janë konceptuar në një perspektivë dhe dinamikë tjetër, sikundër edhe në qytetet dhe vendet më të zhvilluara. Rrugë të alternuara në funksionin dhe rolin e tyre shumëdimensional, objekte e resurse me vlerë të alternuara në kapacitetet dhe mundësitë që ofrojnë. Këto janë pak nga konceptet e këtij plani, që nuk përjashton kurrsesi, ato që janë hartuar e vënë në zbatim më parë, por që tashmë, vlerësohen me një këndvështrim tjetër”, përfundon Leli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat