Vlorë: BE mbështet krijimin e një fondi për sipërmarrjen sociale mes Shqipërisë dhe Greqisë - Bota Sot
Vlorë: BE mbështet krijimin e një fondi për sipërmarrjen sociale mes Shqipërisë dhe Greqisë

Vlora

E mërkurë, 21 nëntor 2018

Vlorë: BE mbështet krijimin e një fondi për sipërmarrjen sociale mes Shqipërisë dhe Greqisë

Më: 16 qershor 2018 Në ora: 10:08
Pamje nga konferenca në Vlorë

BE-ja mbështet krijimin e një fondi për sipërmarrjen sociale mes Shqipërisë dhe Greqisë.  Kjo, do të realizohet përmes Projektit IDEA(Investment Development and Empowrment Action), që synon të bëjë bashkë në tregun shqiptar, kërkesën dhe ofertën. Kërkesën që vjen nga ana e sipërmarrjeve sociale për të pasur fonde në dispozicion për të zhvilluar idetë e tyre të biznesit e për të patur qëndrueshmëri dhe nga ana tjetër, ofertën, e cila vjen prej sistemit bankar, prej institucioneve të ndryshme publike, programeve të ndryshme në mbështetje të sipërmarrjeve sociale, apo të biznesit në tërësi.

Projekti IDEA ”Zhvillimi i Investimeve dhe Veprime Fuqizimi), i mbështetur në kuadër të Programit INTERREG IPA CBC Greece-Albania Program, u prezantua gjatë një takimi të organizuar nga Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, në cilësinë e partnerit lider, ku ishin të pranishëm partnerët nga të dy vendet, mes të cilëve drejtues të Bashkisë Himarë, Universitetit të  Janinës, Bashkisë së Artës(Greqi), “Three Thirds Society”, Greqi, si dhe  aktorë lokalë e përfaqësues të institucioneve në Vlorë.

Gjatë këtij takimi u nënvizua se, nëse në Shqipëri dhe në Evropë ka përgjithësisht programe që synojnë mbështetjen e start-up-eve, nga momenti i idesë së biznesit deri në realizimin e saj, nuk ekzistojnë programe të dizajnuara që janë vetëm për sipërmarrjen sociale, të cilat u japin mundësi grupeve vulnerabël të hyjnë në treg me produktet e tyre specifike.

“Në këtë sens, ne do të synojmë të krijojmë për herë të parë një model të një fondi, që mund të jetë një fond garancie, një fond investimi, apo një mekanizëm tjetër financiar, i cili të shërbejë për të mbështetur sipërmarrjet sociale, duke respektuar një sërë rregullash e kriteresh”, thotë Drejtore Ekzekutive e AULEDA-s, Mirela Koçi. Sipas saj, përmes mbështetjes me një vlerë financiare të caktuar për çdo sipërmarrje, do të synohet  për të rritur aksesin e grupeve vulnerabël në treg, me idetë respektive të biznesit, çka do të shoqërohet edhe me rritjen e nivelit të punësimit prej këtyre grupeve.

Kjo zgjidhje, sipas të pranishmëve vjen sepse, sistemi bankar shpesh herë është skeptik ndaj sipërmarrjeve sociale, të cilat nuk janë përfituese të fondeve të ndryshme, ose të portofoleve të kredisë që zotërojnë bankat. Për rrjedhojë, aksesi i tyre në sistemin e kredisë në banka, është mjaft i limituar. Përkundër kësaj, fondi në fjalë, krijon mundësitë të mbushë këtë boshllëk. Për këtë, do të bashkëpunohet me institucione publike, me biznese, me universitetet, që që ndodhen në territorin ku aplikohet projekti, me të cilët do të kërkohet të ndërtohet kjo skemë hibride financiare, e cila do të shërbejë si një portofol, një fond garancije, që do t’u japë mbështetje teknike dhe financiare sipërmarrjeve sociale që kanë ide biznesi, bazuar në disa kritere. Sipas të pranishmëve do u jepet përparësi atyre sipërmarrjeve sociale që do të krijojnë biznese inovative, miqësore me mjedisin dhe me impakt të caktuar social. Për këtë do të përcaktohen disa parametra, apo indikatorë të qartë, për të matur impaktin social të sipërmarrjeve që do të mbështeten.

Përmes këtij projekti, në një hark të caktuar kohor do të krijohen 12 modele sipërmarrjeje respektivisht 6 për secilin territor shqiptar dhe zonën greke Crossborder, shoqëruar kjo me mekanizmin financiar hibrid(sipas terminologjisë teknike), që mund të jetë një fond garancije ose një “Busines Angel Network”, ku biznesi mund të përfshihet në një raport të caktuar përfitimi financiar.

Kjo shkon edhe në përputhje me dimensionin social që ka futur prej 6 vitesh BE-ja, e krijuar fillimisht si një mekanizëm dhe strukturë ekonomike.

Projekti parashikon edhe krijimin e një portal informacioni nëpërmjet të cilit do të mundësohet planifikimi i  pjesëmarrjes së ndërhyrjeve sociale, krijimi i modeleve hibride, i mjeteve për financim dhe tërheqja e investitorëve.

Nga ana tjetër, IDEA do të zhvillojë dhe zbatojë një instrument për Matjen e Ndikimit Social në mënyrë që të sigurojë investimet sociale, ku portali do të jetë një instrument kyç, për planifikimin me pjesëmarrje të projekteve dhe investimeve sociale.

Synimi është përmirësimi i kapaciteteve ndërkufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, për të mbështetur këtë kategori biznesi.

Prefekti i Qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj e vlerësoi projektin në fjalë, duke e vënë theksin tek promovimi i qytetit të Vlorës. “Projekte të tilla i japin një imazh ndryshe qytetit prandaj dhe, në pozicionin e Prefektit të Qarkut, kërkoj që projekte të tilla t’i nxisim, t’i promovojmë por edhe t’i zhvillojmë në bashkëpunim të ngushtë me aktorët, me faktorët që janë të interesuar”, nënvizoi ai, ndërkohë që evidentoi faktin se, në këtë projekt të tillë të përbashkët mes dy vendeve, Greqisë e Shqipërisë, marrin pjesë partnerë të tillë si Universiteti i Janinës, Bashkia e Artës, Bashkia e Himarës etj. “Një projekt i tillë me vlerë, i hartuar dhe implementuar nga AULEDA në cilësinë e partnerit lider, do të mbështetet nga Qeveria Shqiptare, nga institucionet dhe veçanërisht nga institucioni i Prefektit të Qarkut”, vlerësoi prefekti Mamaj.

Nga ana e tij, Kryetari i Këshillit të Qarkut të Vlorës, Ervis Moçka u ndal tek fakti se, përveç rritjes së potencialit ekonomik, këto projekte shërbejnë edhe për promovimin e kapaciteteve njerëzore në Vlorë. “Prej disa vitesh në qark veprojnë aktorë lokale që janë të interesuar për projektet INTERREG-IPA ç’ka ka sjellë rritje të kapaciteteve dhe një rast konkret është ai i AULEDA-s që është një nga të paktët aktorë që ndërmerr nisma të tilla duke qenë edhe lider në projekte të këtyre përmasave”, theksoi Moçka.  Për kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, nisma të tilla u vijnë në ndihmë shtresave në nevojë dhe sjellin në vëmendje dimensione të tjera bashkëpunimi me partnerë të njohur si Universiteti i Janinës etj.

Nga ana e tij, Drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, AMSHC, Andi Kananaj, e vlerësoi nismën për të mbështetur sipërmarrjen sociale, ndërkohë që u ndal tek dimensionet e projektit që u jep mundësi organizatave për të zhvilluar projektet dhe idetë e tyre në këtë fushë. /ATSH

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test