Hoxha: Luboteni në përparësi psikologjike ndaj Prishtinës  - Bota Sot
Hoxha: Luboteni në përparësi psikologjike ndaj Prishtinës 

Volejboll

Hoxha: Luboteni në përparësi psikologjike ndaj Prishtinës 

Nga: Kemajl Goca Më: 24 mars 2019 Në ora: 16:48
Gazmend Hoxha

Luboteni nga Ferizaj, fitues i Kupës së Kosovës, është shembull jo vetëm për klubet e volejbollit, si për nga ana e organizimit gjithashtu që kanë edhe ekipin tjetër të dytë, Luboteni Junior, si dhe akademinë e volejbollit, që janë bazë e fuqishme për të ardhmen.

Në klubin që punohet me përkushtim e profesionalizëm, në radhë të parë është disiplina, po ashtu është një kryesi shumë e organizuar me kryetarin Gazmend Hoxha, të cilët nuk i kanë synimet vetëm titujt, por ta ndërtojnë edhe një bazë të fortë me lojtar vendorë për të ardhmen. Luboteni të shtunën e fitoi derbin e madh, duke e mundur me rezultat 3:1 Prishtina Volleyn.

Image

Pamje nga një atmosferë

Ekipi ferizajas është në krye të renditjes me 42 pikë, ka katër më shumë se Prishtina Volley që renditet në pozitën e dytë në Superligën A (meshkujt). Hoxha tha se kjo ndeshje ka qenë jashtëzakonisht e mirë, por fatkeqësisht janë lënduar dy lojtarë të ekipit të tij dhe një i ekipit rival.  “Ka qenë lojë e fortë e me tensione, në fund kemi fituar ne. Kemi dy volejbollistë të lënduar dhe njëri e ka lëndimin serioz. Nuk besoj që mund të rikthehet braziliani Junio Tavares Maciel, për shkak se e ka lëndimin serioz.

Image

Kryesia e klubit duke prezantuar raportin e punës

Edhe Ilir Xhimshiti u lëndua, por që duhet me pritur ekzaminimet mjekësore se cila është gjendja e tyre, prandaj të dytë janë jashtë parketit për një kohë”, thotë Hoxha për gazetën kombëtare “Bota sot”. Kjo shkëputje me pikë për Lubotenin është një përparësi e mirë psikologjike në vazhdim të kampionatit, kur dihet se deri me tash janë zhvilluar shtatë javë në Superligën A. “Prishtina është rivali kryesor dhe besoj se do ia dalim ndaj tyre edhe në finalen e Kupës dhe në pjesën tjetër të kampionatit që ka mbetur, që ta ruajmë kreun e tabelës dhe të startojmë si i pari në garat përfundimtare të Superligës. I pari takohet me të katërtin dhe i dyti me të tretin”, theksoi ai. Hoxha e pranon se kanë kushtet më të mira nga klubet tjera të volejbollit, por nuk mendon se i kanë me të mira se ato të sporteve tjera me dorë ose edhe të futbollit.

Image

KV Luboteni

“Nëse i krahasojmë me klubet e volejbollit kushtet i kemi të mira, kemi një kryesi unike, që ka një vizion, që ka strategji për zhvillimin e klubit në aspektin afatgjatë. Gjithmonë jemi kampion ose nënkampion, me pretendime për tituj, po ashtu kemi marrë pjesë në garat ndërkombëtare, kemi rezultate të jashtëzakonshme, presim edhe zbatimin e ligjit për sponzorimin e sportit.

Nuk mund të krahasohemi me klubet tjera, siç janë të futbollit ose sporteve tjera, por në volejboll jemi më të organizuar edhe kemi fond të lojtarëve të mirë”, thotë Hoxha. Luboteni është në formën më të mirë dhe me fitoren e fundit ndaj Prishtina Vollejt, bëhet gjithnjë e më i frikshëm për rivalët. Kryetari i klubit shprehet se fitorja e fundit është një përparësi e mirë psikologjike.

Image

Hoxha me përfaqësuesin e klubit Ziraat

“Besoj se është një përparësi e madhe dhe synojmë me vazhduar tutje me suksese. Secila lojë është lojë në vete, duhet angazhim në terrenin e lojës dhe jo ta shikojmë renditjen, ky është një motivacion shtesë për ne”, ka thënë ai.  Hoxha nuk e vlerëson si rival Therandën por Prishtinën Volleyn. “Prishtina Volley është rivali më i madh i yni, dy ndeshje i kemi humbur në kampionat prej tyre, ndërsa me Therandën i kemi të gjitha fitore.

Do t’i analizojmë të gjitha pikat kyqe, ku janë pikat më të forta tona dhe të atyre. Me këtë fitore jemi në përparësi psikologjike ndaj Prishtinës. Fondi i lojtarëve i yni është më i pasur se i Prishtinës që ka aktualisht. Kemi lojtar ndërkombëtar me përvojë edhe lojtarë vendorë me eksperiencë, ndërsa Prishtina ka Adriatik Kajtazin, por i kanë disa lojtarë të ri e papërvojë në lojëra siç janë lojtarët tanë”, ka deklaruar Hoxha.

Në ekipin e Lubotenit të gjithë luajnë për një dhe një për të gjithë. Hoxha njihet si njeri i matur dhe nuk jep asnjëherë premtime. “E dinë të gjithë ata në klub që gjithmonë sa herë kanë arritur rezultate kulmore janë shpërblyer. Ata e duan vetëm fitoren pa u shpërblyer dhe çka është më e rëndësishmja janë të lidhur shumë mes vete, kjo është arma më e fortë e jona”, ka thënë Hoxha.

Image

Pamje nga një ndeshje

Më tuje tha: “Nuk kemi mungesa të lojtarëve përveç këtyre dy që u lënduan dhe u dëshiroj shërim sa më të shpejt, po ashtu edhe lojtari të Prishtinës, i dëshiroj shërim dhe rikthim sa më të shpejt në fushë. Kemi fond të lojtarëve që mund të kompensojmë këto mungesa”. Luboteni ka edhe një pasuri tjetër, ka klubin Luboteni Junior, nga e cila mund të furnizohen me talentet.

“Kemi ekipin Luboteni Junior, po ashtu Akademinë, me 50-60 nxënës. Synimi ynë nuk janë vetëm titujt por të nxjerrim apo prodhojmë lojtarë vendorë, për një të ardhme më të mirë. Luboteni Junior garon në ligën e parë dhe furnizohet me lojtarë që vijnë nga akademia, me këta të rinj punojnë trajnerët Arsim Lohaj e Afrim Ibrahimi, që po bëjnë një punë të shkëlqyeshme”, përfundoi Hoxha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...