Akuzuan Dritan Lelin se i dha sheshin PS-së, ja e vërtet

Vlora

Akuzuan Dritan Lelin se i dha sheshin PS-së, ja e vërtet

Më: 8 qershor 2017 Në ora: 22:20
Sheshi para "Flamurtarit" në Vlorë

Afrimi i datës së zgjedhjeve parlamentare dhe tronditja e pozitave të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Vlorës kanë vënë këto të fundit në lëvizje për të sajuar përplasje artificiale politike. 

E tillë është “flluska” e krijuar me çështjen e dhënies për përdorim të një sheshi nga Bashkia e qytetit për subjektin politik Partia Socialiste. Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë avancuar deri aty sa në media kanë kërkuar shkarkimin e kreut të Bashkisë Dritan Leli me pretendimin se ka shkelur ligjin duke dhënë një shesh për një muaj në përdorim një force politike. 

Në vijim të gafës së kandidates për deputete të Partisë Demokratike Nada Meçorapeja që e ngatërroi sheshin e Flamurit me sheshin pranë Universitetit Pavarësia edhe Lëvizja Socialiste për Integrim shkel në të njëjtin terren. Pavarësisht se e di mirë se për cilin shesh bëhet fjalë, LSI furnizoi mediat pranë saj me të dhëna të rreme se Bashkia kishte dhënë një force politike Sheshin e Flamurit. 

Ky alarm fals i krijuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim e Vlorës me synim krijimin e një debati politik në këtë qytet, u përqafua menjëherë nga zv.kryeministrja që përfaqëson Partinë Demokratike Ledina Mandija. Kjo e fundit u tregua e zellshme ti kërkonte llogari kryebashkiakut Dritan Leli për këtë akuzë të LSI. 

Po si qëndron e vërteta pas gjithë kësaj stuhie në gotë boshe?! Së pari, nuk bëhet fjalë për Sheshin e Flamurit por për një kënd ambient të jashtëm në krah të Pallatit të Sportit Flamurtari. Subjekti politik Partia Socialiste ka kërkuar miratimin nga Bashkia e Vlorës që ky ambient të mund të shfrytëzohet prej saj për disa aktivitete të cilat do të shtrihen në harkun kohor të një muaji.

Bashkia ka dhënë dakordësinë për këtë kërkesë në përputhje të të gjitha përcaktimeve ligjore që nuk kufizojnë forcat politike në kërkesat për organizim aktivitetesh pavarësisht nëse përkojnë me periudhë fushatash apo jo. 

Nga subjekti politik Partia Socialiste, kjo hapësirë deri më tani rezulton të jetë përdorur rreth 7 herë për aktivitete të ndryshme që nuk kanë zgjatur më shumë se 5 orë. Me përfundimin e aktivitetit, gjithçka e vendosur në këtë ambient është zhvendosur dhe këndi është kthyer në gjendjen normale. I tillë është edhe aktualisht, ditë e enjte ora 19:20 kur janë realizuar këto fotografi që shikoni krah këtij artikulli.

Nuk ka asnjë konstruksion shtesë në këtë shesh dhe as ndonjë element promocional partiak ashtu sikurse nuk ka të bëjë fare me qarkullimin pasi ndodhet në krah të rrugës kryesore. 

Çfarë e bën qesharake Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokratike në këtë përpjekje të shëmtuar?! Partia Demokratike që zuri pa leje bulevardin kryesor të Tiranës për disa muaj rresht natë e ditë duke bllokuar qarkullimin e arteries më të rëndësishme të qytetit, kërkon llogari për një kënd të tillë që nuk pengon asnjë element qarkullimi dhe nuk ka asnjë konstruksion si çadra e famshme e Lulzim Bashës. 

Dy vite më parë, kur zhvillohej fushata zgjedhore për kryebashkiakun e Vlorës, për të njëjtin ambient, Partia Socialiste ka marrë leje njësoj në Bashki dhe ka përdorur atë për aktivitete të herë pas hershme gjatë një muaji të plotë. Në atë kohë, Lëvizja Socialiste për Integrim ishte në koalicion me Partinë Socialiste dhe nuk u alarmua. Sot, kur Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë vetëm në zgjedhje e paraqet si një rast shkeljeje flagrante të ligjit.

Për të mos mjaftuar me kaq, nëse qenka e ndaluar dhënia e të drejtës partive për të përdorur atë shesh për aktivitete, si ka mundësi që vet LSI e ka kërkuar këtë ambient përmes shkresës së datës 3 Qershor 2017?! A është i drejtë në fakt sugjerimi i Bashkisë për LSI kur i kërkon të gjejë një ambient tjetër për të shmangur edhe përplasjet që mund të ndodhin mes militantëve të forcave të ndryshme politike nëse bëjnë aktivitetet në të njëjtin vend?! 

Kjo tentativë e PD dhe LSI për të krijuar tension politik në Vlorë duket se dështoi për shkak të vet qëndrimeve të mëparshme të këtyre dy forcave politike që sot janë të pabesueshme për qytetarët e Vlorës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat