Shqipëria dështon edhe në Austri

Volejboll

Shqipëria dështon edhe në Austri

Më: 5 janar 2019 Në ora: 19:14
Pamje nga ndeshja

Kombëtarja e Shqipërisë (femrat) në volejboll është mundur  3;0 nga Austria, ndeshje e zhvilluar në Graz të Austrisë, e vlefshme për Grupin B eliminator të Kampionatit Europian. Kjo është humbja e pestë e kombëtares kuqezi në këtë event në po kaq takime të luajtura, duke u pozicionuar në vendin e fundit. Një humbje që pritej, deri diku edhe në këto shifra, duke parë që Shqipëria deri më tani nuk ka fituar asnjë set në këtë Europian dhe ka nisur një fazë rinovimi të ekipit (sot pati edhe disa mungesa, si Bici e Thaka).

Ndeshja dhuron pak emocion vetëm në startin e setit të parë, me vajzat kuqezi që rivalizojnë në pikët e para dhe më pas loja kthehet në një stërvitore për Austrinë. Volejbollistet vendase fitojnë me lehtësi 25-13 setin e parë, duke mos e ulur ritmin. Seti i dytë ka të njëjntin fat si i pari, me Austrinë që komandon në fushë e fiton 25-9. Kjo situatë nuk ndryshon as në setin e tretë, që ka disi më shumë rivalitet në mesin e tij, por ashtu si dy të parët dominohet nga vendaset, që fitojnë 25-20.

Grupin B eliminator të Europianit e komandon Kroacia, me 5 fitore dhe 15 pikë të plota, duke fituar edhe sot 3-0 ndaj Zvicrës, që ndodhet në vendin e dytë. Ndërsa Austria, me fitoren e sotme, konsolidon vendin e tretë, duke korrur fitoren e dytë në këto eliminatore (të dyja ndaj Shqipërisë). Ndeshjen e fundit në këto eliminatore, kombëtarja e kuqezi do ta zhvillojë më 9 janar, në Tiranë, ku në “Feti Borova” do të luajë ndaj Kroacisë (ora 16:00).

Femra, renditja - Grupi B: Kroacia 15 pikë (5/0), Zvicra 9 pikë (3/2), Austria 6 pikë (2/3), Shqipëria 0 pikë (0/5).

Austri – Shqipëri 3:0 (25:13, 25:9, 25:20)

Austria: Duvnjak, Teufl, Bajde, Wallner, Holzer, Epure, Muller, Chrtianska, Maros, Markovic, Schmit, Nesimovic, Galic, Oiwoh. Trajnere: Svetlana Ilic

Shqipëria: Hasku, Qershia, Fagu, Xheka, Molla, Picaku, Beshiri, Bego, Rexhepi, Kushi, Shehi, Dodani. Trajner: Altin Martiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat