Kadriu: Sponsori i ri e ka kthjellur KV Skenderajn

Volejboll

Kadriu: Sponsori i ri e ka kthjellur KV Skenderajn

Nga: Kemajl Goca Më: 8 shtator 2019 Në ora: 19:10
Kadriu: Sponsori i ri e ka kthjellur KV Skenderajn

Si shumë klube në vendin tonë që përballen me peripecitë e ndryshme, sidomos me anën financiare edhe klubi i volejbollit Skenderajt (femrat) ka pasur këto telashe, por  fatmirësisht e gjetën sponsorin e ri dhe tani janë me kushte shumë të mira. Kryetrajneri i Skenderajt, Ylli Kadriu, beson e shpreson se do të përgatis ekipin maksimalisht për edicionin e ri në Superligën e Kosovës.

“Bota sot”:  A mendoni se Skenderaj me gjetjen e sponsorit të ri, ka gjetur qetësinë?

Ylli Kadriu: Sponsori i ri e ka kthjellur KV Skenderajn, madje tani të gjithë jemi duke punuar në qetësi dhe pa asnjë presion sepse e dimë që mbrapa kemi një kompani të fortë siç është “Drena”,  e cila do të na mbështes në kërkesat tona. Krejt çka na mbetet ne është të punojmë me intensitet maksimal.

“Bota sot”: Si e sheh Skenderajn në edicionin e ri më këtë fond të lojtareve që keni dhe a keni nevojë ende për përforcime?

Ylli Kadriu: Fondi i lojtareve është pothuajse i njëjtë nga viti i kaluar, ne e kemi ruajt komplet strukturën e ekipit përveç lojtares Zyla Kadriu e cila ka shkuar për të luajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me situatën që është tani, Skenderaj prapë mbetet ndër favoritet kryesore, mirëpo kemi nevojë për një përforcim cilësor dhe me përvojë ditëve në vijim për ta zëvendësuar Zylën. Mirëpo ka mundësi që bëjmë edhe ndryshime të pozitave përbrenda ekipit.

“Bota sot”:  A do të kemi një ligë edhe më të fortë se në edicionin e kaluar dhe cilat i vlerëson si skuadra për titull?

Ylli Kadriu: Se a do të ketë një ligë edhe më të fortë nuk e di, me siguri, sepse akoma si kam parë ekipet tjera, por realisht ka shumë pak lëvizje të lojtareve cilësor dhe ekipet janë pothuajse të njëjta. Disa ekipe e kanë filluar me seriozisht kampionatin, duke stërvitur më fortë dhe me të rregullt dhe kjo me jep përshtypjen që nuk do të jenë vetëm 2 apo 3 derbi gjatë vitit.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë tani Skenderajt?

Ylli Kadriu: Skenderajt më së shumti i duhet palestra dhe përkrahja institucionale, sepse puna dhe angazhimi nuk na kanë munguar asnjëherë. Gjërat tjera po mendojmë që i kemi dhe jemi të kompletuar, krejt çka na mbetet është të jemi të fokusuar dhe shpresojmë mos ta kemi ndonjë problem shëndetësor tek lojtaret.

“Bota sot”: Keni filluar përgatitjet, çka punohet më shumë, ku stërviteni, planifikoni diku jashtë vendit dhe sa ndeshje miqësore keni në program deri në fillim të kampionatit?

Ylli Kadriu: Përgatitjet kemi filluar që dy javë, jemi duke stërvitur me intensitet maksimal, madje dy herë në ditë. Në pjesën e forcës e bëjmë në fitnes të R&RUKOLLI, ndërsa pasdite në sallën e shkollës së kompetencës. Ne si klub e kemi traditë që para fillimit të kampionatit të shkojmë në Shqipëri dhe të luajmë me ekipet më të mira shqiptare. Se a do të shkojmë edhe këtë vit mbetet të shihet, por gjithsesi është në planin e klubit.

“Bota sot”:  Në hapje kundër Grykës, një ndeshje e lehtë, është një lehtësim për ju?

Ylli Kadriu: Ne si klub përgatitemi për çdo ndeshje në maksimumin tonë, duke mos e nënvlerësuar askënd. Por gjithsesi hapja e kampionatit nuk do të ishte e preferuar nga askush të përballet me një derbi, sepse ekipit i nevojitet kohë për të hyre në ritmin maksimal. Gryka ka pothuajse ekipin e njëjtë nga viti i kaluar, por duke e parë historinë e lojërave të kaluara mes Skenderajt dhe Grykës, atëherë presim të fillojmë kampionatin me fitore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat