“Transballkanikja” në Vlorë, model i një qyteti që po ndryshon çdo ditë

Vlora

“Transballkanikja” në Vlorë, model i një qyteti që po ndryshon çdo ditë

Më: 15 janar 2017 Në ora: 15:55
Foto arkiv

“Transballkanikja” në Vlorë përfaqëson modelin e një qyteti që po ndryshon çdo ditë. Transformimi dhe modernizimi i kësaj rruge, sipas Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, “përbën provën dhe argumentin e vizionit tonë për Vlorën e dekadave që vijnë”.

Projekti me një vlerë prej rreth 118 milionë lekë (të reja), të akorduara nga qeveria përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, nisi në vitin 2016, dhe në finalizimin e punimeve, kjo rrugë transformohet në një aks modern me të gjitha elementët, duke u plotësuar me ndriçim të lartë dhe pedonal, me gjelbërim, me trotuare, me sinjalistikë horizontale e vertikale, duke përfshirë edhe semaforët.

Rruga “Transballkanikja”, është një nga segmentet më të njohura në qytetin e Vlorës. Pas rindërtimit, ajo është shndërruar në një nga dy arteriet kryesore në qytetin e Vlorës, krahas bulevardit. Por, është shumë pak e njohur origjina e emrit të kësaj rruge.

Emërtimi i “Transballkanikes” e ka origjinën tek një plan i Romës zyrtare në vitet 1930-të, për ndërtimin e një linje hekurudhore, ose më saktë të një arterie gjigande komunikimi me destinacion Lindjen. Në projektet e saj, qeveria e kohës e Italisë, synonte ekspasionin drejt Lindjes dhe pjesë e strategjisë përkatëse, ishte edhe ndërtimi i një linje hekurudhore me destinacion Konstandinopojën (Stambollin).

Kjo linjë hekurudhore gjigande, ose më saktë një arterie e madhe që do të niste nga Roma, do të kishte dy degëzime në Ballkan (Shqipëri), njera duke u nisur nga Durrësi dhe tjetra nga Vlora. Ishte një plan që synonte ringjalljen e Perandorisë Romake(Perëndim-Lindje), përmes rivitalizimit të Rrugës së famshme Egnatia. Kjo linjë hekurudhore(që sot përputhet në fakt me Korridorin Paneuropian numër 8), që simbolikisht ndërpritej në Bari dhe Brindisi, do të vazhdonte më pas, nga Vlora dhe Durrësi, drejt Follorinës, Selanikut dhe më tej në Konstandinopojë.

Këtu e ka edhe origjinën emërtimi i “Transballkanikes”, e cila nisi të ndërtohej në vitin 1930, si një trase me gjatësi prej rreth 2.8 km. Zona moçalore e kësaj pjese të qytetit të Vlorës, shtronte domosdoshmërinë e realizimit të një projekti ambicioz, të një traseje që niste nga hyrja e portit dhe vazhdonte për në dalje të qytetit të Vlorës, me drejtim nga Fieri. Në terminologjinë e kohës, gjithë ky projekt gjigand, që mbeti vetëm në letër, u emërtua “Transbalcanica”, ndërkohë që në kujtesën e banorëve të qytetit ky term u shqipërua dhe iu dedikua vetëm segmentit të mësipërm, i cili në fakt ishte edhe objekti i vetëm i realizuar në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat