Denoncon mjekët e Vlorës: Janë përgjegjës për vdekjen e foshnjës sime

Vlora

Denoncon mjekët e Vlorës: Janë përgjegjës për vdekjen e foshnjës sime

Më: 6 qershor 2017 Në ora: 07:36
Spitali i Vlorës

Një 36-vjeçar ka paditur dje mjekët e madje edhe maternitetin e Vlorës, duke i akuzuar për vdekjen e foshnjës së tij në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Sipas të dhënave të Policisë, dje është paraqitur në komisariat shtetasi me inicialet F.H. Ai ka vënë në dijeni blutë se pak ditë më parë, bashkëshortja e tij kishte humbur fëmijën, ndërsa ka akuzuar mjekët se nuk e kanë sqaruar siç duhej në lidhje me ngjarjen, por edhe për ecurinë e shtatzënisë së të shoqes 31-vjeçare.

Mjaft i ngarkuar psikologjikisht për ngjarjen e ndodhur, i riu ka kërkuar hetime. Ai nuk ka qenë në gjendje të japë emra konkretë, por ka hedhur akuza ndaj maternitetit e bluzave të bardha si përgjegjës të humbjes së fëmijës së tij. Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë, por 36-vjeçari i është drejtuar vetëm dje policisë, ku edhe ka kryer kallëzimin. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimin, ndërsa pritet të merren në pyetje mjekët që kanë asistuar gjatë shtatzënisë së 31- vjeçares, konsultat që ajo ka bërë, si dhe të gjithë kartelën klinike në lidhje me vizitën e fundit kur e reja ka kryer më datën 27 maj.

“Mjekët nuk na sqaruan çfarë kishte ndodhur dhe pse ka ndodhur, na thanë se fëmija kishte një javë i vdekur në barkun e nënës. Të hetohen mjekët”, është shprehur në polici i riu, duke i akuzuar ata si shkaktarë. Ndërkaq, burime nga spitali bënë të ditur se gruaja kishte shkuar në gjendje jo të mirë në spital për të kryer një konsultë. Ajo ka deklaruar se nuk e ndiente më fëmijën të lëvizte.

Mjekët kanë kryer vizitën e nevojshme dhe kanë konstatuar se fëmija rreth gjashtëmuajsh nuk ishte më në jetë. Shkaku ende nuk është konfirmuar, por sipas bluzave të bardha, nga të dhënat paraprake rezultoi se foshnja kishte të paktën 1 javë i vdekur në barkun e nënës. Fatmirësisht kjo e fundit nuk ka pasur komplikacione që t’i rrezikonin jetën.

Pas ndërhyrjes së kryer në maternitetin e Vlorës, nëna e ka kaluar rrezikun për jetën dhe ka dalë nga spitali, por vetëm disa ditë pas ngjarjes, babai i foshnjës së vdekur i është drejtuar policisë duke akuzuar mjekët jo vetëm si shkaktarë, por edhe se nuk i kanë sqaruar ata si prindër se çfarë kishte ndodhur dhe se pse fëmija kishte ndërruar jetë.

“Pas kallëzimit, kanë nisur hetimet ku do të studiohen kartelat klinike për të evidentuar se çfarë kanë shënuar mjekët dhe se si është ndjekur nga bluzat e bardha rasti i nënës që humbi fëmijën”, bënë të ditur burime nga Policia e Vlorës. Mësohet se dosja tashmë do t’i referohet Prokurorisë së këtij rrethi, e cila pritet të marrë në pyetje edhe mjekët e infermierët që kanë qenë në turn ditën kur është konstatuar vdekja e fëmijës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat