Kadriu: Presioni është të ato skuadra që po investojnë shuma marramendëse

Volejboll

Kadriu: Presioni është të ato skuadra që po investojnë shuma marramendëse

Nga: Kemajl Goca Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 16:13
KV Skenderaj

Pritet pranverë e nxehtë në luftë për vendin e parë në elitën e volejbollit të Kosovës (femrat). Qysh tani dihen se cilat skuadra janë në katërshen e parë të renditjes së klasifikimit, si Skenderaj, M Technologie nga Prishtina, Kastrioti nga Ferizaj dhe kampionia në fuqi Drita nga Gjilani.  Skenderaj i prinë renditjes me 28 pikë, ka një më shumë se skuadra prishtinase, Kastrioti është në vend të tretë me 23 pikë, Drita ka 21 dhe i ik për 7 sosh Prishtina F.

Dy skuadra tjera, si Prishtina F dhe Ferizaj do të luftojnë më shumë për paraqitje sa më mira dhe po ashtu se cila do të përfundojë në pozitën e pestë, sepse pak shumë pak kanë shpresa për vend të katërt, duke e marr parasysh cilësinë që kanë katër skuadrat e para.   Skenderaj është në formë dhe treguesi më i mirë është fitorja e thellë me 3:0 ndaj Ferizajt.

Yll Kadriu, kryetrajner i Skenderaj, mendon se do të jetë një pranverë shumë interesante dhe pothuajse edhe secila ndeshje sikur një finale.  Kadriu tha se më e mirë është që skuadra e tij e ka ruajtur skeletin e stinorit vjeshtor dhe kjo është edhe një përparësi ndaj rivaleve.

Nuk duhet harruar se M Technologie dhe Drita, dy skuadra që kanë në petkun e tyre lojtare edhe nga jashtë, do të janë presion i Skenderajt, por ky fakt aspak nuk e shqetëson Kadriun por synimet e tija janë që të bëjë një ekip sa më të fortë në vazhdim të kampionatit dhe të kërkojnë edhe titullin e kampionit.

Skenderaj ka një ekip me lojtare disa me përvojë e disa të reja dhe të gjithë punojnë për një dhe një për të gjithë, me pretendime që të fitojnë të gjitha trofetë e mundshme. Në klubin nga Drenica është atmosferë shumë e mirë dhe të gjitha optimiste, se përveç që do ta mbrojnë trofeun e Kupës do ta sjellin edhe titullin e kampionit në vitrinat e klubit.

“Bota sot”: A mendoni se Skenderaj është më i fortë se në vjeshtë?

Yll Kadriu: Unë mendoj që Skenderaj e ka cilësinë e njëjtë si stinorin e kaluar, mirëpo ekipi është komponuar akoma më shumë kur dihet që këtë vit i kemi dy pasuese tjera nga viti i kaluar, dhe ky ndryshim ka pasur nevojë më shumë për t’u komponuar.

“Bota sot”: Si e sheh pjesën e dytë të kampionatit, cilat janë përparësitë e Skenderajt?

Yll Kadriu: Pjesa e dytë do të jetë shumë më e fortë dhe pothuajse çdo javë do të ketë së paku një superderbi, kjo do  të jetë interesante. Sa i përket përparësisë sonë është që ne nuk kemi bërë asnjë ndryshim në skuadër për dallim nga ekipet tjera dhe dallimi më i madh është i cilësisë vendore që kemi në skuadër në të gjitha pozicionet.

“Bota sot”: A është më i komplentuar me lojtare dhe çka i duhet më shumë?

Yll Kadriu: Në jemi të kompletuar, madje kemi edhe bankë shumë të mirë, pra krejt çka na duhet edhe të kemi fat, mos të kemi lëndime dhe të vazhdojmë me punë maksimale.

“Bota sot”: Çfarë dalloni nga rivalet për titull?

Yll Kadriu: Dallimi ynë me rivalet është sepse ne kemi lojtare cilësore në të gjitha pozicionet dhe kundërshtaret e kanë më të vështirë të na mbulojnë, për dallim që ne kur e përgatisim lojën, fokusohemi të 1 apo 2 lojtare të kundërshtarit. Dhe përparësia tjetër është që ne luajmë të relaksuar dhe nuk e kemi më patjetër të fitojmë, thjesht duam të luajmë bukur dhe t’i kënaqim tifozët tanë.

“Bota sot”: A jeni në presion te M Technologie dhe të Dritës e të Kastriotit në luftë për vend të parë?

Yll Kadriu: Unë e ceka më lart që Skenderaj nuk ka presion ndaj asnjë rivali, përkundrazi, presioni është të ato skuadra të cilat po investojnë shuma marramendëse për t’u përballur me ne dhe atyre u duhet me patjetër për të fituar. Ne jemi shumë të qetë dhe po e shijojmë në maksimum çdo stërvitje dhe çdo lojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat