Ademi: Duhet ndryshime rrënjësore në udhëheqje

Volejboll

Ademi: Duhet ndryshime rrënjësore në udhëheqje

Nga: Kemajl Goca Më: 5 nëntor 2019 Në ora: 12:03
Ademi: Duhet ndryshime rrënjësore në udhëheqje

Sportet në përgjithësi në Kosovë po kalojnë periudha të vështira, por disa prej tyre që nga koha e ndërkombëtarizimit në vend të avancimit, për fat të keq kanë ngecur!

Ish kryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Fejzullah Ademi, ndryshe veprimtar i shquar sportiv dhe ish gjyqtar federativ i sportit skofiar, kritikon për qasjen e punës, për mos shfrytëzimin si duhet të mjeteve financiare nga ana e drejtuesve të FVK-së dhe se çfarë duhet bërë për ta kthyer në binarë këtë sport me traditë.

Ademi është njohës i madh i sportit, tregon se cili është klubi më i vjetër në Prishtinë në konkurrencën e femrave.  

“Bota sot”: Si ish kryetar i FVK-së dhe veprimtar qe 6 dekada i sportit skofiar, si e sheh volejbollin në përgjithësi? 
Fejzullah Ademi:
Për njerëzit që nuk janë në rrjedha mendojnë që është mirë, por për mua është jo mirë, është për të dëshiruar shumë gjëra. Së pari sot e këtyre 5 viteve prej se është ndërkombëtarizuar volejbolli, nuk ka ndodhë ndonjë përmirësim sa i përket kualitetit të volejbollit në përgjithësi në Kosovë.

Mjete që janë derdhë në FVK prej vitit 2015 deri me sot nuk janë shfrytëzuar për ngritjen e kualitetit të volejbollit por vetëm për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare vend e pa vend, pa rezultate të mirëfillta por për shëtitje të parisë dhe realizimin e dëshirave të tyre.

Pse them këtë: Përveç klubeve të njerëzve të afërt me parin e Federatës (3-4 klube) të tjerat klube nuk kanë pasur asnjë benifit edhe pse federata për këtë kohë është subvencionu përafërsisht 900 mijë e me tepër euro. Me këto mjete volejbolli i Kosovës me një organizim, planifikim ndryshe kishte me u ngrit shumë më lartë.

“Bota sot”: ‘Çfarë duhet të bëjmë për të arritur nivelin më lartë?
Fejzullah Ademi:
Për të ndryshuar gjendja për të mirë duhet ndryshime rrënjësore në udhëheqje me planifikimin dhe ndryshimin e mentalitetit të deritanishëm. Duhet të mobilizohen struktura të cilat ia dojnë të mirën volejbollit e ka profiterët dhe shfrytëzuesit e mjeteve të federatës për realizimin e dëshirave të ngushta.

“Bota sot”: Çfarë i mungon sportit skofiar?
Fejzullah Ademi:
Pra i mungojnë shumë gjëra.

“Bota sot”: Cili klub është më i vjetri në kryeqytet: Prishtina F apo M Technologie?
Fejzullah Ademi: Po klubi më i vjetër i volejbollit në konkurrencën e femrave në Prishtinë është Prishtina. M-Teknologji është formuar, i formuar dhe regjistruar në këtë edicion, ndërsa ekipi i Prishtinës është themeluar me 1975, kurse në konkurrencën e meshkujve në 1958.

“Bota sot”; Çfarë iu brengos më shumë?
Fejzullah Ademi:
Brenga jo vetëm e imja por e të gjithë atyre që ia dojnë të mirën sportit në përgjithësi e volejbollit në veçanti është që të realizohet dhe aplikohet ligji i sportit i cili është i domosdoshëm për të pas sporti një siguri më të madhe në realizimin e aspiratave të klubeve dhe sportistëve. Sportistët të kenë një siguri më të madhe për t’u angazhu në sport.

“Bota sot”: Si ish gjyqtar federativ si e sheh referimin sot?
Fejzullah Ademi:
Dihet mirëfilli se nuk mundet të zhvillohet një garë pa gjyqtar, prandaj ku segment i sportit kërkon qasje shumë serioze në përgjithësi. Gjyqtarët në volejboll (si në asnjë sport tjetër) kanë mbetur pa sigurim esenciale, pa delegat-vëzhgues të lënë në mëshirën e askujt. Gjyqtari i volejbollit me një seminar dhe me dhënien e provimit për gjyqtar gjykon ndeshjet në Superligën e Kosovës!?

Gjyqtarët e volejbollit duhet të kreditojnë vehten me muaj derisa të kompensohen për angazhimet e tyre.

Prandaj për të qenë në nivel me të lartë gjyqtarët duhet të vëzhgohen notohen dhe në bazë të rezultateve të gradohen në rangje më të lartë. Nëse këto kushte nuk i siguron federata nuk ka mundësi të përmirësohet gjykimi për momentin, gjyqtaria është në nivel jo të mirë dhe të palakmueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat