Ramadani: Vështirësitë janë të mëdha por Ferizaj ka arritur synimet! 

Volejboll

Ramadani: Vështirësitë janë të mëdha por Ferizaj ka arritur synimet! 

Nga: Kemajl Goca Më: 27 dhjetor 2019 Në ora: 16:23
KV Ferizaj

Ferizaj ka shënuar rezultatet më të mira në vitet e fundit në elitën e volejbollit të Kosovës (femrat).

Vashat ferizajase me gjithë që u ballafaquan me halle të ndryshme ia dolën të përfundojnë në pozitën e gjashtë me 13 pikë, duke shtuar presionin edhe më shumë për kampionen në fuqi Drita nga Gjilani, e cila renditet në pozitën e katërt me 18 sosh, si dhe Prishtina F ka vetëm 14. Ky është një tregues i mirë se nuk ka qetësi as për pozitën e katërt, për faktin se dallimi në pikë me pozitën e gjashtë është i ngushtë dhe e ka vënë në pozicion aspak të qetë.

Nëse ferizajaset përforcohen për stinorin pranveror do t’ju shkaktojnë telashe ekipeve që pretendojnë titullin. Trajnerja Arta Ramadani tha se Ferizaj përbëhet me volejbolliste të reja dhe është një optimizëm, se në pranverë mund të arrijnë edhe më shumë pikë, por e gjitha varet se si do të organizohen.   “Prej formimit të klubit në vitin 2014, këtë vit i kemi rezultate më të mira se çdoherë. Edhe pse me ekip me moshë mesatare 18-19 vjeçare, ne kemi arritur të mbetemi në Superligën A”, tha Ramadani për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Trajnerja tha se më shumë janë të përqendruar që të punojnë me gjeneratat e reja dhe të nxjerrin lojtare që do të janë shtyllë e ekipit të parë. “Me të thënë të drejtën jemi të fokusuar më shumë punë me gjeneratat e reja duke mos e harruar se qe 2 vite jemi kampion të Kosovës për U-14 dhe nënkampion të Kosovës U-18”, theksoi ajo. Ramadani mburret me sukseset e stinorit vjeshtor: “Në këtë sezon ne kemi arritur objektivat tona sepse objektivin e kishim të vendi i 6-të, dhe këtë e kemi arritur”. Ish volejbollistja flet edhe për vështirësitë që kanë hasur vazhdimisht gjatë kampionatit: “Vështirësitë janë të mëdha sepse kushtet për të mbajtur dhe financuar një klub janë të mëdha.

Ne si ekip nuk kemi sponzor i cili mbulon shpenzimet (Komuna na ndihmon por jo sa për të synuar më shumë), por kemi disa dashamirë të cilët aq sa kanë edhe japin. Ndihmën më të madhe e kemi pasur nga prindërit të cilët nuk kanë kursyer dhe na kanë ndihmuar shumë dhe ne u jemi falënderues”.  

Si çdo ekip edhe Ferizaj i ka planet e veta për pjesën e dytë të kampionatit. “Objektivi i sezonit të parë është arritur dhe ne për sezonin e dytë kemi pasur plane që të investojmë edhe më shumë dhe të arrijmë të kualifikohemi në play-off, dhe do të synojmë pse jo edhe vendin e parë, por me rikthimin e lojtares Edona Gjosha (si huazim) në M. Technology kemi vendosur që sezonin e dytë t’i japim hapësirë lojtareve të reja dhe të mendojmë për fillimin e sezonit të ri”, tha Ramadani.

Ajo flet edhe për Federatën e Volejbollit të Kosovës, duke treguar se ku kanë më shumë lehtësira.

“Sa i përket federatës përveç referëve edhe kootizimit nuk kemi ndonjë tjetër lehtësirë prej saj. Është e çuditshme sepse kemi të gjitha grupmoshat duke filluar nga mosha 6 deri në seniore dhe ne nuk jemi pjesë e projekteve të shkollave nga CEV.

Përzgjedhja e ekipeve nuk e dimë se çfarë kriteri duhet plotësuar për të qenë pjesë e projektit edhe pse ne e përmbushim si ekip. Marrim pjesë me të gjitha grupmoshat në ligën e Kosovës U-14, U-16, U-18, seniore dhe asnjë mjet financiar nuk e kemi nga ana e tyre përveç kupa ose medalje, edhe pse është folur shumë që do të paguhet pjesëmarrja nëpër grupmosha por as edhe një cent nuk e kemi marrë deri me tani. Mbetemi me shpresë që në të ardhmen të kemi sponzor dhe mjete sepse si ekip numërojmë rreth 80 anëtare të cilat janë duke punuar çdo ditë, 7 ditë të javës dhe sukseset nuk na mungojnë”, përfundoi Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat