Gjinovci: Prishtina F ka një gjeneratë që premton shumë 

Volejboll

Gjinovci: Prishtina F ka një gjeneratë që premton shumë 

Nga: Kemajl Goca Më: 9 shkurt 2020 Në ora: 19:21
KV Prishtina F

Klubet e volejbollit me padurim e presin fillimin e pjesës së dytë të kampionatit, secila ka ambicie e veta, disa luftojnë për titull, disa për të mbetur në elitë e disa që të ndërtojnë një ekip me lojtare të reja dhe për një periudhë afatgjate.

Klubi më i vjetër në kryeqytet te femrat, Prishtina F, nën udhëheqjen e kryetrajnerit të ri Bahri Gjinovci, punojnë me zell të shtuar dhe në kërkim të një loje sa më të mirë për pjesën e dytë të kampionatit.

Klub që përbëhet me shumicën e volejbollisteve të reja e premtuese, por që ka edhe ndonjë me përvojë, synojnë rezultate edhe më të mira në kampionati. Prishtina F. me presidenten e palodhshme Ganimete Gërbovci, me drejtorin sportiv që nuk ndalet natë e ditë, Mehdi Mehmeti, kanë krijuar kushte të mira për punë dhe me synime që ky klub të jetë edhe si shembull për skuadrat tjera, jo vetëm për nga organizimi por edhe nga strukturat që kanë në kryesi, shumica femra.

Image

Bahri Gjinovci

Gjinovci tha se kanë filluar përgatitjet dhe ato shkojnë sipas programit të paraparë. “Tash veç kemi filluar me përgatitje. Kemi tash e disa ditë përgatitjet në një atmosferë shumë të mirë, me vullnet dhe përkushtim të madh timin, të vajzave dhe kryesisë së klubit, që deri në fund të këtij vitit të ndërtojmë një skuadër që premton shumë në të ardhmen, sigurisht së pari vetëm me lojtare vendore”, tha Gjinovci për gazetën kombëtare “Bota sot”. Është një gjenerate e re, çka e veçon nga klubet tjera?

“Kjo gjeneratë në të ardhmen premton shumë. Aty gjeta disa vajza të reja, shumë perspektivë që brenda një periudhe do të besoj që do të jenë edhe bartëse kryesore të ekipit. Klubi i Prishtinës në përbërjen e vet ka të gjitha vajzat vendore, po ashtu pjesa më e madhe nga Prishtina”, përgjigjet kryetrajneri i Prishtina F. Prishtina F është në pozitën e pestë me 14 pikë por jo edhe ngarkuar që me çdo kusht ta ndjekin katërshen e parë por pretendojnë ndërtimin e një gjeneratë të re të fuqishme.

“Është shumë e vërtet që në bisedime me kryesinë e klubit tim diskutimi ka qenë përherë që të ndërtohet një ekip e re dhe përherë duke u bazuar në lojtaret vendore, veçmas me gjeneratat e reja që janë duke dalur nga shkolla e volejbollit Prishtina. Por përherë duke pretenduar që nga kjo pozitë ku jemi të futemi në play-off dhe normal synimet tona janë gjithmonë për t’i fituar trofetë e çmueshme.

Kështu që ne po vazhdojmë të punojmë me përkushtim të madh së bashku me vajzat të cilat kanë një vullnet shumë të madh për punë, që nesër pse edhe mos të na shpërblehet me trofetë, kupa dhe kampioni”, shpreh optimizmin Gjinovci.

Më tej tha se shpreson se do të kenë një ecuri të mirë të rezultateve: “Besoj që edicioni do të jetë më i mirë dhe më interesant sepse konkurrencë në mes klubeve veç është rritur ku disa klube edhe kanë bërë përforcime cilësore, edhe pa dashje që do të jetë interesant.  

Rrjedha e përgatitjeve në klubin Prishtina po ecë shumë mirë, gjithmonë duke mbretëruar atmosfera shumë e mirë, edhe pse me vjen keq që do te kem një shkëputje disaditëshe për shkak të udhëtimeve zyrtare që do t’i kem jashtë shtetit e bash para fillimit të kampionatit, por puna nuk do të ndalet. Është Mehdiu, Fejzullah Ademi etj. që do të vazhdojnë punën me ekipin derisa unë të kthehem”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat