Ramadani: Nuk jemi larg Ballkanit dhe Evropës - Bota Sot
Ramadani: Nuk jemi larg Ballkanit dhe Evropës

Volejboll

Ramadani: Nuk jemi larg Ballkanit dhe Evropës

Nga: Kemajl Goca Më: 14 janar 2020 Në ora: 17:16
Ramadani: Nuk jemi larg Ballkanit dhe Evropës

Kombëtarja e Kosovës U-19 nuk e fitoi asnjë pikë të vetme në grupin e saj kualifikues për Kampionatin Evropian, që u mbajt në Herceg Novi të Malit të Zi. Megjithatë volejbollistet tona lanë përshtypje të mira në secilën përballje dhe me pak fat do të fitonin edhe ndonjë set, sidomos siç ishte sfida me malazezet. Kosova u ballafaqua me Suedinë, Izraelin dhe Malin e Zi, të tria këto ndeshje i humbi me rezultat identik 3:0.

Selektorja Vildane Jashari me trajneret Arta Ramadani dhe Sherife Behrami, u munduan që të paraqesin ekipin më të mirë dhe të nxjerrin rezultat sa më të favorshëm, por ka qenë shumë vështirë karshi rivaleve, që kishin lojtare më cilësore. Ramadani tha se ishte një përvojë e mirë por sipas saj, duhet më shumë stërvitje të përbashkëta.       

“Bota sot”: Kosova mori pjesë në kualifikueset për Kampionatin Evropian U-19, si i vlerësoni tri ndeshjet?
Arta Ramadani:
Me thënë të drejtën, jemi të kënaqur sepse me 10 ditë stërvitje ne kemi arritur mjaft mirë të përmbahemi edhe pse nuk kishim rezultate pozitive, mirëpo pikët në sete kanë qenë mjaft të mira. Nuk mund të themi që tashmë ne nuk kemi përvojë në gara, mirëpo ne kemi nevojë për më shumë stërvitje së bashku me kombëtaren që edhe të kemi suksese.

“Bota sot”: A ishte një përvojë e mirë pjesëmarrja në nivelin e kësaj gare dhe a kemi rritje të nivelit të lojës të vashat tona U-19?
Arta Ramadani:
Përvojat ndërkombëtare janë gjithmonë të mira. Mund të them që kemi ngritje por ne duhet të fokusohemi të gjeneratat e reja sepse nuk jemi larg Ballkanit dhe Evropës me gjenerata të reja.

“Bota sot”: Tri ndeshje po aq humbje me rezultate identike 0:3 nga Suedia, Izraeli dhe Mali i Zi, a keni pritur më shumë?
Arta Ramadani:
Ne kemi parë se si stërvitet dhe sa shumë kanë kohë kombëtaret e tjera, kemi mundur të bëjmë edhe më shumë por ndoshta vajzat nuk e kanë pasur besimin që ato mund të bëjnë më shumë sepse me Malin e Zi në setin e dytë ishim në epërsi 24:22, megjithatë ndoshta përvoja e malazezeve ishte më e madhe.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë kombëtares U-19-?
Arta Ramadani:
Kushte për stërvitje sepse kemi stërvitur në palestra të shkollave për shkak të ftohtit dhe normal kohë më të gjatë për stërvitje sepse me 10 ditë janë shumë shumë pak.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat