Krasniqi: Në garë për titull jemi ne, Skenderaj, Drita dhe Kastrioti

Volejboll

Krasniqi: Në garë për titull jemi ne, Skenderaj, Drita dhe Kastrioti

Nga: Kemajl Goca Më: 16 tetor 2019 Në ora: 14:45
Krasniqi: Në garë për titull jemi ne, Skenderaj, Drita dhe Kastrioti

Klubi i volejbollit M-Technologie Volley (femrat) ka ambicie të mëdha, kërkon të gjitha trofetë e mundshme në Kosovë. Kryetrajneri i M-Technologie Volley, Naser Krasniqi, tha se kanë një ekip të mirë dhe që do të pretendojnë të shfaqin lojëra sa më të mira. Klubi nga kryeqyteti e nisi furishëm edicionin e ri, duke i shkaktuar humbje të thellë Ferizajt me rezultat 3:0. 

“Bota sot”: M-Technologie e nisi furishëm, me fitore bindëse, a mendoni se keni një ekip më të mirë se në edicionin paraprak?
Naser Krasniqi:
Edicionin e kemi filluar me fitore, por tani i kemi sfidat e radhës, që janë dy ndeshje një pas një me Kastriotin dhe Skenderajn të cilat janë shumë të rëndësishme për ne. Klubi nga sezoni i kaluar ka bërë shumë ndryshime, kanë shkuar shumë lojtare, shtatë dhe kanë ardhur tri lojtare, dy të huaja dhe një vendore, ajo çka është e rëndësishme, kemi katër juniore në ekip të parë, që dy nga to janë pjesë e ekipit të parë.

“Bota sot”: Skenderaj dhe Kastrioti, dy rivale që kërkojnë katërshen e parë, a shpresoni në pikë maksimale dhe çka iu dallon?
Naser Krasniqi:
Normalisht se gjithmonë shkojmë për të marrë maksimumin nga të dy këto ndeshje, por jo gjithherë varet nga dëshira e jonë. Respekt për kundërshtarët por do ta japim maksimumin për t’i shpalosur vlerat që kemi.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh në garë të fortë për katër vendet e para, në luftë për titullin e kampionit?
Naser Krasniqi:
Nëse nisemi nga ajo se sa kanë bërë ndryshime klubet gjatë këtij afati kalimtar dhe ndeshen për Superkupë që e pamë, unë personalisht mendoj se Skenderaj, Drita, Kastrioti dhe ne do të jemi në konkurrencë por pa e përjashtuar edhe klubin e Prishtinës i cili në përbërje të vet ka lojtare shumë cilësore.

“Bota sot”: Çka i duhet me shumë M-Technologie?
Naser Krasniqi:
Ajo çka neve na u ka dashtë tani veç se e kemi, pra e kemi një sponsor të fuqishëm që ka pas mirëkuptim ta aprovoj një program afatgjatë për ta financuar klubin dhe për të arrit aty ku ne që disa vite nuk kemi pas sukses. Pra kemi arritur që ta organizojmë klubin në nivel profesional, ku përveç lojtareve që janë me kontrata të rregullta dhe disavjeçare po ashtu kemi një strukturë organizative edhe të shtabit profesional ku veprojnë tre trajnerë dhe po ashtu edhe mjekun dhe fizioterapeutin. Krejt ky organizimin i klubit është bërë nga përkrahja e pamohueshme e presidentit të klubit zotëri Rrustem Pacollit i cili ka paralajmëruar se në klub do të ketë akoma investime në aspektin e përmirësimit të kushteve për ushtrime, pra jemi në përfundim të projektit për ndërtimin e një palestre sportive të klubit për nevoja ekskluzivisht te klubit.

“Bota sot”: A mendoni se është koha që trofetë të rikthehen në Prishtinë dhe cilin e sheh si rivalen më të madhe për titull?
Naser Krasniqi:
Të ju them sinqerisht, në këtë vit kemi hyrë me ambicie të mëdha, pra me qëllim ta rikthejmë namin e klubit dhe të marrim pjesë në arenën ndërkombëtare për herë të parë në histori të klubit, aktivitet ky që me klub as unë vet akoma nuk e kam shijuar. Rival për titull nuk mund ta parashikoj sepse tek jemi në fillim të sezonit dhe çdo parashikim i pasaktë mund të prek dikënd, prandaj akoma është herët ta bëjmë një parashikim të tillë.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me fondin e lojtareve, a shpresoni ende në përforcime dhe a mendoni se klubi ka kushtet më të mira?
Naser Krasniqi:
Të them të drejtën, gjithmonë jemi në kërkim të krijimit të një skuadre më të mirë se që kemi, pra të kemi një fond më të madh të lojtarëve, në këtë vit kemi bërë një miks sa i përket përbërjes, ku përveç lojtareve me përvojë në ekip kemi edhe lojtare të reja, që janë bartëse të lojës e që kanë moshë 15-vjeçare por me shumë perspektiv, mandej kemi dy lojtare të huaja me të cilat jemi të kënaqur por shpresoj se akoma do të kemi mundësi të përforcohemi dhe ta kemi skuadrën më të mirë në vend.

Vlen të ceket se akcenti kryesor i yni ka qenë përmirësimi i kushteve të punës, pra kemi dy palestra ku zhvillojmë aktivitete dy herë në ditë, kemi stërvitje dhe në të cilat palestra edhe të klubi ka investuar diçka diçka, pastaj kushtet thelbësore që i duhen lojtareve dhe trajnerëve janë plotësuar dhe neve nuk na mbetet asgjë tjetër përveç të angazhohemi ta kthejmë punën në rezultat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat