Gjatë qëndrimit në Vlorë, kryeministri Edi Rama, por edhe ministra të kabinetit të tij kanë zhvilluar disa takime dhe inspektime në këtë qark.
Fillimisht, Rama është ndalur në Kaninë, qendra e së cilës u shpall zonë e mbrojtur.“Këtu duhet të bëjmë sheshin kryesor. E shpallëm zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore. Duhet ta fillojmë nga këtu të rikthejmë në jetë ish-Qendrën e Kulturës, të bëjmë një sallë konferencash, që të jetë edhe në funksion të Vlorës”, tha kryeministri Rama. Më pas, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, inspektuan Nënstacionin elektrik të Orikumit, i cili pritet të zgjidhë problemin në të gjithë bregdetin e jugut. “Gjithë drama e rëndë e shumë viteve të bregdetit Jon - tha Rama gjatë inspektimit të punimeve, - me këtë zgjidhet përfundimisht, sepse ky është segmenti i fundit i boshllëkut që ishte krijuar që nga elektrifikimi dhe që ka torturuar dynjanë këtu, plus që e bënte sezonin turistik një torturë më vete”.
Një tj etër ndalesë ishte Parku Arkeologjik i Orikumit, ku këtë herë, Rama ishte i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbari. Ky destinacion është shndërruar në shumë të preferuar nga turistët, e së fundmi është në proces rikualifikimi, në mënyrë që të bëhet sa më i qasshëm për të gjithë turistët. Ndërkohë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një bashkëbisedim me maturantë të shkollës “Halim Xhelo”, në qytetin e Vlorës. Perspektiva e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, mundësitë e studimit jashtë dhe rritja e standardeve brenda vendit, ishin disa nga temat që u prekën gjatë këtij bashkëbisedimi.