“100 mijë euro ose të vramë”, si i futi biznesmeni në kurth dy gjobëvenësit e Vlorës

Vlora

“100 mijë euro ose të vramë”, si i futi biznesmeni në kurth dy gjobëvenësit e Vlorës

Më: 14 gusht 2017 Në ora: 22:23
Policia shqiptare

I vunë 100 mijë euro gjobë një biznesmeni, përfundojnë në pranga dy të rinj nga Vlora. Policia ndërhyri duke arrestuar dy autorët në momentin që ata prisnin të merrnin në dorëzim shumën e parave nga biznesmeni pasi kishin lënë takim në periferi të qytetit, shkruan “Panorama”.

Dy të rinjtë e arrestuar kërcënonin prej muajsh biznesmenin me anë të telefonit, ndërkohë që ditët e fundit 46-vjeçari kishte marrë prej tyre edhe ultimatum për t’u dorëzuar shumën e parave të kërkuar pasi në të kundërt do ta vrisnin. Dy të arrestuarit janë Endri Beqiraj, 28 vjeç dhe Juli Rrokaj, 25 vjeç, të dy banues në qytetin e Vlorës. Ndërsa shënjestër e tyre është shtetasi me iniciale SH.S., 46 vjeç, të cilit i kërkohej të paguante një shumë prej 100 mijë euro. Dy gjobëvënësit u arrestuan në fshatin Qishbardhë, rreth 4 kilometra larg Vlorës nga specialistët e seksionit të krimeve ndaj personit, pasi po mbaheshin në përgjim. Mbajtja në përgjim e dy të rinjve erdhi pasi 46- vjeçari pas kërcënimeve të vijueshme prej tyre kishte kërkuar ndihmën e policisë. Shuma prej 100 mijë ishte rënë dakord që të dorëzohej në fshatin Qishbardhë, pas kërkesës edhe të dy të arrestuarve, për të qëndruar sa më larg qytetit.

Pas telefonatave të vijueshme nga Beriraj dhe Rrokaj, në bashkëpunim edhe me policinë, 46-vjeçari kishte pranuar që të “paguante” shumën prej 100 mijë euro duke rënë dakord edhe me dy shtetasit për vendin e dorëzimit të tyre. Por, pikërisht në momentin kur pritej të dorëzohej shuma e kërkuar, Beriraj dhe Rrokaj u arrestuan në flagrancë nga Policia e Vlorës. “Specialistët e Seksionit të Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, duke përdorur metodat speciale të hetimit si edhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, më datë 12.08.2017, në fshatin Qishbardhë kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasve: Endri Beqiraj, 28 vjeç, banues në Vlorë dhe Julo Rrokaj, 25 vjeç, banues në Vlorë.

Të dy këta shtetas prej disa muajsh kanë kërcënuar me anë të telefonit, shtetasin Sh.S., 46 vjeç, banues në Vlorë, që t’u jepte një sasi vlerash monetare prej 100.000 euro”, thuhet në njoftimin e Policisë. Ndaj dy të rinjve do të rëndojë akuza për veprën penale të “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”. Shkak për gjobëvënien ndaj biznesmenit mësohet nga burime pranë Policisë është një ngjarje e ndodhur pak kohë më parë. Një prej të arrestuarve, 28-vjeçari Endri Beriraj mësohet se ka patur një grindje me 46-vjeçarin për motive të dobëta. Grindja mes tyre kishte ardhur në çaste gjaknxehtësie, por kjo ngjarje shërbeu si rast për të riun për të kërcënuar biznesmenin. Pikërisht pas grindjes me 46-vjeçarin, ka nisur edhe kërcënimi i 28-vjeçarit në bashkëpunim me shokun e tij, Juli Rrokaj për t’i kërkuar shumën prej 100 mijë euro biznesmenit nga Vlora. Telefonatat kanë qenë të vazhdueshme gjatë ditëve të fundit, ndërsa duke parë edhe refuzimin e 46-vjeçarit për të mos paguar shumën e kërkuar, dy të rinjtë e kanë kërcënuar atë me jetë. Pas kërcënimeve me vrasje, erdhi edhe “dorëzimi” i biznesmenit për t’u dhënë shumën e kërkuar, por që në fakt ishte një kurth që çoi në arrestimin e tyre në flagrancë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat