Berisha: Ferizaj është fuqi e sportit skofiar, kërkon Kupën

Volejboll

Berisha: Ferizaj është fuqi e sportit skofiar, kërkon Kupën

Nga: Kemajl Goca Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 17:17
Berisha

Në javën që e lamë ka përfunduar edicioni vjeshtor në Superligën e Kosovës në volejboll (femra e meshkuj), ndërsa klubi që heshti të gjithë me rezultate është Ferizaj, u stolis me titullin vjeshtor!

Klub me kryetrajnerin me të ri në ligë, Arlind Ibrahimi, bënë një punë të madhe, me disa volejbollist me përvojë e bënë diferencën në secilën ndeshje dhe në sfidën e fundit, direkte për titullin vjeshtor, triumfuan në kryeqytet me 3:0 ndaj Prishtina Volley. Volejbollisti i Ferizajt, Armend Berisha, shprehet se është një sukses i madh, në një mjedis që punohet me përkushtim dhe një për të gjithë e të gjithë për një.

Ferizaj ka 24 pikë apo 8 fitore e 1 humbje, duke e lënë pas kampionin në fuqi Lubotenin me 21 pikë dhe Prishtinën në pozitën e tretë me 20 sosh. Berisha tha se suksesi vije si rrjedhojë e cilësisë. “Suksesi është fryt i punës së palodhshme dhe padyshim i cilësisë”, tha Berisha për gazetën kombëtare “Bota sot”. Në ndeshjen e fundit të vjeshtës ngadhënjyet në kryeqytet me 0:3 ndaj Prishtina Volley, sa ishte vështirë të luash kundër ish skuadrës tuaj dhe cila ishte armë më e fortë e kësaj fitore?

“Jo, s’ka qenë e vështirë, pasi që nuk është hera e parë që luaj kundër një ekipi ku kam qenë më përpara. Arma më e fortë një për të gjithë të gjithë për një”, përgjigjet volejbollisti.  Ferizaj po shndërrohet në një fuqi në sportin skofiar. “Nëse vazhdon me këtë ritëm do të jemi fuqi dhe është fuqi momentale e volejbollit të Kosovës, pasi që ka lojtarët më të mirë të vendit në përbërje dhe një trajner të ri e të përkushtuar në Superligën e Kosovës”, tha Berisha.

Ferizajasit realizuan synimet: “Synimin që e kemi pasur për të qenë kampion vjeshtor e kemi arritur, do të fokusohemi gjatë javës në vijim në stërvitje, ta kalojmë gjysmëfinalen që e kemi me klubin tim amë (KV Theranda) dhe pastaj në finale premtojmë lojë të mirë”.  

Berisha flet edhe për atmosferën: “Besoj që jemi klub i vështirë për t’u mposhtur sepse të gjithë lojtarët pa përjashtim kemi raporte shumë të mira mes vete dhe harmoni në klub.

Është hera e parë në karrierën time që punoj me një trajner më të ri se unë por e cilësoj si një nga trajnerët më të mirë që kam punuar në karrierën time”.  A mendoni se do ta dominoni edhe Kupën e Federatës?

“Ferizaj këtë sezon e ka dëshmuar që është ekip pretendent dhe besoj shumë që do të arrijmë këtë sukses edhe në Kupë të FVK-së”, thotë Berisha. Volejbollisti premton atomin e fundit për klubin: “Premtoj gjatë gjithë këtij Kampionatit paraqitje të mirë me ekipin e Ferizajt që ta mbyll këtë sezon aty ku është edhe qëllimi klubit. Do të japim maksimumin tonë si ekip që të fitojmë sa më shumë trofe, që ta nderojmë njeriun që e la pas këtë klub, të shumë respektuarin Jusuf Bytyçin".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat