Lajçi: Është koha që t’i rikthejmë titujt në kryeqytet

Volejboll

Lajçi: Është koha që t’i rikthejmë titujt në kryeqytet

Nga: Kemajl Goca Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 19:02
Skënder Lajçi

Prishtina Volley po sundon në elitën e volejbollit të Kosovës, e cila ekip ka varguar gjashtë fitore rresht dhe prijnë në renditje me 17 pikë, duke lënë pas Lubotenin me 15 pikë, Ferizajn 15, Therandën 12 etj.  

Kjo pasqyrë e renditjes në tabelë dëshmon për një rivalitet të madh mes skuadrave për kreun e tabelës dhe gabimi qoftë më i vogël i njërës ekip apo skuadrës tjetër, pa dyshim se e ndryshon edhe tabelën.

Në këtë mjedis punohet me intensitet të shtuar nën drejtimin e kryetrajnerit Xhavit Kajtazi. Kajtazi ka ndërtuar përbërje të fortë, të frikshme për rivalët tjerë.

Fitoret e njëpasnjëshme janë treguesi më i mirë për punën, angazhimin, cilësinë, mbi të gjitha për disiplinën dhe rendin që është në këtë kolektiv. Volejbollisti me përvojë, Skënder Lajçi, tha se është një atmosferë shumë e mirë dhe motivuese në Prishtina Volley. 
 
“Bota sot”: Prishtina Volley ka një ecuri shumë të mirë, gjashtë ndeshje po aq fitore, çka e dallon nga ekipet tjera?
Skënder Lajçi:
Duke pasur parasysh ndeshjet e zhvilluara deri me tani, në të cilat jemi paraqitur mjaft suksesshëm, do të thosha se dallimi është tek cilësia e ekipit tonë, qoftë individualisht apo qoftë si skuadër si kolektiv.

“Bota sot”: A mendoni se është garë e fortë për titull dhe cilat skuadra i sheh konkurrent?
Skënder Lajçi:
Sigurisht që gara do të jetë e fortë për titull por besoj që është pak herët të themi se cilat skuadra do të jenë më konkurrent duke pasur parasysh edhe afatin kalimtar të janarit, ku skuadrat mund të përforcohen dhe të bëhen shumë ndryshime.

Ne me skuadrën tonën te Prishtina Volley kemi vendosur synimet, që ta mbyllim këtë stinor me suksesin maksimal duke synuar edhe trofeun e Kupës së FVK-së. Deri në përmbyllje të kësaj sezone na kanë mbetur tri ndeshje, ndër to mendoj dy ndeshje edhe konkurrentet kryesorë, Luboteni dhe Ferizaj, përderisa Luboteni në skuadrën e vetë po arrin të mbaj shumë përforcime, lojtar nga Brazili e Maqedonia, po ashtu edhe Ferizaj ka kompletuar një ekip për momentin me përforcime me lojtar vendorë.

Synimi im pas rikthimit nga KV Peja, ku kam kaluar një periudhë mjaft të suksesshme është që me KV Prishtina Volley ta tejkaloj këtë sukses, edhe t’i rikthejmë titujt në kryeqytet, ta vazhdojmë me suksesin aty ku e lash në vitin 2015, ku sapo ishim themeluar si ekip, Prishtina Volley, arritëm ta fitojmë Kupën e Kosovës. Natyrisht që kjo nuk do të jetë e lehtë aspak por me punë dhe vullnet besoj se do t’ia arrijmë qëllimit.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me kushtet, sa jeni përshtatur në mjedisin e ri, që u rikthyet pas një kohe?
Skënder Lajçi:
Kryesisht kushtet janë të mira por ka hapësirë dhe është e domosdoshme që të punohet në këtë drejtim, një skuadër elite e kryeqytetit dhe e trofeshme siç është Prishtina Volley meriton të ketë më shumë mbështetje financiare, sponsor të ndryshëm të mundshëm, me ardhjen e ndonjë sponsori gjeneral sigurisht që skuadra do t’i përmirësonte kushtet dhe do të arrinte pa dyshim qëllimet e caktuara.

Meqenëse me disa nga lojtarët po ashtu edhe udhëheqjen e kësaj skuadre kemi qenë edhe më herët bashkë po në këtë skuadër nuk ka qenë aspak e vështirë që të përshtatemi, kemi disa ndryshime te disa lojtarëve me të rinj me të cilët po përshtatemi dhe po funksionojmë shumë mirë.

“Bota sot”: Një kohë të gjatë në volejboll, a kemi rritje të nivelit të lojës?
Skënder Lajçi:
Niveli i lojës gjatë periudhës sime si lojtar, ka valëruar shumë herë në ngritje dhe rënie në periudha të ndryshme, por për momentin niveli i lojës do të thosha nuk është në nivelin e duhur për faktin se në skuadra nuk ka punë sistematike, stërvitje të rregullta që do të reflektonte sadopak në ngritjen e nivelit të lojës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat