Drejtori i Prishtinës publikon rrogat e lojtareve!

Volejboll

Drejtori i Prishtinës publikon rrogat e lojtareve!

Nga: Kemajl Goca Më: 20 korrik 2019 Në ora: 16:46
Mehdi Mehmeti

Gjërat do të ndryshojnë tash e tutje në klubin e volejbollit Prishtina F. që garon në elitën e volejbollit të Kosovës. 
Klubi nuk do ta ketë më statusin e amatorit por do të kalojë në profesionalizëm dhe janë caktuar edhe rrogat mesatare.

Drejtori i Prishtinës F, Mehdi Mehmeti, ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot”, se përveç që ka caktuar rrogat sa do t’i kenë volejbollistet, pritet të ketë edhe ndryshime në Shtabin Teknik!     

“Do të jemi klub profesional, nuk ka me pas lojtare pa pagesë, rroga mesatare do të jetë 250 deri 300 euro për lojtare profesionale, por që ekziston ndonjë lojtare me kualitet nga  jashtë që mundet me arritur rrogën më të madhe se këto. 

Të gjitha do të jenë të lidhura me kontrata. Kemi hapur derën edhe për lojtare tjera vendore të cilat janë të interesuara që t’i bashkohen Prishtinës. 

Klubi do t'i posedojë deri 10 lojtare profesionale me pagesë. Ka kaluar koha që kemi punuar deri me tani në mënyrë amatore, tash me aprovimin e ligjit mbi sportin, jemi në biseda me disa kompani serioze, së shpejti do të shihet se si do të rrjedhin gjëra.

Ndërsa komuna e Prishtinës na ka dhënë subvencione 10.000 euro, 5.000 tani i kanë lëshuar në xhirollogari dhe 5.000 i lëshojnë në muajin shtator. Vitin e kaluar kemi pasur subvencione vetë, 3.000 euro. Në fundjavën tjetër, do të mblidhet kryesia dhe do të emërohet kryetari i ri, do të përcaktohemi edhe për Shtabin e ri Teknik”, tha Mehmeti. 

Kush do të bëhet kryetar i klubit? “Sipas të gjitha gjasave kryetrajnerja Ganimete Gërbovci, e cila është shumë e angazhuar me punë, është mendimi ynë, i kryesisë së ngushtë, që postin e kryetares t’i ofrohet asaj. Ajo do të ishte përzgjedhja më e mirë! 

Gjatë fundjavës se ardhshme do të marrim edhe mendimin e saj se a do të pranojë postin”, përgjigjet Mehmeti. Ndërkaq, për volejbollistet që pretendojnë të shkojnë gjetiu, Mehmeti ia hap rrugën gjithsecilës.

“Me të gjitha lojtaret nuk kemi biseduar, disa prej tyre që kanë shprehur dëshirë me shkuar në klube tjera, që kanë oferta, ne nuk do t’i pengojmë, edhe pse klubi e ka të drejtë mos mi dhënë fletlëshimin, megjithatë nuk do t'ia cungojmë të drejtën që të kalojnë aty ku i kanë kushtet më të mira. I kuptojë të gjitha lojtaret që kërkojnë me shkuar ku e ndjejnë veten më mirë edhe ne si klub edhe si drejtor iu dëshiroj sukses në angazhimet në klubet tjera”, ka përfunduar Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat