U inaugurua nga Rama me polifoni, por rruga e Lumit të Vlorës nisi si ‘ndërtim i paligjshëm’ - Bota Sot
U inaugurua nga Rama me polifoni, por rruga e Lumit të Vlorës nisi si ‘ndërtim i paligjshëm’

Vlora

E martë, 20 nëntor 2018

U inaugurua nga Rama me polifoni, por rruga e Lumit të Vlorës nisi si ‘ndërtim i paligjshëm’

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 21:32
Edi Rama

Në shkurt të vitit 2017, Edi Rama inauguroi fillimet e punimeve në rrugën e Lumit të Vlorës. Një grup polifonie këndoi gjatë ceremonisë një këngë enkas. “Udha e mbarë moj rruga e lumit”, thuhej në vargje, e një strofë më tutje shtohej duke pasur në mendje Ramën: “E mbajte fjalën e burrit”.

Kryeministri që mori fjalën pas këngës tha se nuk e kishte “qejf prerjen e shiritave” dhe pasi përsëriti batutat kundër parardhësit Sali Berisha për “rrugë të mbetura rrugës”, shtoi se po merrte pjesë në cermoni edhe “për t’u treguar vlonjatëve se padurimi juaj gjenetik duhet të trajtohet me shumë respekt”.

Por sipas një kërkese për gjykim të Prokurorisë së Vlorës, “i paduruar” ka qenë vendimi për të filluar punë në shkurt, disa muaj para fillimit të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme dhe 8 muaj para se Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), që drejtohet po nga Rama, të lëshonte lejen për ndërtimin e rrugës.

Në kërkesën për gjykim, prokuroria akuzon administratorët e kompanive Eurokos Shpk (dega Shqipëri), Ismet Rexhaj, Denis-05 Shpk, Hajredin Ukperaj dhe Arifaj Shpk, Rezarta Bokçiu për ndërtim të paligjshëm, pasi pavarësisht ceremonisë së fillimit të punës ku mori pjesë vetë kryeministri, kompanitë nuk kishin lejen e ndërtimit dhe punimet ishin të paligjshme. Tre administratorët e sipërpërmendur akuzohen po ashtu për falsifikim e përdorim dokumentesh të falsifikuara në bashkëpunim dhe shkatërrim të pronës me mjete te tjera.

Ndërkohë, të pandehur janë edhe 6 persona të tjerë, tre biznesmenë të zhavorrit, dy inspektorë të mjedisit të bashkisë Selenicë dhe një ish-drejtues i Inspektoriatit Shtetëror të Ujërave, Dega Vlorë. Sipas prokurorisë Vasil Dema, administrator i So.Ma.Ta Shpk, Arjan Memetaj administrator i Mehmetaj 2002 sh.p.k. dhe Robert Leskaj administrator i Leskaj sh.p.k, akuzohen për shkatërrim të pronës, pasi shfrytëzonin pa leje shtratin e lumit Shushicë.

Ndërkohë që Bardhyl Balilaj, ish-drejtues i Inspektoriatit Shtetëror të Ujrave Dega Rajonale Vlorë dhe dy inspektorët e mjedisit, Luan Binaj dhe Lisandër Bajramaj akuzohen për “shpërdorim detyre”.

Hetimet nisën në fillim të vitit 2018, kryesisht pas denoncimeve për shfrytëzim të paligjshëm të shtratit të lumit Shushicë, duke sjellë sipas prokurorisë “rrezik për përmbytje” dhe njëkohësisht një dëm prej 15 milion lekësh, rentë minerare e papaguar.

Ismet Rexhaj, administrator i Eurokos mohoi se ishin ata që kishin kryer shkelje.

“Për këtë duhet të pyetet KKT-ja”, tha Rexhaj në një bisedë telefonike për BIRN duke iu referuar akuzës për “ndërtim të paligjshëm”. Ai tha po ashtu se ata nuk kishin falsifikuar dokumente dhe se as akuza për shfrytëzim të paligjshëm të shtratit të lumit nuk qëndronte, pasi kompania ishte pajisur me të gjitha dokumentet e nevojshme.

Ndërkohë, avokatët e  Vasil Demës dhe Arjan Mehmetajt dhanë justifikime të ndryshme për klientët e tyre, duke pretenduar pafajësi dhe se lejet e shfrytëzimit për shtratin e lumit ishin të rregullta. BIRN nuk arriti të kontaktonte deri para publikimit të këtij shkrimi me dy kompanitë e tjera dhe disa nga të akuzuarit për shpërdorim detyre.

Rruga e Lumit të Vlorës po ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me hua të financuara nga Fondi Kuvajtjan, fondi Saudit  dhe një pjesë fondesh nga buxheti i shtetit, në total 81 milionë dollarë. Procedurat për ndërtimin e saj dhe miratimi i huave u kryen pjesërisht në vitin 2016.

Tenderi u fitua nga kompania italiane  Avtomagistrali – Tcherno More JSC, e cila ka nënkontraktuar tre kompanitë shqiptare.

Punimet u inaguruan nga kryeministri në shkurt të vitit 2017, siç del edhe në videon në rrjetin e tij social dhe fjalimin e shpërndarë nga faqja zyrtare kryeministria.al. Fondi Shqiptar i Zhvillimit si institucion përgjegjës për financimin i ka thënë prokurorisë se punimet kishin filluar në 30 mars. Ndërkohë vendimi i Këshilli Kombëtar të Territorit, hartën bashkëlidhur të cilit BIRN e disponon, u nënshkrua vetëm më 16 tetor të vitit të shkuar.

Falsifikimi i lejeve për shfrytëzim të lumit

Prokuroria thotë në kërkesën për gjykim se hetimet filluan në shkurt 2018 pas kallëzimit të policisë se tre kompanitë që po punonin në “Rehabilitimi i Rrugës së Lumit të Vlorës, aksi Selenicë-Kuç-Qeparo”, kishin dokumente të paligjshme dhe po bënin shfrytëzim pa leje të shtratit të lumit Shushicë.

Nga kërkesa për gjykim del se pas këqyrjes ishin zbuluar po ashtu edhe tre “që shfrytëzonin inertet lumore dhe gurore në mënyrë të paligjshme dhe konkretisht shoqëritë So.Ma.Ta sh.p.k., Mehmetaj 2002 sh.p.k., dhe Leskaj sh.p.k, që të treja me seli në Vlorë”.

Prokuroria thotë se pas fillimit të hetimeve tre firmat ndërtuese paraqitën dokumente mbi bazë të të cilave thanë se po punonin dhe po shfrytëzonin lumin. Sipas prokurorisë, në dokumentet e paraqitura atyre u jepej e drejta për të nxjerrë 163.000 m3 materiale inerte nga lumi.

Koha e lejes ishte deri në përfundim të punimeve, ndërsa ajo ishte lëshuar në 16 mars 2017 për të treja kompanitë. Po ashtu, prokuroria gjeti edhe një tjetër leje në emër të kompanisë So.Ma.Ta Shpk e cila mbante datën 17 korrik 2017.

Prokuroria pas kësaj kërkoi dokumentacion nga prefekti në Vlorë, i cili kryeson Këshillin e Basenit Ujor Vjosë (KBUV), prej nga duhej të merrej leja për shfrytëzim. Nga dokumentacionet e prefekturës dhe KBU Vjosë prokuroria thotë se gjeti se dy lejet kishin probleme.

Nga hetimet rezultoi se në asnjë prej datave që mbanin leje nuk kishte pasur mbledhje të KBU Vjosë dhe për rrjedhojë lejet nuk ishin lëshuar nga ky institucion.

“Këshilli i Basenit Ujor Vjosë gjatë periudhës janar-dhjetor 2017 ka zhvilluar vetëm tre mbledhje dhe konkretisht në datat 28.07.2017, 04.08.2017 dhe 03.10.2017 dhe në asnjë nga këto mbledhje nuk është shqyrtuar kërkesë për shfrytëzim të materialeve inerte nga lumenjtë apo përrenjtë në Basenin Ujor Vjosë”, thuhet në kërkesën për gjykim.

Prokuroria thotë se tre kompanitë që po punonin për ndërtimin e rrugës kishin paraqitur një kërkesë për pajisje me leje pranë Agjencisë së Basenit Ujor, por kërkesa ishte kthyer pas për plotësim dokumentacioni dhe nuk ishte bërë për së dyti. Ndërkohë prokuroria gjeti se So.Ma.Ta Shpk me administrator Vasil Dema po ashtu i akuzuar për falsifikim e shkatërrim prone, nuk kishte paraqitur ndonjëherë kërkesë për leje megjithëse i kishte dhënë prokurorisë një të tillë.

Pas kësaj, prokuroria mori në pyetje prefekten e Vlorës, Etjona Hoxhaj, pasi të dy lejet edhe pse nuk rezultonin të kishin kaluar përmes mbledhjes së KBU Vjosë, ishin me firmën e prefektes dhe vulën e saj.  Prokuroria thotë se Hoxhaj mohoi të kishte firmosur lejet.

Ajo i tha prokurorisë se gjatë kohës që ka drejtuar mbledhjet e KBU Vjosë, “nuk është shqyrtuar, miratuar apo marrë asnjë vendim për dhënie lejesh për shfrytëzim materiale inerte në lumenjtë në admnistrim të Këshillit të Basenit Ujor Vjosë”. Ajo po ashtu i tha prokurorisë se dy shkresat e 16 marsit 2017 dhe 17 korrikut 2017 “nuk janë nënshkruar prej saj më mënyrë kategorike”.

Prokuroria thotë se ekspertiza që iu bë më pas dokumenteve të sekuestrua konfirmoi pohimin e prefektes. Firmat ishin sipas ekspertizës të falsifikuara dhe nuk i përkisnin asaj. E falsifikuar, sipas ekspertizës ishte edhe vula e vendosur në to përmes skanimit.

Prokuroria thotë se kjo e fundit ishte edhe detaji që i tradhëtoi të dyshuarit. Sipas prokurorisë vula ishte e prefektit të Vlorës, ndërkohë që Këshilli i Basenit Ujor Vjosë ka vulën e tij dhe lejet duhej të ishin me këtë vulë dhe jo atë të prefektit. “Vulë e cila nuk ka asnjë lidhje me vulën e institucionit të Prefektit të Qarkut Vlorë, pasi në përmbajtje të saj është shkruar Republika e Shqipërisë, Këshilli i Basenit Ujor të Vjosës”, thuhet në kërkesën për gjykim.

Gjatë hetimeve dhe këqyrjeve në zonë, prokuroria thotë se u gjetën edhe dy kompani të tjera që po punonin pa lejet e duhura. Sipas prokurorisë, Leskaj Inerte sh.p.k., me administrator shtetasit Robert Leskaj u kap duke shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme malin e Drashovicës në vendin e quajtur Kallafet. Ndërsa Memetaj 2002 sh.p.k., me administrator shtetasin Arjan Memetaj, akuzohet se shfrytëzonte  në mënyrë të paligjshme shtratin e lumit Shushicë 9.7 km nga Ura e Drashovicës.

Ismet Rexhaj, administrator i Eurokos për Shqipërinë, një nga kompanitë nënkontraktore në ndërtimin e rrugës, i tha BIRN në telefon se akuzat e prokurorisë për kompanitë që po ndërtonin lotin e parë të rrugës së Lumit të Vlorës nuk qëndronin. I pyetur për mungesën e lejes për shfrytëzimin e basenit të lumit Shushicë, Rexhaj tha: “As ajo nuk funksionon fare. Ne kemi leje kemi të gjithë gjërat”. Rexhaj po ashtu mohoi falsifikimin. “Leja është e rregullt me gjithçka”, i tha ai BIRN.

Edmond Dema, avokati i të pandehurit, Vasil Dema i tha BIRN se klienti i tij u kishte shitur materiale inerte kompanive që punonin në rrugë, por për këtë kishte leje të rregullt. Dema megjithatë pranoi se leja nuk ishte marrë në rrugë zyrtare, por përmes një personi që klienti i tij nuk e njihte. “Këtë leje ai e ka, por e ka marë në një rrugë tjetër, siç punojnë të gjithë bisnesmenët. Ka gjetur një person, të cilin nuk e njihte dhe as emrin nuk ja di, dhe i ka thënë se donte të nxirte një leje shfrytëzimi të shtratit të lumit, dhe besoj se kundrejt pagesës kjo leje është nxjerrë nga institucioni i Prefekturës Vlorë. Se çfarë ka bërë ky person i paidentifikuar, ne këtë nuk e dimë por Vasil Dema e ka lejen e rregullt”-tha avokati.

Leje të rregullt pretendoi edhe avokati Artion Kasaj për kompaninë Mehmetaj-2002 Shpk. Ai tha se nuk e kishin pranuar akuzën, ndërsa sipas tij klienti i tij kishte një leje të vitit 2015 për shfrytëzim të 90 mijë metra kubësh zhavor. Leja kishte mbaruar në vitin 2016, por avokati thotë se ai kishte vazhduar të punonte pasi nuk kishte shfrytëzuar të gjithë sasinë prej 90 mijë metra kub dhe ka vijuar ta bëjë këtë deri sa është shfrytëzuar kjo sasi. “Normalisht nuk e pranojmë akuzën”, tha Kasaj.

Shfrytëzimi i lumit dhe punime të paligjshme

Prokuroria gjeti se përveç mungesës së lejes për shfrytëzim të inerteve dhe dokumentit të falsifikuar, kompanitë që punonin në ndërtimin e rrugës kishin mungesa të theksuara dokumentacioni. Shumica e tyre nuk kishin kryer Vlerësim të Ndikimit në Mjedis dhe as kishin leje mjedisore.

Prokuroria thotë se deri në shkurt 2018, një vit pas fillimit të punimeve, tre kompanitë nënkontraktore dhe So.Ma.Ta Shpk, që u shiste atyre inerte nuk kishin leje mjedisore. Nga hetimet rezulton se pavarësisht kësaj, një inspektim i nisur ndaj tyre ishte pezulluar, ndërsa vetëm So.Ma.Ta Shpk ishte ndëshkuar me gjobë.

Po ashtu, sipas prokurorisë ndërtimi ishte i paligjshëm. Prokuroria thotë se data zyrtare e fillimit të punimeve bazuar në shkresat e Fondit Shqiptar të Zhvillimit ishte 30 mars 2017. Ndërkohë inagurimi i punimeve dhe siç del në pamje filmike ishte bërë në shkurt 2017. Të njëjtën gjë vë në dukje prokuroria duke iu referuar dokumenteve të marra pranë Bashkisë Selenicë ku kompanitë janë rregjistruar në fillim të vitit 2017 për të paguar taksat vendore.

Nga dokumentet e administruara nga prokuroria rezulton se Këshillit Teknik të Autoritetit Rrugor Shqiptar kishte miratuar në parim zbatimin e projektit vetëm në maj 2017 dhe se ky miratim në parim ishte marrë nga FSHZH më 23 maj.  Ndërkohë miratimi i lejes për ndërtimin e segmentit është zyrtarizuar nga KKT që ka edhe kopetencën në këtë rast vetëm më 16 tetor 2017.

Sipas prokurorisë bëhej fjalë për vendimin numër 09 të datës 16 tetor 2017 të këtij institucioni, që ishte i publikuar në faqen zyrtare. BIRN nuk mundi të gjente vendimin, pasi në faqen online azht.gov.al ku ai duhej të ishte publikuar edhe sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Infrastrukturës, me të njëtin numër dhe të njëjtën datë ndodhej një vendim për miratim të një leje për HEC-ce i cili në brendësi ka datën 11 nëntor.

Megjithatë një hartë në PDF e cila i bashkëlidhej këtij vendimi me datën 16 tetor 2017 dhe numër vendimi 9,  u gjet e ruajtur si Cache (e ruajtur përkohësisht në internet), ndërsa ëeb.archive.org ka ruajtur të dhënat për këtë vendim dhe përshkrimin, por jo dokumentet bashkëlidhur.

Sipas prokurorisë,  paligjshmëria ishte konstatuar që më 15 mars 2017 nga Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Selenicë i cili ka mbajtur procesverbal se tre kompanitë po kryenin punime pa leje ndërtimi dhe lejet e tjera të nevojshme. “Është duke punuar për ndërtimin e rrugës pa u pajisur me lejet përkatëse të miratuara”, thuhet në procesverbalet e sekuestruara nga prokuroria. Një ditë më pas inspektoriati ka marrë vendim për pezullimin e punimeve.

Por siç del nga vendimet e mëpasshme ky vendim nuk është zbatuar. Kështu në maj Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Selenicë vendosi gjobë ndaj tre kompanive për punime të paligjshme dhe në mungesë dokumentacioni.

“Të gjitha këto akte të administruara, tregojnë se nga ana e subjekteve ndërtuese janë filluar punimet në ndërtimin e Rrugës së Lumit të Vlorës pa patur dokumentacionin e duhur ligjor, leje ndërtimi, leje mjedisore të vlefshme për ndërtimin e rrugës, leje mjedisore për shfrytëzimin e inerteve, leje për shfrytëzimin e inerteve dhe është shkatërruar baseni i lumit Shushicë në mënyrë të paligjshme”, thotë prokuroria në kërkesën për gjykim.

I pyetur për mungesën e lejes së ndërtimit, Ismet Rexhaj i tha BIRN se për këtë duhej pyetur autoriteti. Ai tha se nuk e pranonte akuzën e prokurorisë dhe se autoriteti (KKT në këtë rast) kishte dhënë leje të përkohshme. “Kjo pyetje i bëhet institucionit që është autoritet për rrugën jo mua. Ajo pyetje tamam tamam  bëhet në qeveri te Këshillit Kombëtar të Territorit,” tha Rexha. Ai pretendoi se kompania kishte të gjitha lejet e nevojshme.

Sipas prokurorisë, shfrytëzimi i lumit pa leje dhe jashtë kritereve sjell probleme. Në kërkesën për gjykim thuhet se inspektoriati i mjedisit ka gjetur se materialet merreshin në anë të lumit dhe jo në mes të tij duke sjellë për pasojë gërryerje. Sipas prokurorisë këto punime “vënë në rrezik mjedisin rrethues dhe jetën e njërëzve nga përmbytjet”, ndërsa ishin bërë “pa respektuar asnjë kriter teknik mjedisor dhe pa leje mjedisore për këtë veprimtari”.

Po ashtu prokuroria thotë se kompanitë, përvec So.Ma.Ta Shpk, përmes dokumentit të falsifikuar dhe mos zbatimit të procedurave, kishin shmangur pagimin e rentës minerare. Tre kompanitë të cilat ishin duke punuar në ndërtimin e rrugës sipas akuzës kanë shkaktuar një dëm 15 milionë lekë. Prokuroria thotë se në këtë pikë duhet të konsiderohet fakti se kompanitë paguheshin nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit edhe për rentën minerare si pjesë e kostove të rrugës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test